Faza II/Operacioni “Bregdeti Ynë”, lirohen hapësirat bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlonë e çadra - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/06/2021

Faza II/Operacioni “Bregdeti Ynë”, lirohen hapësirat bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlonë e çadra

Policia e Shtetit vijon me fazën e dytë të operacionit “Bregdeti Ynë”, duke liruar hapësirat bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlonë e çadra. Kontrollet janë zhvilluar dhe do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Nga kontrollet e deritanishme në këto qytete janë evidentuar 28 subjekte/parcela pa leje, janë hequr 1,132 shezlonë dhe 537 çadra, prej ku:

– Golem, Kavajë – Kontrolli ka filluar nga “Përroi Agait” në drejtim të “Karpenit”, dhe si rezultat janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlonë dhe rreth 280 çadra;

– Seman, Darzezë, Divjakë – Janë evidentuar 3 subjekte pa leje, hequr 157 shezlonë dhe rreth 76 çadra;

– Durrës – Kontrolli ka filluar nga “Përroi Aga-it” në drejtim të vendit të quajtur “Plepa” dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare, ku në 30 subjekte janë evidentuar 7 parcela pa leje janë hequr rreth 290 shezlonë dhe rreth 141 çadra;

– Velipojë, Shkodër – Janë verifikuar 27 subjekte, 2 prej të cilëve kishin zënë më shumë hapësirë publike se sa parashikohej nga leja përkatëse. Në këto 2 subjekte janë hequr 40 shezlonë dhe rreth 20 çadra;  

– Vlorë – Kontrolli ka filluar nga Zvërneci deri në Ksamil, ku deri në këto momente janë zhvilluar kontrolle në 37 subjekte dhe janë evidentuar 5 parcela pa leje, prej ku janë hequr rreth 95 shezlonë, e rreth 20 çadra;

– Pogradec – Janë kontrolluar 25 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje;

– Shëngjin, Lezhë – Gjatë vijës bregdetare të shëtitores “Willson” në Shëngjin, janë verifikuar 36 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.