Shkodër/Ministri Çuçi: Nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë. Kontroll të territorit me dronë super-inteligjentë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/06/2021

Shkodër/Ministri Çuçi: Nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë. Kontroll të territorit me dronë super-inteligjentë

Ministri Çuçi në Shkodër: Po nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë së Shtetit. Kontroll të territorit me dronë super-inteligjentë dhe ngritja e aftësive në luftën kundër krimit kibernetik  – VIDEO

“Po nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë së Shtetit. Ky 4-vjeçar do të shënojë hapin më të madh në lidhje me teknologjinë, që nga ngritja e aftësive në luftën kundër krimit kibernetik, deri tek kontrolli i i plotë i territorit me dronë super-inteligjentë”. Kështu është shprehur nga Shkodra ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa mori pjesë ne ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër.

Sipas tij inaugurimi i këtij investimi të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, është përmbyllje e një kapitulli për investimet infrastrukturore, të munguara deri dje, për të vijuar këtej e tutje me ngritjen e Policisë së Shtetit në një nivel tjetër.

“Ministria e Brendshme gjatë viteve të fundit ka nisur një projekt madhor për modernizimin në çdo qelizë të strukturave të Policisë së Shtetit, duke nisur nga pajisjet, mjetet e punës, trajtimin financiar, ambientet e reja, e sidomos nëpërmjet futjes së teknologjisë së avancuar dixhitale dhe pajisjeve të sofistikuara për të mbuluar detyra, që deri dje kryheshin përmes mbikëqyrjes fizike”, tha ministri Çuçi.

Në vijim ai shtoi se aleati kryesor i Policisë së Shtetit në përballje me paligjshmërinë janë qytetarët, pa ndihmën dhe mbështetjen e të cilëve puna e Policisë së Shtetit dhe e të gjithë strukturave të tjera ligjzbatuese nuk jep dot dot rezultatet që duhen.

“Vizioni ynë është që Policia e Shtetit të qaset gjithmonë e më shumë si shërbim ndaj qytetarëve, jo si forcë represive. Një polici komunitare ku siguria e përbashkët ndërtohet edhe me përfshirjen e qytetarëve”, tha Çuçi.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin edhe drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, drejtues të tjerë të departamenteve në Policinë e Shtetit, Prefekti dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese në qark.

Fjala e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

Përshëndetje të gjithëve,

Sigurisht që ndihemi të gjithë më komod kur takohemi dhe punojmë në ambiente të tilla si ky ambient që po inaugurojmë sot. Ky është modeli jonë, një model në fakt që e kemi imponuar  me kohë, e përsa i takon aspektit infrastrukturor jemi ndoshta në një përmbyllje të standardit që duhet të ketë Policia e Shtetit dhe në një vazhdimësi të pakthyeshme tashmë të pikërisht modelit infrastrukturor të Policisë së Shtetit.

Ne do të hapim një kapitull të ri në këtë 4-vjeçar, në lidhje me modernizimin e shërbimeve të Policisë së Shtetit nëpërmjet teknologjisë. Dhe sigurisht që avancimi i teknologjisë digjitale na shtron përpara, një detyrimi që ne duhet që këtë modernizim ta shtrimë në të gjithë shërbimet e Policisë së Shtetit. Është një premtim që e kemi marrë që ne pa diskutim e kemi marrë, e me fillimin e mandatit të ri qeverisës ne do nisim pa humbur kohë këtë betejë të re në fushën e modernizimit të Policisë së Shtetit.

Unë jam i bindur që ky 4-vjeçar do të shënojë hapin më të madh në lidhje me teknologjinë, që nga ngritja dhe përsosja e aftësive në luftën kundër krimeve kibernetike, një fushë relativisht moderne beteje e Policisë së Shtetit, e deri te kontrolli i gjithë territorit, çdo centimetër i territorit të Shqipërisë me dron inteligjentë, madje dron super-inteligjentë.

Kjo është një sfidë që ne tashmë e kemi vendosur që do ta ndërmarrim të gjithë bashkë që Shqipëria të jetë jo për nga sasia, sepse sigurisht jemi dhe mbetemi një vend i vogël sa i takon sipërfaqes dhe territorit, por për nga cilësia një nga vendet model të aplikimit të teknologjisë dhe dronëve super-inteligjentë për të kontrolluar territorin e Shqipërisë, për çdo aspekt të domosdoshëm në luftën e përditshme të Policisë së Shtetit për të pasur një kontroll mbi territorin e Shqipërisë; që nga ndërtimet pa leje apo lufta kundër fenomeneve të kultivimit të kanabisit, e deri në marrëdhënien e përditshme që duhet të kemi me çdo aspekt e cep të territorit të Shqipërisë, deri në gjerat më të imta që lidhen me kontrollin e lagjeve, kontrollin e rrugëve, të trafikut, e kështu me radhë.

Pa dyshim që në këtë përballje të përditshme aleati ynë i pa tjetërsueshëm janë qytetarët. Pa ndihmën dhe mbështetjen e të cilëve, puna e Policisë së Shtetit, puna juaj, puna jonë në përgjithësi dhe të gjithë strukturave ligjzbatuese nuk do të jepte kurrë rezultatin që ne duam dhe që ne kërkojmë.

Krahas këtyre investimeve, si ky që inaugurojmë sot, një model mendoj unë ndoshta më i miri sot për sot në Shqipëri, është një përgjigje e drejtpërdrejtë e asaj që ne kemi thënë që në qendër janë qytetarët dhe qasja jonë dhe qasja e Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet, që Policia e Shtetit nuk është thjesht një forcë represive, por një partner i qytetarëve të Shqipërisë. Kështu që një Polici Komunitare ku siguria e përbashkët ndërtohet vetëm me përfshirjen e qytetarëve, e ky ambient është një ftesë për të qenë edhe më afër pikërisht me qytetarët ndaj të cilëve kemi misionin për t’i shërbyer.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu:

I nderuar zoti ministër i Brendshëm,

E nderuar zonja Prefekte,

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar punonjës të policisë të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Shkodër,

Listës së ambienteve të reja të ndërtuara apo rikonstruktuara vitet e fundit, i shtohet edhe kompleksi i godinave të reja të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Shkodër. Është rasti për të theksuar se, për herë të parë, në Buxhetin e Policisë së Shtetit në 3 vitet e fundit janë akorduar mbi 2.4 miliard lekë fonde për investime me financime të brendshme.

Policia ka marrë një vëmendje të veçantë nga Qeveria, duke iu nënshtruar një reformimi të thellë, që e ka bërë dhe po e bën atë më efecientë, më të suksesshme dhe më të besueshme për komunitetin. Nga ana tjetër, me investimet e realizuara dhe ato që priten në të ardhmen, synohet për ta bërë Policinë e Shtetit akoma më dinjitoze, të kompletuar me ambiente dhe kushte bashkëkohore akomodimi, pune e stërvitjeje.

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke besuar fort te profesionalizmi dhe përkushtimi i çdo punonjësi policie, më lejoni që në emër të tyre, të shpreh edhe njëherë falënderimet për ndihmën e pakursyer dhe mbështetjen që na jep Qeveria dhe Ministri i Brendshëm. Njëkohësisht, duke përfituar nga rasti, ju siguroj se Policia e Shtetit tashmë është më e modernizuar në infrastrukturë, mjete e pajisje, është plotësisht e motivuar dhe më e angazhuar për të përballuar me sukses realizimin e detyrave të ngarkuara për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike. Ju faleminderit!