Tetori, Muaji Antitrafikim/Forume diskutimi e takime ndërgjegjësuese në gjithë vendin: "Bashkë mundemi! Bashkë luftojmë trafikimin!" - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/10/2020

Tetori, Muaji Antitrafikim/Forume diskutimi e takime ndërgjegjësuese në gjithë vendin: “Bashkë mundemi! Bashkë luftojmë trafikimin!”

Prej dy javësh, po vijojnë të zhvillohen forume diskutimi dhe takime ndërgjegjësuese në zbatim të kalendarit Kombëtar të Luftës kundër trafikimit të personave.

Qarku Berat, 10 takime

8 takime informuese me nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qarkut, ku nxënësit janë informuar rreth rreziqeve të trafikimit, formave të shfrytëzimit, mbrojtjes dhe mënyrave të raportimit. Gjatë takimeve janë prezantuar edhe punime të nxënësve me tematikë parandalimin e trafikimit.

1 takim me grup prindër, fëmijë dhe të rinj nga komunitetet vulnerabël. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e ndërgjegjësimit (me fokus të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë) mbi rreziqet që lidhen me trafikimin dhe në përpjekjet e përbashkëta që janë ndërmarrë për të ndihmuar familjet dhe personat në rrezik duke parandaluar trafikimin e tyre.

1 sesion informues me komunitetin rom dhe egjiptian me temë “Trafikimi i brendshëm dhe trafikimi për qëllim shfrytëzimin për punë”. Komunitetet u informuan rreth fenomenit të trafikimit dhe në një formë interaktive u zbuluan faktorët dhe rrethanat e trafikimit.

Qarku Dibër, 8 takime

4 takime sensibilizuese dhe informuese  me nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qarkut Dibër. Në takime, nxënësit u informuan mbi çështjen e trafikimit të fëmijëve, kuadrin ligjor dhe të drejtat e tyre, shkaqet dhe pasojat e trafikimit tek të rinjtë, si dhe me linjën Kombëtare falas 116006 me Aplikacionin “Raporto! Shpëto!

Takim sensibilizues me grupe (për shkak të situatës së COVID-19) të komunitetit Rom, në Peshkopi, organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e minoriteteve dhe Barazisë gjinore dhe Mbrojtjen e Fëmijëve pranë bashkisë Dibër. Në këto takime theksi u vu tek martesat e hershme, fëmijët në situatë rruge dhe ato që braktisin shkollat.

2 trajnime u zhvilluan me temë “Rritja e efektivitetit të sistemit të mbrojtjes, për një përgjigje sa më të mirë ndaj viktimave të trafikimit në Shqipëri”. U zhvillua trajnimi me punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë (punonjës të Policisë së Kufirit, Trafiqeve, oficerë të Policisë Gjyqësore), ku morën pjesë 15 pjesëmarrës. U zhvillua trajnimi me punonjës të Shërbimit Social Shtetëror, të inspektoratit shtetëror të punës, punonjës të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, administratorë socialë në bashki, ku morën pjesë 20 pjesëmarrës.

1 takim me anëtarë të Mekanizmit të Referimit të Dhunës në Familje pranë Bashkisë Dibër, në bashkëpunim  me Mekanizmin e Referimit të Dhunës në Bashkinë Bulqizë organizuan takimin e përbashkët të shkëmbimit të përvojave të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës në familje mes dy bashkive duke marrë shkas nga muaji tetor si muaji i “Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”. Në këtë takim, punonjësit e Bashkisë Dibër dhe Bashkisë Bulqizë ndanë eksperiencat e menaxhimit të rasteve të dhunës në familje, problematikat që shfaqen në menaxhimin e rasteve si dhe sfidat në të ardhmen.

Qarku Durrës, 4 takime

1 takim në Qendrën Komunitare Multifunksionale Nishtulla, në kuadër të muajit antitrafik gra dhe vajza vulnerabël të zonës së Nishtullës nisën trajnimin profesional për sanitare dhe kujdestare fëmijësh/moshuarish.

2 aktivitete ndërgjegjësuese u zhvilluan në Qendrën Komunitare Multifunksionale Nish Tulla, me gra të komunitetit rom dhe egjiptian të kësaj zone. 18 gra dhe vajza rome dhe jo-rome në vështirësi morën pjesë në takimet informuese dhe sensibilizuese për të drejtën e punës dhe diskriminimit gjinor në punë.

Në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” u zhvillua konkursi i pikturës me tematikë fenomenin e trafikimit. Ky aktivitet kishte një interes dhe pjesëmarrje masive të të gjithë nxënësve të shkollave të qytetit. Në këtë takim morën pjesë nxënës, prindër, mësues, psikologë të shkollave si dhe përfaqësues nga ZVA. Një Komision i ngritur me këtë rast vlerësoi me çmime disa piktura, të cilat do të marrin pjesë në konkursin kombëtar të organizuar nga Koordinatori Kombëtar Antitrafik.

Çmimi I         IRSA VILA                            Shkolla “Marie Kaculini”

Çmimi II        SANDRA KODRA               Shkolla “Neim Babameto”

Çmimi III       SUAMI BRAHO                   Shkolla “Bedrie Bebëziqi”

Qarku Kukës, 2 takime

2 takime ndërgjegjësuese janë zhvilluar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, me tematikë “Lufta kundër Trafikimit të Personave.

Qarku Tiranë, 4 takime

2 takime informuese me punonjës të policisë së Komisariatit Kavajë dhe Rrogozhinë. Qëllimi i këtyre takimeve informuese ishte forcimi i bashkëpunimit në kuadër të identifikimit, referimit dhe ri integrimit të viktimave /viktimave të mundshme të trafikimit bazuar mbi Procedurat Standarde të Veprimit.

2 sesione informuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Në këto sesione nxënësit u informuan rreth fenomenit të trafikimit duke zbuluar faktorët dhe sistemin mbështetës që ofrohet për viktimat e trafikimit, problemet që shqetësojnë më tepër komunitetin kryesisht në ri integrimin e viktimave të trafikimit në shoqëri duke marrë parasysh mentalitetin paragjykues.

Qarkun Lezhë, 7 takime

5 takime janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Formimit profesional Publik Shkodër, në Bashkinë Lezhë me përfaqësues të  Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Punësimit Lezhë, Shërbimit Social të Bashkisë Lezhë dhe DRSHKP Lezhë. Në këto takime është diskutuar mbi mundësinë e përfshirjes të shtresave në nevojë në formimin profesional, persona të skemës së ndihmës ekonomike, komuniteteve rom dhe egjiptian, me qëllim integrimin e tyre. Gjithashtu është diskutuar në lidhje me mundësinë e zgjerimit të formimit profesional në rajonin e Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Punësimit Lezhë.  U organizua dhe 1 takim online me përfaqësues të organizatës “Mary Ward Loreto”, në lidhje me përfshirjen e shtresave në nevojë, në formim profesional.

Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Shkodër zhvilloi në mjediset e saj, një takimi me përfaqësues të fondacionit “Ndihmë për fëmijët”  Lezhë,  në lidhje me përfshirjen e shtresave vulnerabil, veçanërisht të komunitetit Rom dhe Egjiptian në formim profesional.

U zhvillua një takim nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Lezhë, në Qendrën Shëndetësore Shënkoll, një takim sensibilizues me personelin mjekësor që mbulon me shërbim, njësinë administrative Shënkoll. Në këtë takim u diskutua mbi rolin e personelit mjekësor në identifikimin e viktimave të trafikimit, apo të mundshme për trafikim. Në takim morën pjesë 15 personel mjekësor (mjekë, infermier) i kësaj qendre. Në fund të takimit u shpërndanë rreth 30 fletëpalosje me mesazhet: “Bashkë mundemi” “Ndalojmë trafikimin”.

Një marshim sensibilizues në kuadër të ditës Evropiane të Luftës kundër trafikimit të Personave, nën kujdesin e nënprefektit Mirditë, Marie Dodaj, në bashkëpunim me Shërbimin Social të Bashkisë Mirditë, ZVA, organizatës “Mary Ward Loreto” dhe stafit të gjimnazit “Bardhok Biba” Rrëshen, u zhvillua një marshim sensibilizues me nxënës të këtij gjimnazi dhe trupës pedagogjike. Aktiviteti u konceptua në formën e ecjes në rrugët e qytetit me pankarta dhe vizatime të nxënësve me temë trafikimin. Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe rreth 200 fletëpalosje me mesazhe kundër trafikimit të personave.

Qarku Korçë, 1 takim

U zhvillua aktivitet në shkollën 9- vjeçare “Ismail Qemali” në qytetin e Korçës. Gjatë aktivitetit nxënësit shprehen interes për temën e trajtuar duke bere pyetje dhe diskutime. Janë respektuar protokollet e përcaktuara nga MSHMS për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

Peqin, aktivitet në Qendrën Kulturore të qytetit

Në Qendrën Kulturore të qytetit të Peqinit, në kujdesin e NjMF-së, u zhvillua aktiviteti ndërgjegjësues për luftën kundër trafikimit të personave. Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan, DRSHSSH Elbasan, shoqata “Tjetër Vizion”, ZVAP Peqin, DVP Peqin, N/Kryetari i Bashkisë Peqin, Drejtoria e Shërbimit Social në Bashki, si dhe nxënësit. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me rëndësinë e ndërgjegjësimit të personave mbi fenomen dhe të bashkëpunimit midis strukturave shtetërore dhe jo shtetërore për identifikimin, referimin, dhënien e shërbimeve dhe ri-integrimin e VMT ose VT. U shpërndanë fletëpalosje dhe maska me logon “Stop Trafikimit”. Nga të gjithë pjesëmarrësit u zbatuan masat mbrojtëse SARS COV 2.

 

Kukës, aktivitet i organizuar nga Bashkia

Në zbatim të kalendarit me aktivitete ndërgjegjësues për muajin Tetor Antitrafik, u zhvillua takim me nxënësit e shkollës “Avni Rustemi” të Bashkisë Kukës, me tematike ”Luftën kundër Trafikimit të Personave”. Takim u zhvillua duke zbatuar masat e Protokollit të Shëndetësisë për situatën e krijuar nga Covid-19. Ilmi Lisha në cilësinë e Kryetarit të TTAT-së pranë Prefektit të Qarkut Kukës, u tregoj nxënësve për angazhimin e Qeverise Shqiptare në luftë kundër fenomenit të trafikimit të Personave si dhe kërkoi nga ato që të jenë të kujdesshëm dhe të mund të kuptojnë që në fillimet e saj një rast kur shok apo shoqe mund të  jetë pre e trafikanteve dhe të lajmëroj menjëherë mësuesin e kujdestar dhe drejtorinë e shkollës për evidentimin e rastit dhe parandalimin e fenomenit të trafikimit në të gjithë shkollën. Në bashkëbisedim ishin të pranishëm psikologët e Njësisë së Shërbimit Psiko-Social pranë ZVAP-së Kukës, Shyqyrie Palushi dhe Eriona Kingji.

Cërrik, aktivitet i organizuar nga Bashkia

Në kuadër të muajit tetor të nominuar si “Muaji i luftës kundër trafikimit të personave “, të “Planit të Aktiviteteve për muajin tetor 2020 , për Qarkun Elbasan” nga Bashkia Cërrik (Drejtoria e Shërbimit Social në bashki), në qendër të qytetit u organizua një aktivitet ndërgjegjësues në lidhje luftën kundër trafikimit të personave. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, nga shoqata “Tjetër Vizion”, nga Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Cërrik. Qëllimi i aktivitetit ishte ndërgjegjësim i qytetarëve në lidhje me format e trafikimit, rëndësinë e denoncimit të rasteve, ndihmën që i ofrohet VMT ose VT.  Për qytetarët u shpërndanë fletëpalosje informuese dhe maska me logo “Stop Trafikimit”.

Gramsh, aktivitet i organizuar nga Bashkia

Në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Rilindja”, u organizua një aktivitet ndërgjegjësues në lidhje luftën kundër trafikimit të personave. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, nga shoqata “Tjetër Vizion”, punonjësja e NJMF-së së Bashkisë Gramsh. Nxënësit kishin përgatitur materiale sensibilizuese si: postera, ese, poezi, dramatizim të shkurtër në lidhje me fenomenin e trafikut të qenieve njerëzore.

Has, aktivitet i organizuar nga Bashkia

U zhvillua aktiviteti ndërgjegjësues në kuadër të muajit Antitrafik në shkollën e mesme “Skënderbeu” Krume, bashkia Has. Nënprefekti i Hasit Selman Geca në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Para-universitare Has përfaqësuar nga Blerta Ahmati dhe stafi pedagogjike, organizuan takimin me mësues dhe nxënës të klasave të 11-ta. Në takim folën për Luftën Kundër Trafikimit të Personave dhe  rëndësinë e kësaj fushate.

Elbasan, aktivitet i organizuar nga Oficeri i Sigurisë

Në drejtimin e oficerit të sigurisë në shkolla u organizua një aktivitet ndërgjegjësues në gjimnazin “Vasil Kamami” Elbasan. Të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Elbasan, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, anëtarët e qeverisë së nxënësve. Nxënësit kishin përgatitur materiale sensibilizuese dhe ato i kanë drejtuar pyetje përfaqësuesve të institucioneve të pranishëm, në lidhje me fenomenin e trafikimit të personave, procedurat që ndiqen nga institucionet për verifikimin e rasteve të VMT ose VT dhe ndihma dhe shërbimet që ofrohen prej tyre për ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Tropojë, aktivitet i organizuar nga Bashkia

Në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” në Bashkinë Tropoje. Nxënësit zhvilluan një ore të hapur me tematike “Luftën kundër Trafikimit te Personave” .Ne takim morën pjesë në këtë aktivitet Ilmi Lisha Kryetar i TTAT, Selman Geca dhe Granit Kurmekaj, nënprefekt të rretheve Has e Tropojë, përfaqësuesja e Drejtorisë Rajonale Shërbimit Social Kukës Elda Lushaj, përfaqësues të Bashkisë Tropojë, Përfaqësuesja e shoqatës “Mary Ward Loreto” si dhe të ftuar të tjerë mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.

Përrenjas, aktivitet i organizuar nga Bashkia

Në Bashkinë Përrenjas në kujdesin dhe drejtimin e NjMF-së, në sallën e kinemasë së qytetit të Përrenjasit, u organizua aktiviteti ndërgjegjësues në lidhje luftën kundër trafikimit të personave. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror,  përfaqësues nga shoqata “Tjetër Vizion”, punonjësja e NJMF-së së Bashkisë Përrenjas, nxënës të shkollave etj. Në sallë u ekspozuan punime të nxënësve në lidhje me temën e trafikimit të personave, u shfaq një video sensibilizuese.