Interpelanca në Kuvend/Ministri Lleshaj: Shqipëria ka sot situatën më të mirë të rendit dhe të sigurisë publike në historinë e saj. SHIFRAT - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/10/2020

Interpelanca në Kuvend/Ministri Lleshaj: Shqipëria ka sot situatën më të mirë të rendit dhe të sigurisë publike në historinë e saj. SHIFRAT

Duke iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit për një interpelancë në lidhje me situatën e sigurisë në vend dhe luftën kundër fenomeneve kriminale, ministri Lleshaj u është përgjigjur disa pyetjeve të drejtuara nga deputeti i opozitës z.Maliqi. Ai theksoi se vendi aktualisht po kalon situatën më të mirë në shifra sa u përket treguesve kryesorë, të tilla madje të krahasueshme me vendet e BE-së. Lleshaj përmendi gjithashtu rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit duke nënvizuar se ku fenomen tashmë po shkon drejt çrrënjosjes.

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i opozitës, Lefter Maliqi:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Në fakt unë u përgatita me shkrim, ndryshe nga z.Maliqi që është kampion i verbalizmit, por mesa shoh unë jam përgatitur për 20 minuta, ndërsa koha qenka 10, kështu që më duhet të improvizoj gjatë fjalës; do t’i bëj shkurtim.

Së pari, më erdhi mirë që z.Maliqi u prezantua këtu si ekspert dhe jo si politikan në lidhje me këtë eksperiencë dhe shpreh keqardhjen që ky ekspert i ka humbur Policisë së Shtetit. Do të ishte mirë që të kishit qendruar për ta pasuruar dhe për ta rritur performancën e saj. Nuk kishit pyetje, edhe në interpelancën e kërkuar me shkrim nuk kam marrë pyetje, kam marrë disa çështje, të cilat, po të filloj t’i trajtoj, më duhen nja 6 vjet, sepse janë aq të gjera.

Megjithatë do të fokusohem në dy gjëra kryesore:

E para, në çështjet e sigurisë në vend, të cilat ju i konsideroni shumë të rënda. Po e filloj me një fjali të thjeshtë: Shqipëria nuk përjeton një situatë të rëndë të krimit, përkundrazi ajo ka sot situatën më të mirë të rendit dhe të sigurisë publike në historinë e saj. Vetëm sa për shembull, sepse nëse nuk i referoheni asgjëje, do të fantazoni siç edhe ndodh. Shqipëria numëron 1,7 vrasje për çdo 100 mijë banorë, ndërkohë që BE në mesataren e tij ka 1,2. Në vitin 2012 Shqipëria numëronte 126 të vrarë në një vit. Në vitin 2019 Shqipëria ka numëruar 58. 334 persona e kanë humbur jetën në aksidente në vitin 2012, ndërsa 227 e kanë humbur në vitin 2019.

Unë këto tregues nuk i jap për të sfiduar askënd. Me këto nuk dua të mohoj as ngjarjet e rënda kriminale sa herë që ato tronditin qytetarët e këtij vendi. Me këto vetëm sa dua të ftoj seriozisht, ata që vërtetë e kanë seriozisht shqetësimin për sigurinë e vendit, që të mundohen për të kuptuar tendencën. Cila është tendenca e kriminalitetit në Shqipëri? Kush do, kush ka sy është i ftuar ta shohë! Është fakt që nuk mund të diskutohet, se të gjithë treguesit negativë të sigurisë në vend janë në rënie të panjohur më parë. Ruajtja e këtyre tendencave është edhe sfida më e madhe, dhe objektivi ynë kryesor. Është fakt se niveli i goditjes dhe i zbulueshmërisë së ngjarjeve të rënda kriminale është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Frazat standarde për ikje në drejtim të paditur dëgjohen përherë e më rrallë, ndërkohë që shumë lëmshe të ngatërruara ndër vite, të krimit, po zbërthehen përditë me një ritëm inkurajues. Por siguria ka edhe një dimension tjetër, ajo përkufizohet edhe si mungesa e frikës. Pra qytetarët janë të sigurt, atëherë kur ata e ndiejnë veten të sigurt dhe nuk ndiejnë frikë. Edhe në këtë dimension situata është inkurajuese. Sipas një vlerësimi të pavarur, të kryer për llogari të qeverisë suedeze, nga një institucion prestigjioz, 75 % e qytetarëve të Shqipërisë sot mendojnë se jetojnë në një vend të sigurt, madje ndihen të sigurt edhe kur udhëtojnë natën dhe të vetëm në rrugët e qyteteve apo të fshatrave të Shqipërisë.

Ndaj e gjej me shumë rëndësi të refuzoj përpjekjet për të krijuar artificialisht një psikozë pasigurie, në një kohë që niveli i sigurisë në vend është më i miri që kemi patur në këto dekada, ndonëse ende larg pritshmërive të qytetarëve dhe ambicieve tona.

Pse kemi mbërritur në këtë situatë?! Për arsye se është luftuar fort krimi në të gjitha dimensionet e tij, duke filluar me krimin e organizuar. Janë shtuar kapacitetet në luftën kundër krimit, janë shtuar njësitë e specializuara në luftën kundër tij dhe për rrjedhojë kemi arritur në këto rezultate inkurajuese.

1700 punonjës të rinj policie janë shtuar në harkun e këtyre dy mandateve të qeverisë Rama, ndërkohë që 700 prej tyre janë shtuar vetëm në një vit e gjysmë të fundit. Po ashtu një numër i madh njësish të reja.

Operacioni Forca e Ligjit, i cili po punon për të adresuar dhe për të goditur pasuritë dhe financat e krimit po punon me intensitet të lartë. Deri tani 1105 pasuri kriminale, prej të cilave 582 pasuri të paluajtshme, 173 aktivitete tregtare, 11 llogari bankare, janë referuar në Prokurorinë e Posaçme dhe 219 pasuri janë sekuestruar ndërkohë gjatë këtyre muajve me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndërkohë që mbi 1000 presin radhën e vendimmarrjes.

Duhet mbajtur parasysh diçka, në të gjitha këto raste bëhet fjalë për persona të dënuar më parë për vepra kriminale, të cilët kishin bërë edhe dënimin penal dhe e konsideronin të mbyllur llogarinë me drejtësinë shqiptare. Ndërkohë që kanë hapur një llogari të re, llogarinë e pasurisë.

Edhe Komisioni Europian e sheh dhe e vlerëson nivelin e angazhimit tonë në luftën kundër krimit. Në raportin e tij të fundit, të publikuar para pak ditësh theksohet se, citoj: “Rezultate të mëtejshme, të prekshme u arritën në luftën kundër krimit të organizuar. Bashkëpunimi policor me shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe EUROPOL u intensifikua më tej, duke çuar në operacione të suksesshme të zbatimit të ligjit, në shkallë të gjerë dhe arrestimin e anëtarëve famëkeq të grupeve të organizuara kriminale.

Një numër akt-akuzash dhe dënimesh të rëndësishme gjithashtu, ndodhën duke përfshirë udhëheqësit e grupeve të mëdha kriminale, të organizuara. Për drogat e forta kokaina, heroina, Shqipëria kreu operacione policore të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë në bashkëpunim me autoritetet policore të vendeve fqinje, bashkëpunimi i shtuar me autoritetet e zbatimit të ligjit me shtetet anëtare të Bashkimit Europian solli rezultate të prekshme”.

Të nderuar deputetë,

Shqipëria sot nuk ka ndonjë njollë të rrezikshme, as Tirana nuk ka ndonjë njollë të rrezikshme ku nuk rekomandohet kalimi. Ndërkohë që të tilla njolla ka në shumë qytete të Europës e më gjerë.

Është pa dyshim meritë e qytetarëve shqiptarë që dinë se si ta mbajnë sigurinë e tyre, por në të njëjtën kohë është një kontribut i rëndësishëm në këtë, i Policisë së Shtetit dhe i mirëqeverisjes.

Me gjithë përpjekjen sistematike të disa segmenteve politikës dhe të medias përkatëse, për të mbajtur të gjallë një psikozë artificiale të krimit të shtuar në vend, realiteti flet për të kundërtën. Do të kërkoni më kot ndonjë model të ngjashëm në botën normale si ky yni, ku një mori mediash sociale e grupimesh politike, praktikisht jetojnë vetëm me kronikën e zezë të vendit, duke e kthyer atë në temën qendrore të komunikimit publik.

Tri herë më i lartë, pra 300 % më i lartë është numri i vrasjeve në Letoni se sa në Shqipëri dhe Letonia është një vend i Bashkimit Europian. Sipas Eurostat i ka 5,2 % për 100 mijë banorë.

Dy herë më i lartë ose 200 % më i lartë është ky numër në Lituani, që është një tjetër vend baltik, nordik po deshët. Më i lartë se në Shqipëri është ky tregues dhe për disa vende të tjera të Bashkimit Europian, e megjithatë atje kronika e zezë nuk zë ballinat, por margjinat e komunikimit publik.

Dhe jo vetëm kaq. Drejtimi i gishtit vetëm te Policia, për çdo delikt të këtij vendi është, në rastin më të mirë, dashakeqësi. Në kriminologji pranohet përkufizimi se krimi është një fenomen social dhe jo një produkt policor. Krimi është një fenomen social dhe përballë tij kanë detyra të gjithë, politika, shumica, pakica, media, shkolla, religjionet, institucionet, biznesi, prokuroria, gjykatat dhe pa dyshim policia. Por është e pandershme që ata që në darkë shijojnë me koshiencë paratë e ardhura nga djemtë që u merren me drogë, në mëngjes të mallkojnë policinë për rrugën e mbrapshtë që u kanë dhënë vetë atyre.

Policia nuk mund të vihet vetëm dhe as të shndërrohet në tabelën e qitjes për zbrazjen e të gjithë mllefeve apo frustrimeve të akumuluara. Ne na duhet mbështetje politike për Policinë kundër krimit dhe jo politikë mbi krimin kundër policisë. Aq më tepër, keqpërdorimi i ngjarjeve kriminale për të ndërtuar slogane, apo teza elektorale, është thjeshtë i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.

Po citoj një deklaratë të një partie politike para disa ditësh: “Dy të rinj u ekzekutuan në Malësi të Madhe për shkak të trafikut të drogës. 25 prilli, – vazhdon deklarata – është dita që Edi Rama dhe qeverisja kriminale e tij të lajë një herë e mirë borxhin dhe hakun e dhimbjes që u ka shkaktuar shqiptarëve dhe familjeve të tyre”, mbyll citimin. Ja kështu, shprehej para disa ditësh në ligjëratë të drejtë një zëdhënës i opozitës. Është për fat të keq para-politikë, në rastin më të mirë përdorimi i krimit si argument elektoral. Ky është një ngatërrim fatal dhe i papranueshëm dhe aq më keq tingëllojnë këto argumente në gojën e atyre që janë autorët përgjegjës për shifrat tronditëse të krimit në periudhën e qeverisjes së tyre.

Nëse e kanë të pamundur të bëhen pjesë e përpjekjes së përbashkët për zgjidhje, të paktën duhet të heshtin, sepse ata që janë djegur njëherë, nuk mund të jenë më alternativë. E thotë një poet i madh që: “Kush është djegur, s’mund të ndizet më”.

Sa i përket situatës me trafikimin e lëndëve narkotike ju them përsëri që ka pasur lodhje të mëdha sivjet në Shqipëri për të shkrepur ndonjë fotografi, apo ndonjë video në malet dhe fushat e Shqipërisë. Janë harxhuar edhe para, përpjekje, më kot.  Mezi janë arritur të shkrepen nja dy foto për disa bimë. Tashmë kanë filluar që të paraqesin në media foto dhe video të marra nga policia në kuadër të operacioneve policore. Por cila është e vërteta për kanabisin në Shqipëri sot? Viti 2020 shënoi një tjetër vit të përshkallëzimit të suksesshëm të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vendin tonë. Fenomeni i kanabisit në Shqipëri ka marrë goditje shkatërrimtare, tashmë në vend nuk mund të flitet më për një fenomen, por vetëm për tentativa të izoluara për kultivim apo trafikim.

Cilat janë provat për këtë?!

Së pari, operacionet e gjera të monitorimit të zhvilluara në bashkëpunim me Guardia Di Finanza kanë treguar se tentativat për kultivim janë përqendruar në zona të thella dhe në sipërfaqe të vogla.

Së dyti, me gjithë volumin e madh të monitorimit dhe të operacioneve policore në terren, sasitë e kapura dhe të asgjësuara janë në nivelet më të ulëta historike.

Së treti, sasia e kanabisit të kapur në Itali dhe në Greqi, të cilët kanë qenë destinacionet kryesore për këtë veprimtari kriminale, kanë mbërritur në nivelet më të ulëta historike.  1.4 ton janë kapur në brigjet italiane në vitin 2019, ndërkohë që në vitin 2020 deri tani janë kapur vetëm 900 kilogram. Këto shifra e dëshmojnë shkatërrimin e këtij trafiku kriminal, i cili përgjatë viteve të lulëzimit të tij arrinte nga 30 deri në 60 ton të kapura në brigjet e Italisë me origjinë nga Shqipëria. Pra nga 60 ton kemi mbërritur në 900 kg. Dhe ju vini kujën për “kanabizim” të vendit. Jo, e kundërta është e vërtetë. Vendi është çkanabizuar dhe fenomeni është shkatërruar.

Së katërti, çmimi i kanabisit në tregun kriminal ka arritur nivelet më të larta historike. Duke provuar qartazi një ulje të panjohur më parë të prodhimit dhe të ofertës së kësaj lënde në tregun kriminal.

Pas gjithë këtyre treguesve të suksesshëm qëndron një punë e madhe e Policisë së Shtetit, SHÇBA-së, Prokurorisë, bashkëpunimi me Guardia di Finanza dhe partnerëve ndërkombëtarë të tjerë.

Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit para pak ditësh, e sheh këtë që ju nuk keni arritur ta shihni akoma ose që s’doni ta shihni. Duke thënë, citoj, si më poshtë: “Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që ka lejuar një mekanizëm monitorimi shumë ndërhyrës, nga një vend i tretë, që prej vitit 2013”. I vetmi vend që lejon monitorim, do të them që nuk është i vetmi vend në rajon ku prodhohet kanabis, por jemi i vetmi vend që nuk fshehim asgjë dhe kemi ekspozuar çdo cm2 të territorit, për vëzhgues të tretë, për monitorë të tretë të pavarur, në mënyrë që të na jepet një këndvështrim i pavarur. “Për drogat e forta – po vijoj citimin, – kokainë dhe heroinë, Shqipëria kreu operacione policore të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë, përfshirë bashkëpunim me autoritetet policore të vendeve fqinje”.

Është e qartë se pas suksesit të pamohueshëm qëndron një përpjekje e madhe. Për vitin 2020 janë bërë përpjekje për të goditur një numër të madh autorësh të veprave penale. 106 hetime pro-aktive janë bërë në vitin 2020 në fushën e kultivimit të kanabisit, nga 4 që janë bërë në vitin 2013. Katër… dhe 106 janë sot.

Rezultat i kësaj është goditja e një numri të madh, penalizimi i një numri të madh zyrtarësh publikë të cilët kanë përgjegjësi për kontrollin e territorit. 195 zyrtarë janë proceduar këtë vit, nga 178 të proceduar një vit më parë dhe nga zero të proceduar në kohën tuaj “të artë”, kur kanabisi ishte patentë shtetërore.

Drejtoria e Standardeve të Policisë së Shtetit ka marrë masa për të goditur paligjshmërinë brenda radhëve të saj. 58 masa ka dhënë kjo drejtori, nga përjashtimet nga radhët e policisë deri te masat më të lehta për këtë vit.

Ndërkohë që në të njëjtën mënyrë, SHÇBA-ja ka intensifikuar punën për të goditur veprimtarinë e parregullt, shpërdorimin e detyrës apo paligjshmërinë brenda radhëve të policisë. Gjatë vitit 2019 janë proceduar 76 punonjës policie për kanabisin. Ndërkohë që 64 janë proceduar për vitin 2020. Dhe për jo pak syresh ka pasur masa sigurimi nga gjykata; 15 për vitin 2019 dhe 6 për vitin 2020.

Të nderuar deputetë,

Unë deklaroj me përgjegjësi të lartë se angazhimi i gjithanshëm i Policisë së Shtetit në bashkëpunim, shumë herë më të mirë, me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe me partnerët ndërkombëtarë, është një garanci e fortë se lufta kundër krimit të organizuar do të njohë një përshkallëzim dhe sukses të mëtejshëm dhe se parametrat e rendit dhe sigurisë publike në vend, do ta vijojnë tendencën e përmirësimit të mëtejshëm të tyre.

Në të njëjtën kohë unë besoj se mbështetja e qeverisë, e parlamentit dhe e publikut për Policinë e Shtetit dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit të drejtësisë, do të vijojnë të shoqërojnë punën e tyre për një rend dhe siguri të standardeve të larta në Shqipëri. Faleminderit.

 

Replika e ministrit Lleshaj gjatë interpelancës me deputetin Maliqi:

Dola këtu dhe lexova në respekt të atyre që dëgjojnë, sepse e konsideroj shenjë respekti përgatitjen përpara një eventi të tillë, një interpelancë dhe shenjë përgjegjësie. Jo se kam harruar të flas z. Maliqi, sepse edhe në ndërhyrjen e dytë prapë u mundova të kap ndonjë gjë. Të shënoj ndonjë gjë çfarë the. Por vështirë të kapësh një linjë sepse nuk ke linjë. Je aq kreativ saqë nuk kapesh dot. Nga makina tek kanabisi, tek Rrësheni, tek ku di unë se çfarë. E meqë ma përmende Rrëshenin, besoj që Rrëshenin e njeh mirë. Ke shërbyer disa kohë atje, të palavdishme. Dhe uroj që historitë e Rrëshenit të mos të bëhen asnjëherë publike, sepse do t’ju frenojnë daljen këtu në këtë foltore, nëse do të dihen ashtu siç i di unë.

Meqenëse ra fjala tek vettingu, ju si ish-punonjës i Policisë së Shtetit keni një fat të madh, keni mundësinë të përfitoni një vetting gratis (falas), sepse për ish-punonjësit e Policisë së Shtetit ligji parashikon që mund ta bëjnë vettingun dhe mund të certifikohen për t’u thënë shqiptarëve se kush jemi. Sepse po flasim personalisht. E keni këtë mundësi dhe ju rekomandoj ta bëni një vetting në mënyrë që t’ju thoni shqiptarëve përse jeni larguar dy herë nga Policia e Shtetit dhe cilat kanë qenë arsyet.

Sa i përket çështjeve të tjera që ishin të panumërta, unë do t’ju them vetëm kaq, që shifrat dhe treguesit objektivë janë ata që na bëjnë realë edhe të besueshëm. Për të bërë hartime dhe për të treguar fantazinë mund të dalë kushdo këtu. Unë do të them kaq, vetëm se shifrat që janë prezantuar, i kemi prezantuar të shkruara për të qenë të verifikueshëm, për efekt përgjegjësie. Se fjalët i merr era, e shkruara mbetet dhe prandaj e kam shkruar interpelancën për të qenë të kapshëm publikisht, nesër, pasnesër, kurdo.  Këto janë shifrat dhe sfidoj me shifra, sfidoj me dokumente dhe jo me hartime. Faleminderit!