URDHËR
Nr.03, datë 05.01.2018
PËR CAKTIMIN E FUSHËS SË VEPRIMTARISË QË MBULOJNË ZËVENDËSMINISTRAT NË MINISTRINË E BRENDSHME
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe të vendimit nr. 502, datë 13.09.2017, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme”
URDHËROJ:
1. Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Julian HODAJ, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:
a) Përgatitjen, koordinimin dhe ndjekjen e procesit të rivlerësimit në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA (Vetting-u);
b) Ndjekjen dhe monitorimin e procesit normativ të Ministrisë së Brendshme;
c) Koordinimin dhe ndjekjen e procesit të reformës në Akademinë e Sigurisë;
d) Funksionimin dhe veprimtarinë e SHÇBA-së;
e) Rekrutimin, garantimin e karrierës dhe vazhdimin në detyrë të personelit, në Policinë e Shtetit;
f) Forcimin e sigurisë rrugore;
g) Bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë dhe agjencitë ligj zbatuese në vend.
2. Zëvendësministri i Brendshëm, ……. të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:
a) Koordinimin dhe kontrollin e veprimtarisë së strukturave të ngarkuara me zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, me cilësinë e Drejtuesit të Task Forcës Qendrore;
b) Monitorimin dhe bashkëpunimin me institucionet e ngarkuara për zbatimin e masave në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore;
c) Ndjekjen e procedurave për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare;
d) Ndjekjen e procedurave për azilin në Republikën e Shqipërisë, përcaktimin e kushteve për integrimin e personave që kanë fituar status, si dhe pajisjen e tyre me dokumente identifikimi;
e) Çështje të cilat kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe azil kërkimin;
f) Kontrollin kufitar, hyrjen, qëndrimin, trajtimin dhe daljen e të huajve nga Republika e Shqipërisë, si dhe pajisjen e tyre me dokumente identifikimi;
g) Ruajtjen dhe sigurinë e territorit dhe të ndërtimeve, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së inspektorateve përgjegjëse;
h) Ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë – veprimtaria e Gardës së Republikës;
i) Organizimin dhe funksionimin e shërbimit të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë.
3. Zëvendësministri i Brendshëm, zonja Romina KUKO, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:
a) Rendin dhe sigurinë publike;
b) Parandalimin e kriminalitetit, policimin në komunitet dhe angazhimin qytetar për siguri;
c) Koordinimin dhe monitorimin e masave dhe projekteve të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian;
d) Zbatimin e reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimin; bashkërendimin me njësitë e vetëqeverisjes vendore me fokus funksionimin e prefekturave të qarqeve;
e) Shërbimet ndaj qytetarëve dhe çështje që lidhen me statistikat;
f) Parandalimin e dhunës në familje, me fokus mbrojtjen e grave dhe të fëmijëve,
4. Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Besfort LAMALLARI, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:
a) Zbatimin e objektivave dhe masave të Planit të Veprimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Operacioni “Forca e Ligjit”;
b) Reformimin e strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit;
c) Luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave;
d) Reformën në fushën e Inteligjencës dhe Informacionit;
e) Marrjen e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë;
f) Bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e mësipërme.
5. Ngarkohen zëvendësministrat përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri.
6. Ngarkohet Sektori i Arkiv-Protokollit, për njoftimin e këtij urdhri institucioneve të varësisë dhe drejtorive të aparatit të Ministrisë së Brendshme.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI
FATMIR XHAFAJ