Deklarata/Ministri Lleshaj: Në Shqipëri po zbatohet projekti për sistemin funksional të adresave, nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/09/2020

Deklarata/Ministri Lleshaj: Në Shqipëri po zbatohet projekti për sistemin funksional të adresave, nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët

VIDEO – DEKLARATË PËR MEDIAT E MINISTRIT TË BRENDSHËM SANDER LLESHAJ:

Mirëdita,
nga disa media, të cilat nuk mbajnë ndonjë marrëdhënie të veçantë me të vërtetën, këto ditë kanë filluar tentativat për të ngjizur një rrenë të re. Sipas tyre, paska filluar një proces i ndryshimit arbitrar të qendrave të votimit për votues të së djathtës.
Autorët e këtyre mashtrimeve të reja publike kanë përdorur si gjithmonë kartën e tyre të vjetër teknologjike, që është paketimi pa asnjë lidhje të një rrene me një të vërtetë.

Kush është rrena? Është gënjeshtër e plotë lajmi se janë ndërruar arbitrarisht qendrat e votimit të qytetarëve. Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë u ndodh vetëm votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit.

Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do të kenë mundësinë të verifikojnë këtë të vërtetë fare të thjeshtë. Kjo është e vetmja e vërtetë për këtë trillim të turpshëm mediatik. Por siç thashë në krye të herës, trilluesit e lajmit e kanë përdorur të gjithë teknologjinë e tyre të mashtrimit duke e paketuar gënjeshtrën me një tjetër të vërtetë. Pak a shumë sipas logjikës se, nëse nuk ka diell tani, dikush e ka vjedhur atë!
Në fakt është e vërtetë se ndoshta tani nuk ka diell, por kjo nuk do të thotë se atë e ka vjedhur dikush.

Nga verifikimet paraprake të pretendimeve të bëra publike nga disa media nën ndikim, rezulton se qytetarët e paraqitur si votues të djathtë dhe të përdorur për të ilustruar mashtrimin publik, kanë thënë të pa vërteta. Por për këtë do të ketë më shumë hollësi në ditët në vijim, pasi të thellohen më tej verifikimet përkatëse.

Po cila është e vërteta e përdorur si mantel për mashtrimin në fjalë? Po zbatohet më në fund në Shqipëri projekti për sistemin funksional të adresave. Kaosi i tranzicionit në vendin tonë, krahas shumë shkatërrimesh të tjera, solli edhe zhbërjen e sistemit të adresave të qytetarëve.
Për dekada të tëra qytetarët e këtij vendi janë endur nëpër Shqipëri dhe nëpër botë, pa një adresë të saktë të vendbanimit, a thua se janë nomadë. Kjo gjendje amullie në vendbanim ka sjellë kosto të pallogaritshme në funksionimin e jetës shoqërore, ofrimin e shërbimeve, administrimin e vendit, sigurinë publike, zhvillimin e zgjedhjeve etj.. Tashmë të gjithë e dinë se adresat në qytetet e vendit tonë, ndryshe nga vendet normale, për shumë vite jepeshin si përshkrime udhëtimi përmes paragrafëve të tilla të gjatë si: Tek “Pallati me Shigjeta”, “100 metra në të djathtë të karburantit të verdhë”, … tek Brryli, prapa Oxhakut, etj. Njerëzit ishin pajtuar me këtë absurditet aq sa, po qe se ndonjë kryebashkiak do të merrte ndonjëherë vendimin e guximshëm për të lyer ndryshe “Pallatin me shigjeta” mijëra qytetarë do të humbisnin kësisoj adresën e tyre. E ndërgjegjshme për këtë gjendje të papranueshme, qeveria jonë në kuadër të përpjekjes për rindërtimin e shtetit, është angazhuar në hartimin dhe zbatimin e një sistemi adresash, i cili është parakusht për qeverisje efektive.

Në këtë kuadër, në vitin 2016 u bënë ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Sistemin e Adresave dhe në vijim u morën masa për zbatimin e tij në terren. Kur unë mora detyrën e ministrit të Brendshëm, rreth 300 mijë qytetarë të Shqipërisë ishin pa asnjë lloj adrese. Zyrtarisht nomadë që, në vend të adresës, tek Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile kishin një të ashtuquajtur kod kolektiv, 000, 888 ose 999.
Sot të gjithë këta qytetarë nuk janë më anonimë në vendin e tyre, por kanë një adresë. Dhe për këtë fakt ndihem mirë dhe jam mirënjohës për angazhimin e shumë zyrtarëve si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin e pushtetit vendor, që mundësuan zgjidhjen e këtij problemi të trashëguar prej dekadash. Sot nuk askush nuk mund të luajë më si të dojë me këta qindra mijëra banorë si dikur.

Në zbatim të Ligjit për Sistemin e Adresave, në vitin 2018 ka përfunduar edhe censusi përkatës në terren për këtë qëllim. Ka ndodhur që gjatë këtij censusi qytetarë të caktuar janë regjistruar në një adresë të ndryshme nga ajo që mund të kenë sot, kryesisht tek shtëpia e vjetër, tek shtëpia e dytë e kështu me radhë. Kjo sjell si pasojë që, kur ata hyjnë për të parë të dhënat personale në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, mund të konstatojnë ndonjë mospërputhje, e cila është lehtësisht e rregullueshme për cilindo dhe është përgjegjësi e tyre. Zyrat e Gjendjes Civile janë të gatshme për të bërë rregullimet e nevojshme në bazë të ligjit dhe të dokumenteve të nevojshme për këtë qëllim.

Kushdo mund ta verifikojë adresën e përditësuar në Portalin e-Albania dhe në rast mospërputhjesh, mund të kryejë lehtësisht saktësimet e nevojshme pranë zyrës përgjegjëse të Gjendjes Civile. Objektivi është që në një kohë të shkurtër të përfundojë përditësimi dhe saktësimi i adresave të të gjithë qytetarëve të vendit. Duhet thënë se, në të njëjtën kohë, po merren masa për diskutimin e një pakete të re ligjore që do të konsolidojë përfundimisht sistemin e adresave dhe do të pamundësojë lëvizjen kaotike të qytetarëve. Elementi kyç i këtyre ndryshimeve është kushtëzimi i të gjitha shërbimeve publike dhe jo publike, me pasjen e një adrese të saktë për qytetar. Çdo qytetar do të ketë adresën e tij të standardizuar sipas ligjit dhe do të marrë shërbimet vetëm në bazë të adresës së regjistruar.

Megjithatë dëshiroj të ritheksoj me forcë: Procesi i përditësimit dhe saktësimit të adresave NUK e prek aspak qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e datës 25 prill 2021.

Edhe njëherë: Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK e prek aspak qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme.

Sa u përket lajmeve të rreme, me duhet të them se organet përgjegjëse do të thellohen në verifikimet dhe hetimet përkatëse, me qëllim që të parandalohen apo goditen ligjërisht të gjitha përpjekjet e paligjshme për të krijuar konfuzion, për të intimiduar apo për të ndikuar në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Ftoj me ketë rast mediat dhe aktorët e tjerë publikë apo politikë që të distancohen nga tentativat për përhapjen e lajmeve të rreme në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve si dhe i inkurajoj ata që të verifikojnë paraprakisht në burime të pakontestueshme, ku përfshihen edhe institucionet përgjegjëse ligjore, informacionet që lidhen me çështje kaq të rëndësishme, ku dezinformimi dëmton dukshëm interesin publik. Faleminderit.

Pyetje: Zoti ministër, kur jemi 7 muaj para zgjedhjeve, a keni një listë të adresave që kanë probleme ende? Realisht ka probleme apo nuk ka probleme, sa i takon adresave?

Ministri Lleshaj: Unë të thashë që kemi bërë me adresë mbi 300 mijë qytetarë shqiptarë që nuk e kishin atë. Pra qytetarët tashmë kanë një adresë, ndërkohë që po ndodh një proces i saktësimit të rasteve kur adresat kanë mospërputhje, për shkak të deklarimeve të pasakta të vetë qytetarëve. Dhe ky proces është i hapur. Por ky proces nuk ka asnjë lidhje me procesin zgjedhor. Listat e votimit, që publikohen me datën 5 tetor, nuk do të kenë asnjë lidhje me adresat e përditësuara të qytetarëve. Listat e votimit do të lëshohen në bazë të adresës së vjetër dhe në qendrën e vjetër të votimit të çdo qytetari. Pra, nuk ka asnjë ndikim dhe është absolutisht e pavërtetë, është absolutisht keqinformim, është absolutisht keqdashje, tentativa për të lidhur dy gjëra që nuk kanë lidhje.

Procesi i adresave dhe i saktësimit të tyre është një proces, procesi i zgjedhjeve dhe i listave të tyre është një proces tjetër, që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe njëherë qytetarët do të votojnë në qendrat e votimit që kanë votuar herën e fundit në masën absolute. Përjashtuar rastet kur vetë qytetarët, për arsye të transferimit mund ta ketë lëvizur vetë qytetari. Por ndryshime arbitrare nga lart nuk ka dhe nuk mund të ketë, sepse është thjesht e pamundur.

Pyetje: Dua t’ju bëj një pyetje jashtë njoftimit që bëtë sot. Nga informacionet që na kanë ardhur nga zëra brenda MInistrisë së Brendshme por edhe nga kabineti qeveritar, është përmendur fakti i historisë së dorëheqjes suaj, e cila është firmosur dhe dërguar Kryeministrit të vendit. Në qoftë se këto zëra janë të vërtetë dhe ju i përgënjeshtroni, do të thotë që brenda Ministrisë së Brendshme ka përpjekje që në njëfarë mënyrë, duan t’ju dëmtojnë. Si i komentoni?

Ministri Lleshaj: Së pari, unë nuk ju mësoj dot mjeshtërinë tuaj, që duhet të verifikoni vetë burimet, të cilat besoni ose jo. Në qoftë se ju besoni burimet tuaja, është përgjegjësia e juaj. Dua të them që i kam dëgjuar vonë, se unë për shkak të angazhimit i ndjek me pak vonesë lajmet dhe përgjithësisht nuk e kam për zakon të komentoj lajmet që s’kanë kuptim. Siç e shihni unë jam në detyrë dhe vazhdoj ta kryej atë me përkushtimin maksimal. Nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk ka pasur asgjë të vërtetë, as afër të vërtetës. Gjithë këtë histori e cila thjesht vetëm sa provon sa rëndë e kemi gjendjen e informimit apo dezinformit publik në Shqipëri. Faleminderit!