Çfarë është dhuna në familje?

Është çdo veprim apo mosveprim, i drejtuar ndaj një pjesëtari të familjes apo në lidhje intime ose kujdestarie, që cenon integritetin fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij.


Vështrim i përgjithshëm mbi dhunën në familje.

Dhuna në familje është një problem i përhapur social, shëndetësor global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës.

Është një fenomen që ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social, sidomos të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë: grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Megjithatë, shqiptarët priren ta konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore e familjare. Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë shqiptare, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje.

Nisur nga përmasat e këtij fenomeni, ndikimi që ka në shoqëri dhe marrëdhëniet specifike që cenohen, është e nevojshme angazhimi i shumë institucioneve shtetërore, përfshi dhe Policinë dhe organizatave ndërkombëtare dhe vendase.

Më shumë se sa policor, ky fenomen shfaqet si një reflektim i problemeve sociale të shoqërisë. Megjithatë roli i policisë në trajtimin e këtyre rasteve është shumë i rëndësishëm.

Nisur nga fakti se dhuna në familje gjithmonë ka qenë një fenomen shumë shqetësues, studiuesit janë përpjekur të studiojnë shkaqet dhe pasojat, me qëllim parandalimin apo minimizimin e saj.

Shpesh thuhet se Kanuni dhe zakonet janë burimi kryesor për dhunën që ushtrohet në familje dhe pozitën e diskriminuar të grave në shoqërinë shqiptare. Po a është ky argumenti i vetëm, i rëndësishëm që justifikon diskriminimin dhe dhunën në familje?

Kanuni është një nga faktorët, me të cilin spekulohet. Ka një mori faktorësh të tjerë që e kanë bërë dhunën në familje një plagë të vërtetë të shoqërisë shqiptare, të tillë si ndikimi kulturor mbështetur në traditat e vjetra patriarkale, diskriminimi gjinor, kodi i moralit dhe nderit, papunësia, kontrolli ndërbreznor në familje, situatat ekonomike e sociale të vështira, përdorimi abuziv i alkoolit dhe drogës etj.

Në mos-raportimin apo raportimin e ulët të dhunës në familje, në vendin tonë vlerësohet të ndikojnë faktorë të tillë si turpi, frika nga ndëshkimi, normat kulturore, stereotipet që ekzistojnë për dhunën në familje, varësia ekonomike etj.


Llojet e dhunës

Abuzimi emocional – shkatërrimi i ndjenjës së vetëvlerësimit dhe/ose të vetëbesimit të një individi Kjo mund të përfshijë kritikimin e vazhdueshëm, poshtërimin, përçmimin e aftësive të një personi, sharjet, degradimin dhe dëmtimin e marrëdhënieve të dikujt me fëmijët e tij ose të saj.

Abuzimi psikologjik – përfshin shkaktimin e frikës nëpërmjet trembjes; kërcënimin për dëmtim fizik të vetes, partnerit, fëmijëve ose të familjes së partnerit apo të miqve; kërcënimin për braktisje; vrasjen e kafshëve shtëpiake dhe shkatërrimin e pronës; kërcënimet për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve; izolimin e dhunshëm nga familja, miqtë, shkolla dhe/ose puna dhe mohimin e mundësisë për para ose mbështetje ekonomike.

Dhuna ekonomike – përfshin vënien në varësi ekonomike, moslejimi i punësimit, kontrolli i vazhdueshëm dhe imtësishëm i shpenzimeve, mosdhënia e mjeteve monetare, etj., ndaj një personi në marrëdhënie familjare

Dhuna fizike – përfshin, por nuk kufizohet me: çjerrjen, shtyrjen, goditjen, kapjen, rrahjen, asfiksimin, pickimin, shpimin, shkuljen e flokëve, përdredhjen e krahut, goditjen me shuplakë, gjuajtjen, djegien, therjen dhe mbytjen. Dhuna fizike mund të përfshijë përdorimin e madhësisë dhe të forcës fizike të një personi, shtrëngimet ose armët (p.sh. pistoletë, thikë ose një objekt tjetër) për të marrë dhe për të ruajtur kontrollin mbi personin tjetër. Dhuna fizike shpesh shkakton disa forma dëmtimi ose lëndimi dhe mund të shkaktojë edhe vdekje.

Dhuna seksuale – përfshin imponimin, detyrimin ose përpjekjen për të detyruar kontakt ose sjellje seksuale pa pëlqimin e personit. Abuzimi seksual përfshin, por nuk kufizohet me përdhunimin martesor, sulmet në pjesët seksuale të trupit, detyrimin për të bërë seks pas ushtrimit të dhunës fizike ose trajtimin e personit në mënyrë seksualisht poshtëruese. Abuzimi seksual kryhet nga partnerët intimë dhe nga anëtarët e familjes brenda kontekstit të martesës, të marrëdhënieve dashurore dhe të familjes.

Për herë të parë dhuna në familje u parashikua në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Deri atëherë të gjitha rastet e dhunës midis personave ne lidhje familjare trajtoheshin si konflikte apo si veprat e tjera kundër personit të parashikuara në KP.

Qëllimi i Ligjit është krijimi i një rrjeti të koordinuar institucionesh (administrative dhe gjyqësore) përgjegjëse; krijimi i strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor; fuqizimi i gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje dhe lëshimin e UM/UMM; sigurimin/garantimin për viktimat e dhunës në familje të shërbimit të shpejtë, të pakushtueshëm, falas dhe të thjeshtë në përputhje me ligjin, pranë gjykatës apo organeve të tjera kompetente për zbatimin e ligjit. Gjithashtu në të kanë gjetur vend dispozita për rehabilitimin e autorëve të akteve të dhunës në familje, etj.


Sipas këtij ligji pjesëtarë të familjes, janë:

  1. bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja bashkëjetues;
  2. vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre, si dhe nipin e mbesën, nëse këta të fundit janë anëtarë të njësisë shtëpiake;
  3. paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet birësimit;
  4. prindërit e bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë dhe thjeshtrin/thjeshtrën edhe sikur kjo lidhje të burojë nga birësimi
  5.  gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e birësuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es
  6. vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit, bashkëshortes, bashkëjetuesit/es
  7. fëmijët e bashkëshortëve ose partnerëve bashkëjetues;
  8. personat, të cilët janë ose kanë qenë në marrëdhënie intime, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;
  9. kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi të miturit dhe kujdestarisë për personat me aftësi të  kufizuar dhe personit që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes”.

Terma:

“Marrëdhënie intime” është marrëdhënia ndërpersonale që përfshin, intimitet fizik ose emocional.

“Viktimë“ është personi mbi të cilin është ushtruar dhuna e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

“Urdhër mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën, fëmijët  dhe sipas rastit masa për rehabilitimin e dhunuesit;

“Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate.

“Urdhri për Masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme”, është urdhri i arsyetuar dhe i lëshuar sipas parashikimeve të nenit 13/1 të këtij ligji, që përmban  masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës, që merren nga organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.”

 

 

Subjektet që mbrohen nga ky ligj:

1) të gjitha subjektet e përcaktuar më sipër (në  nenin 3, pika 7 e këtij ligji)  që janë shtetas shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë.

shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë, dhe të huajt me qëndrim të rregullt për motive të ndryshme sipas legjislacionit në fuqi  për të huajt, që përfshihen në kategorinë e subjekteve të përcaktuar në Nenin 3, pika 7 të këtij ligji (marrëdhënie familjare).”

 

Për t’u përdorur si informacion për viktimat e dhunës:

Ju keni të drejtë: (viktima)

të denonconi pranë çdo stacioni policie ku jetoni apo ndodheni;

t’i drejtoheni Njësisë Administrative ose Qendrës Shëndetësore ku banoni;

të telefononi (ju ose te afërmit tuaj) në çdo moment, për të raportuar dhunën në numrin e Policisë së Shtetit, pa pagesë 112;

të trajtoheni me dinjitet, pa diskriminim;

të kërkoni plotësimin e kërkesë padisë për urdhër mbrojtjeje nga dhunuesi/ja;

të bëni kallëzim penal për dhunuesin/en;

të keni ndihmë ligjore falas;

t’ju sigurohet mbrojtje e menjëhershme, ju dhe familjareve tuaj;

të kërkoni strehim në një Qendër për viktimat e dhunës

të keni kujdes mjekësor, ndihmë psikologjike, këshillim dhe shërbime të tjera të ofruara nga autoritetet, organizatat ose institucionet përgjegjëse për ndihmën ndaj viktimave të dhunës.

 

Detyrimet e Policisë:

 

  • Të marrë menjëherë në mbrojtje viktimën/at e dhunës
  • Të informojë viktimën për mundësitë që i ofron ligji (ndihmë ligjore, mjekësore, psikologjike, si dhe masat mbrojtëse)
  • Të analizojë faktorët e rrezikut që mund të çojnë në përshkallëzimin e dhunës
  • Të lëshojë Urdhrin më Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme, në rastet kur rezulton se rreziku që i kanoset viktimës është i lartë
  • Të plotësojë formularin “Kërkesë-padi për Urdhër Mbrojtje/Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtje”, kur i kërkohet nga viktima,
  • Të hetojë, mbledhë prova dhe dokumentojë dhunën, si dhe të vëre para përgjegjësisë ligjore autorin e dhunës
  • Referon rastin pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, kur përfshihen fëmijët
  • Referon rastin e dhunës në familje pranë mekanizmave vendore të referimit për dhunën në familje.