Tetori, Muaji Antitrafik - Aktivitete sensibilizuese e ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore #Bashkëmundemi - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/10/2020

Tetori, Muaji Antitrafik – Aktivitete sensibilizuese e ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore #Bashkëmundemi

Ministria e Brendshme në kuadër të Muajit Antitrafik (muaji tetor), e në vijim të një tradite pozitive të krijuar ndër vite, lançon fillimin e këtij muaji ndërgjegjësues, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin lidhur me luftën kundër trafikimit të personave.

KALENDARI I AKTIVITETET PËRGJATË MUAJIT TETOR 2020 – Kliko

Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, aktivitetet ndërgjegjësuese do të jenë më të reduktuara dhe do të zhvillohen duke respektuar të gjitha protokollet shtetërore lidhur me parandalimin e këtij virusi.

Fushatat ndërgjegjësuese do të zhvillohen përgjatë këtij muaji në një bashkëpunim dhe ndërveprim të përbashkët mes institucioneve shtetërore dhe organizatave partnere, të cilat do të organizojnë në 12 qarqet e vendit, aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, si një nga format më të renda të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Trafikimi është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e kujtdo.

Edhe në këtë vit të vështirë, kemi përballë një sfidë tjetër atë të luftës kundër trafikimit online gjatë pandemisë së Covid-19, e cila është përhapur në mbarë botën.

Nën sloganet #Bashkëmundemi #Bashkëluftojmëtrafikimin të gjithë së bashku kemi detyrimin qytetar, shoqëror dhe institucional të mendojmë për të gjitha viktimat e trafikimit, të cilat janë shfrytëzuar dhe trafikuar, të sjellim në vëmendje punën që bën secili nga ne për të luftuar trafikimin, të ngremë zërin për çdo rast shfrytëzimi apo abuzimi dhe, së bashku të ndihmojmë këdo që ndodhet në rrezik.