Kuvend/Miratohet ndryshimi, ID karta për qytetarët pas moshës 75 vjeçare do të jetë pa afat skadence - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/02/2021

Kuvend/Miratohet ndryshimi, ID karta për qytetarët pas moshës 75 vjeçare do të jetë pa afat skadence

Kuvendi i Shqipërisë – Në seancën e sotme plenare u miratua me 94 vota pro, 8 kundër dhe 6 abstenim, projektligji për amendimin e kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të ‘Morpho’ dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”

Prezantimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, i projektligjit për amendimin e kontratës me Koncesionarin për kartat e identitetit Në Komisionin për Siguri Kombëtare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të ‘Morpho’ dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. Me miratimin e këtij projektligji ndryshon vizualisht afati i vlefshmërisë të Kartave të Identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç. Parlamenti shqiptar ka miratuar ligjin nr. 89/2020, datë 09/07/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar”, i cili parashikon se Karta e Identitetit lëshohet pa afat për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç; Për rrjedhojë ka lindur detyrimi që të amendohet kontrata koncensionare duke parashikuar se Karta e Identitetit për shtetasit mbi moshën 75 vjeç është pa afat dhe te përcaktohet specimeni i kësaj karte.

Sekretarja e Përgjithshme, Elena Pici: Është ngritur një grup pune në Ministrinë e Brendshme i cili ka negociuar në mënyrë të vazhdueshme me Koncensionarin për të arritur në këtë amendim kontrate koncensionare, e cila nuk vjen me kosto për autoritetin. Të gjitha kostot e saj mbulohen nga ana e Koncensionarit.

Shtojca 24 e kontratës, parashikon se ky implementim nga ana e koncensionarit do të përmbushet brenda dy muajve nga miratimi i ndryshimeve të kësaj kontrate koncensionare me ligj. Pas plotësimit të afatit 2 mujor të gjithë shtetasit, të cilët kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe do të duan të kenë një kartë, e cila do të ketë afat vlefshmërie 50 vjet, mund të shkojnë ta rinovojnë atë.

Megjithatë nëse ata kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe sot zotërojnë një dokument, i cili është i vlefshëm nuk është e thënë që ata të shkojnë të aplikojnë, por në momentin që kjo kartë që kanë do t’ju skadojë do të plotësojë afatin 10 vjeçar dhe po themi do të jenë në moshën 82, 83 vjeç, atëherë nga ky moment do të shkojnë të aplikojnë dhe do të marrin një kartë pa afat.

Nuk kemi një shtyrje të kontratës koncensionare me kompaninë “Aleat”, kontrata aktuale koncensionare përfundon në 31 korrik të vitit 2023, dhe sigurisht që grupi i punës nuk ka patur ndonjë tagër të negociojë në asnjë formë shtyrjen e kësaj kontrate. Kështu që afati mbetet i njëjtë, por sjell në vëmendje të komisionit që vendimi nr. 338 datë 04.11.2020, Këshilli i Ministrave ka vendosur për përcaktimin e autoriteti kontraktues për të ndërmarrë dhe zhvilluar procedurat për dhënien me koncesion partneritet publik privat të shërbimit për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrikë të identitetit.

Pra, ka një vendim të Këshillit të Ministrave që do të ketë një grup tjetër, i cili do të negociojë për këtë kontratë koncensionare pas afatit të 31 korrikut 2023 kur përfundon kjo kontratë.

Pra, ndryshimet që po i bëjmë aktualisht kontratës koncensionare nuk sjellin në asnjë formë benefite për koncensionarin siç mund të jetë shtyrja e afatit të koncesionit.

Ndryshimi që ne po bëjmë është vetëm një ndryshim optik, dhe jo një ndryshim që do të sjellë ndryshime elektronike brenda kartës, siç është chip-i. Për rrjedhojë edhe çmimi që do të paguajnë qytetarët nuk ndryshon, vazhdon të jetë i njëjtë në vlerën 1,500 lekë. Kjo është bërë për faktin se në vitin 2023 do të përfundojë kjo kontratë koncensionare me cilindo që do të jenë ofertuesit e radhës, një ndër kriteret tona për kontratën e re që do negociohet, do të jetë edhe fakti që chip-i për kartat e qytetarëve mbi 75 vjeç të ketë një afat vlefshmërie më të gjatë.

Kompania është shprehur që nuk përbën asnjë problem për implementimin e këtij ndryshimi. Kompania ka firmosur amendimin e kontratës me të cilën ka marrë të gjitha kostot për ndryshimin e propozuar për kartat e shtetasve mbi 75 vjeç.

Ndryshimi i miratuar në Kuvend në korrik 2020 për kartat ID, parashikon se shtetasit shqiptarë mbi moshën 75 vjeç pajisen me një dokument ID pa afat. Pra ky ndryshim nuk ka sjellë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave ID që ata tashmë zotërojnë aktualisht.

Për këtë kategori shtetasish mbi 75 vjeç, të cilët mund të kenë rinovuar kartën ID duke filluar nga gushti 2020 e deri më sot, mund të themi se ngelet në diskrecionin e tyre për të aplikuar dhe marrë një kartë të re pa afat. Karta e tyre që kanë marrë gjatë kësaj kohe, ka një afat vlefshmërie 10-vjeçar. Por nëse duan një kartë të re, pa afat, atëherë duhet të riaplikojnë.