Parandalimi i dhunës në familje/Zv.ministrja Kuko dhe Drejtori Vocaj u tërheqin vëmendjen Koordinatorëve Vendorë të Policisë: Trajtim me përparësi të çdo rasti - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/07/2021

Parandalimi i dhunës në familje/Zv.ministrja Kuko dhe Drejtori Vocaj u tërheqin vëmendjen Koordinatorëve Vendorë të Policisë: Trajtim me përparësi të çdo rasti

Parandalimi i dhunës në familje/Zv.ministrja Kuko dhe Drejtori Vocaj u tërheqin vëmendjen Koordinatorëve Vendorë të Policisë: Trajtim me përparësi të çdo rasti

Tiranë – Nisur nga prioritetet e lëna nga Kryeministri, mesditën e sotme Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj mblodhën në takim koordinatorët vendor të policisë, që merren me trajtimin e rasteve të Dhunës në Familje dhe Mbrojtjen e të Miturve.

Në fokus ishte përmirësimi i punës në drejtim të parandalimit të kriminaliteit, policimit në komunitet dhe parandalimin e dhunës në marrëdhëniet familjare.

Znj. Kuko u tërhoqi vëmendjen strukturave të policisë, që mbulojnë dhunën në familje, me synim trajtimin me kujdes dhe përparësi të çdo rasti të dhunës në familje, abuzimit me fëmijët apo trafikimit të tyre.

Më tej ajo vuri theksin, në trajtimin me përparësi të rasteve të denoncime në Komisariatit Dixhital si dhe trajtimin me kujdes të procedurave standarde të punës, të miratuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, theksi u vendos në njohjen dhe përditësimin e të gjithë strukturave, me ndryshimet ligjore si dhe VKM e datës 2 Qershor me nr. 327 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare si dhe procedimin e tij, për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës”, nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përgjatë diskutimit të saj, Kuko bëri me dije aplikacionin më të ri në Shqipëri “Hidh një H’app” për të ecur përpara, për viktimat e dhunës, si nga format më të mira për të ndihmuar ato gra e vajza të cilat ndjehen të kërcënuara dhe të frikësuara, mjafton një telefonate dhe do të ketë menjëherë siguri dhe ndihmë sociale.

Aplikacioni është dizenjuar në bashkëpunim me Fondacionin Vodafon Albania, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Policinë e Shtetit dhe Organizatën Ndërkombëtare Un Women.

Së fundmi, ajo theksoi se do të nisë një fushatë të gjerë sensibilizmi në shkolla, shëndetësi, njësitë e qeverisjes vendore, media, për të parandaluar dhunën në familje dhe asaj me bazë gjinore, ku u kërkoi të pranishmëve një përkushtim maksimal dhe një pritshmëri të lartë në detyrë, në drejtim të parandalimit të kriminalitetit.

#HidhNjëHapp