Ceremonia për dhënien e bursave nga disa universitete, për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në detyrë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/10/2020

Ceremonia për dhënien e bursave nga disa universitete, për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në detyrë

Ceremonia për dhënien e bursave nga disa universitete, për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në detyrë

Ministri Lleshaj: Faleminderit që jeni bashkuar për të përkrahur iniciativën e Fondacionit “Gjurmë” dhe të universiteteve për të mbështetur këtë kategori djemsh dhe vajzash.

Ministri Lleshaj: Të marrësh përsipër një amanet të lënë për gjysëm nga prindërit e këtyre djemve dhe vajzave është një gjë e madhe.

Ministri Lleshaj: Ne duhet të mbështesim fëmijët e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, edhe të atyre që janë në detyrë.

Ministri Lleshaj: Ne duhet të mobilizojmë burime, fonde, për të krijuar mundësi që fëmijët e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të kenë një dorë, që t’i mbështesë

Në ceremoninë e zhvilluar në Murin e Yjeve, pranë Ministrisë së Brendshme, ku u dhanë bursat për disa nga fëmijët e punonjësve të Policisë së rënë në detyrë, ministri Lleshaj shprehu falënderimet e rastit për universitetet dhe theksoi se Fondacioni “Gjurmë” duhet të zgjerojë sferën e angazhimeve edhe për fëmijët e punonjësve të policisë që janë në detyrë. Lleshaj tha se Ministria e Brendshme dhe Policia do të mbështesë me prioritet dhe fort punën e Fondacionit “Gjurmë” në mënyrë që të rritet performanca e tij. Ai inkurajoi Fondacionin, që t’i shtojë radhët e veta, duke pranuar edhe fëmijë të punonjësve të Policisë, sot aktivë në detyrë, pasi sipas tij, nga fuqizimi do të shtohen edhe kapacitet e fondacionit, do të shtohen idetë, do të shtohen mundësitë, do të shtohet ekspertiza.

VIDEO – Fjala e plotë e Ministrit Lleshaj:

Faleminderit që jeni bashkuar në këtë ceremoni të thjeshtë, por simbolike, për të përkrahur iniciativën e Fondacionit “Gjurmë” dhe të universiteteve, që kanë gjetur mundësinë për të mbështetur këtë kategori djemsh dhe vajzash, që kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë në tërësi.

Këtu mbrapa janë disa yje, janë 224 yje, që përfaqësojnë 224 punonjës të Policisë së Shtetit, që e kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Kanë bërë gjithçka, por diçka kanë lënë mangët. Kanë lënë mangët një detyrë shumë të madhe, përkrahjen për fëmijët e tyre. Të gjithë ata që vazhdojnë ose marrin përsipër një detyrë të pakryer të këtyre burrave që dhanë jetën për ne, bëjnë diçka të shenjtë. Të marrësh përsipër një detyrë të pakryer, të marrësh përsipër një amanet të lënë përgjysmë nga prindërit e këtyre djemve dhe vajzave është një gjë e madhe. Është një gjest jo vetëm simbolik por është marrja e një përgjegjësie të madhe shoqërore.

Ndaj unë gjej rastin t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë universitetet, që janë bërë pjesë e kësaj iniciative prej vitesh, por meqenëse sot u përmendën emrat e tyre, unë dua vetëm t’i ri-përsëris edhe njëherë emrat: Universiteti “Mesdhetar”, “Universiteti Europian i Tiranës”, “Kolegji Universitar i Biznesit”, Universiteti “Beder”, “Albanian University”, “New York University”, “Marin Barleti” dhe “Epoka”, të cilët, siç thashë me këtë gjest, marrin përsipër një amanet të lënë përgjysmë.

Bëjnë pikërisht atë gjë, të cilën ata burra që shkuan në amshim për ne, nuk arritën ta bëjnë. E vetmja gjë që lënë mangët është përkujdesja ndaj fëmijëve të tyre. Ndaj është detyrë e jona, e gjithë shoqërisë që të kujdesemi për fëmijët e atyre që nuk e kanë prindin. E për këtë arsye nuk mjaftojnë fjalët për t’u thënë faleminderit, jo thjeshtë për vlerën absolute të përkrahjes, por për gjestin dhe mesazhin shoqëror që ne duhet të përcjellim te shoqëria jonë, te të gjithë ata, gjithë kjo kategori sociale, e cila është goditur më rëndë se kushdo.

Ne nuk mund ta zëvendësojmë kurrë babanë e munguar këtyre djemve dhe vajzave por ne mund të bëjmë diçka që babai i tyre do të kishte dashur ta bënte vetë. E në pamundësi për ta bërë vetë, e bëjmë ne dhe bëjmë diçka të jashtëzakonshme, të domosdoshme.

Po ashtu gjej rastin ta përshëndes Fondacionin “Gjurmë”. Është një fondacion i sapokrijuar por që ka nevojë për mbështetje; është një fondacion që përbëhet nga djem dhe vajza të punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët kanë rënë në detyrë; që janë në hapat e para të këtij rrugëtimi të madh; dua ta përshëndes dhe ta inkurajoj për ta vazhduar këtë mision të rëndësishëm.

Jo vetëm për të mbështetur, të themi, sivëllezërit e vet, fëmijët e policëve të rënë në detyrë, jo vetëm për këtë, sepse kjo do të ishte pak, se ne shpresojmë që numri i djemve dhe vajzave, që e kanë humbur babanë në detyrë, të mbetet ky, mos të rritet kurrë! Ne shpresojmë dhe punojmë përditë që yjet në këtë murin mbrapa mos të shtohen kurrë.

Por nga ana tjetër ne besojmë fort që ky fondacion duhet ta zgjerojë misionin e vet, se ne duhet të mbështesim jo vetëm fëmijët e punonjësve të policisë që kanë rënë në detyrë, se kjo do të ishte vetëm një pjesë e punës sonë, e përgjegjësisë sonë; ne duhet të mbështesim fëmijët e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, edhe të atyre që janë në detyrë. Sepse edhe këta që janë në detyrë, nuk e kanë mundësinë, as kohën t’u kushtohen plotësisht fëmijëve të tyre. Për arsye se edhe këta mungojnë. Ndoshta këta nuk mungojnë përjetësisht, por mungojnë shumë kohë, një pjesë të madhe të kohës. Pjesën më të madhe të kohës mungojnë në familjet e tyre, mungojnë pranë fëmijëve të tyre për arsye se janë të angazhuar në detyra. Janë përditë në detyrë, në rrugë, në kufi, në sheshe, në komisariate, në male, në fusha të Shqipërisë, kudo ku qytetarët kanë nevojë për shërbim, për mbrojtje, për siguri. Ndaj ne, shoqëria në tërësi duhet të përpiqemi ta zëvendësojmë, ta kompensojmë mungesën e këtyre oficerëve dhe punonjësve të policisë pranë familjeve të tyre, pranë fëmijëve të tyre. Si? Duke i mbështetur, si në të gjithë botën.

Ne duhet të mobilizojmë burime, fonde, për të krijuar mundësi që fëmijët e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të kenë një dorë, që t’i mbështesë. Ta kenë mundësinë e një burse, një gjysmë burse, një inkurajimi tjetër, me qëllim që edhe ata të mos rriten gjysmë jetimë. Sepse një pjesë e tyre rriten gjysmë jetimë, për shkak të kësaj mungese, që sapo thashë, që është pjesë e profesionit.

Por ne na duhet, dhe ndaj e inkurajoj Fondacionin “ Gjurmë”, që t’i shtojë radhët e veta, duke pranuar brenda edhe fëmijë të punonjësve të policisë, që janë sot aktivë në detyrë. Se nga fuqizimi, do të shtohen edhe kapacitet e fondacionit, do të shtohen idetë, do të shtohen mundësitë, do të shtohet ekspertiza, edhe për të arritur të zgjerojnë kontaktet, të aplikojnë për projekte, të marrin mbështetje financiare.

Dua t’ju garantoj që Ministria e Brendshme, në kuadër të punës që po bën për administrimin e aseteve që grumbullohen për shkak të veprimtarisë antikrim, pra të aseteve, që rezultojnë nga sekuestrimet nga konfiskimet e pasurive kriminale, – të mbështesë me prioritet punën e Fondacionit “ Gjurmë”. Dhe do t’ju mbështesim fort, nëse ju do të jeni në gjendje të performoni siç duhet. Me profesionalizëm, me korrektesë, me ndershmëri, me besë, ndaj amanetit të prindërve tuaj, ndaj amanetit dhe ndaj angazhimit të çdo punonjësi policie që kryen detyrën në këtë vend.

Duke përfunduar ju falënderoj edhe një herë të gjithëve, universitet që janë bërë pjesë e këtij projekti dhe këtij angazhimi, Fondacionin “Gjurmë”, gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët përveçse të kryejnë një detyrë të rëndësishme, vazhdojnë të mbeten shumë solidarë, duke dhënë një shembull të mirë solidariteti.

Vetëm para pak ditësh patëm një rast, që vetë punonjësit e policisë mbështetën një kolegun e tyre për ta çuar jashtë shtetit për trajtim, për arsye të gjendjes së rëndë, pas infeksionit me “Covid-19”. Pra kjo frymë solidariteti duhet të mbahet gjallë, duhet të ushqehet dhe duhet të zgjerohet. Me këtë rast ftoj jo vetëm universitetet e nderuara, që janë bërë pjesë e këtij projekti dhe fondacioni, por të gjithë shoqërinë që të mbështetet me këtë iniciativë shumë të rëndësishme solidariteti. Faleminderit!

Suksese të gjithë atyre që janë mbështetur me bursa!