Liban/Ministri Çuçi flet nga Bejruti: Po punojmë për një operacion tjetër riatdhesimi të shqiptarëve nga Siria - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/02/2021

Liban/Ministri Çuçi flet nga Bejruti: Po punojmë për një operacion tjetër riatdhesimi të shqiptarëve nga Siria

Bejrut – Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi po zhvillon një vizitë zyrtarë në Liban, në kuadër të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri. Pas takimit, ministri u shpreh përmes një statusi në rrjetet sociale se do të punohet me përkushtim për ta përmbyllur operacionin për kthimin e grave e fëmijëve sa më shpejt në atdhe. Në tetor 2020 u mundësia rikthimi i 4 fëmijëve dhe një gruaje.

Statusi i plotë i ministrit të Brendshëm:

Në vijim të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet siriane, prej dy ditësh ndodhem në Bejrut. Bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, zhvillova një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të sigurisë në Liban, Gjeneral Major Abas Ibrahim.

E falënderova Gjeneralin për gjithë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër.

Vizita në Bejrut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria. Do të punojmë me po të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bëmë radhën e parë.