“Bregdeti Ynë”/Shemben 2 objekte në Dhërmi. Tolerancë zero, shkelësit para ligjit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/09/2021

“Bregdeti Ynë”/Shemben 2 objekte në Dhërmi. Tolerancë zero, shkelësit para ligjit

Dhërmi – Operacioni “Bregdeti Ynë”, shemben 2 objekte 

 

Rifillon aty ku u ndërpre në qershor për shkak të sezonit turistik, operacioni i pastrimit të bregdetit nga çdo ngrehinë abuzive apo abuzim me lejet e ndërtimit, për të cilat jo vetëm toleranca do të jetë zero, me shembjen e ndërtimeve pa leje, por do të vihen para përgjegjësisë shkelësit e ligjit, në bazë të normave të reja penale për shkeljet në ndërtim.

*së shpejti edhe Ligji i Vijës Bregdetare, së bashku me planin e ri të administrimit të plazheve e të pastërtisë së zonave turistike – shkruan KM Rama në rrjetet sociale.

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha për mediat – VIDEO:

“Rifillon nga Dhërmiu operacioni “Bregdeti Ynë”, që ishte pezulluar për dy muaj për shkak të sezonit turistik. Angazhim maksimal i qeverisë shqiptare për të luftuar paligjshmërinë në territor. Kushdo duhet të harrojë, të mos gënjehet, apo të mos e gënjejë mendja që mund të zaptojë një metër katror territori publik.

Territori publik dhe sidomos bregdeti është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe do të shfrytëzohet si e tillë. Askush nuk do të lejohet apo të tolerohet të ndërtojë pa leje, apo të abuzojë me këtë territor.

Operacioni rifilloj në Dhërmi dhe do të vazhdojë përgjatë të gjithë bregdetit dhe do të shtrihet dhe më vonë edhe në zonat e tjera të Shqipërisë, kudo që do të ketë nevojë. Dhe nuk do të tolerohet askush që ndërton pa leje, dhe asnjë zyrtar që mbyll sytë përpara paligjshmërisë”.