Elbasan/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Kemi ndjekur në këto vite qasje shumë konsekuente sa i përket investimit në siguri - Polici më të madhe, Polici më të mirë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/09/2020

Elbasan/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Kemi ndjekur në këto vite qasje shumë konsekuente sa i përket investimit në siguri – Polici më të madhe, Polici më të mirë

Elbasan – Prezantohet skuadra e re “Shqiponja”

Duke falënderuar grupin e deputetëve të Elbasanit të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të skuadrës së re “Shqiponja” në këtë qark, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vuri në dukje se kjo është një dëshmi e bashkëpunimit mes të gjithë autoriteteve dhe institucioneve të këtij qarku, çka e bën më të lehtë menaxhimin dhe përballimin e sfidave të përditshme, të rendit dhe sigurisë së qytetarëve. Me rastin e emërimit të znj. Kushi në detyrën e re si Ministre e Arsimit, Lleshaj bëri urimet e rastit dhe siguroi për bashkëpunimin e policisë për rritjen e sigurisë në shkolla, që sipas tij është një ndër prioritet e mëdha të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm përmendi ngjarjen e një dite më parë në Tiranë, për të cilën tha se u ka kërkuar drejtuesve të policisë të angazhojnë të gjitha burimet për zbardhjen e saj, dhe gjithashtu edhe prokurorisë e agjencive të tjera ligjzbatuese, në mënyrë që të kapen autorët e të vihen para ligjit.
Duke folur rreth investimeve të bëra viteve të fundit në fushën e sigurisë, Ministri Lleshaj vuri në dukje faktin e rritjes së ndjeshme të numrit të punonjësve të policisë, përzgjedhjes së elementëve cilësorë, krijimin e njësive të reja për të luftuar krimin e sofistikuar, pajisjeve të reja, logjistikës në dispozicion e flotës së re të mjeteve. Lleshaj tha se “siguria mbetet e mira publike e parë me të cilën shteti duhet të merret dhe merret; mbetet edhe objektivi ynë kryesor për ta thelluar, për ta përmirësuar atë, në mënyrë që t’u krijojmë mundësi sektorëve të tjerë të zhvillohen ashtu siç duhet”.

Lleshaj: Nuk mund të lë përmendur një fakt të rëndë, me te cilin u ballafaquam dje në Tiranë, një sulm, goditje e shëmtuar, e pabesë ndaj qetësisë dhe sigurisë publike

Lleshaj: U kam kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit të angazhojnë të gjitha burimet për ta zbardhur sa më parë këtë krim, i cili prishi qetësinë e kryeqytetit, duke kërcënuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve

Lleshaj: Kemi ndjekur gjatë këtyre viteve një qasje shumë konsekuente sa i përket investimit në siguri; polici më të madhe, polici më të mirë

Lleshaj: Ne kemi synuar të shtojmë kapacitete të reja dhe të munguara, për arsye se sfidat e reja kërkojnë dhe kapacitete të reja, të cilat nuk i kemi pasur më parë

Lleshaj: Ky grup njësish të reja, përbëjnë një ndër investimet më të mëdha, në kohë të vështirë ekonomike, që vendi është përballur me sfida të panjohura më parë

Fjala e plotë e ministrit Lleshaj në ceremoni:

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë,
Z. Prefekt,
Të nderuar deputetë të qarkut Elbasan,
Përfaqësues të institucioneve të tjera të Elbasanit,
Drejtues të Policisë së Shtetit,

Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht grupin e deputetëve të Elbasanit dhe z. Balla në veçanti, që ka arritur të realizojë një prezencë kompakte të grupit të deputetëve sot këtu në Elbasan, si për të na provuar se Elbasani ka diçka për të treguar veçmas, sa i përket komunitetit. Bashkëpunimit të të gjithëve dhe besoj e gjitha kjo është në harmoni edhe me këta gurë të lashtë që shohim këtu në krahun e djathtë, që na provon që Elbasani jo thjesht është një qytet, por është edhe një komunitet, dhe kjo është ajo që kërkohet nga të gjithë. Që të jemi komunitet, të jemi bashkë se vetëm atëherë do të arrijmë të menaxhojmë edhe gjithë sfidat me të cilat jemi të detyruar të përballemi në përditshmërinë tonë.

Më lejoni me këtë rast edhe t’i uroj znj. Kushi suksese në detyrën e saj. Është hera e parë që shfaqet në një ceremoni publike, dhe ju falënderoj që e keni gjetur mundësinë për të ardhur sot këtu. E di që janë ditët e para dhe ngarkesat janë të mëdha, por ju falënderoj dhe ju uroj suksese, duke ju garantuar edhe bashkëpunimin midis strukturave të policisë dhe atyre të arsimit, në funksion të rritjes së mëtejshme të sigurisë në shkolla, e cila mbetet një ndër prioritetet e mëdha të qeverisë, dhe për të cilën kemi adresuar dhe parashikuar mjaft burime dhe për periudhën në vijim.

Nuk mund të lë pa përmendur megjithëse jemi mbledhur për një gjë të bukur sot, një fakt të rëndë, me te cilin u ballafaquam dje në Tiranë, një sulm, një goditje e shëmtuar, e pabesë ndaj qetësisë dhe sigurisë publike, e cila vetëm sa na provon që krimi mbetet kërcënim, mbetet sfidë e madhe me të cilën duhet të përballemi fort, me vendosmëri, me inteligjencë dhe në mënyrë të pandërprerë.

U kam kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit që të angazhojnë të gjitha burimet për ta zbardhur sa më parë këtë krim, për ta goditur atë rëndë, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera ligjzbatuese, me shërbimet përkatëse dhe me Prokurorinë, të cilës po ashtu i bëj thirrje për të adresuar të gjitha burimet e disponueshme, në mënyrë që ky krim, i cili prishi qetësinë e kryeqytetit mbrëmë, të gjejë një përgjigje sa më të shpejtë edhe si një mesazh ndaj kujtdo që guxon të ndërmarrë vepra të tilla, aq më tepër në mes të rrugës, duke sfiduar apo duke kërcënuar rëndë jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

Dua t’i garantoj ata, se të gjitha strukturat ligjzbatuese në vend do të jenë shumë të angazhuara për të goditur me forcë të pandërprerë çdo tentativë për cenimin e rendit dhe të sigurisë publike. Gjithashtu ky krim vetëm sa na provon nevojën për të bërë më shumë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, gjë që në fakt po bëjmë dhe kemi bërë gjatë të gjithë këtyre viteve.

Siguria mbetet nevoja primare e njeriut dhe e shoqërisë, është një nevojë bazike, pa të cilën nuk mund të zhvillohen dhe as mund të lindin nevojat e tjera. As zhvillimi ekonomik, as ai kulturor, as ai social nuk mund të mendohen pa u krijuar shtrati i sigurt mbi të cilin të zhvillohen të gjithë elementët e tjerë.

Ndaj siguria mbetet e mira publike e parë me të cilën shteti duhet të merret dhe merret; dhe mbetet edhe objektivi ynë kryesor për ta thelluar, për ta përmirësuar atë, në mënyrë që siç thashë, t’u krijojmë mundësi sektorëve të tjerë të zhvillohen ashtu siç duhet.

Ndaj ne e konsiderojmë çdo investim në fushën e sigurisë, investim në të ardhmen e vendit dhe jo shpenzim. Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë, e ta kuptojmë të gjithë, se në qoftë se shohim shpenzime, në qoftë se shohim investime në siguri, automjete, arsimim, trajtim, teknologji, duhet ta kuptojmë se ky është një investim në fakt në të ardhmen e vendit dhe jo një shpenzim buxhetor.

Ne kemi ndjekur gjatë këtyre viteve një qasje shumë konsekuente sa i përket investimit në siguri. Me besim të madh kemi investuar në fushën e saj, duke e ndjekur linjën që të kemi, edhe më shumë policë, polici më të madhe, edhe polici më të mirë.

Në harkun e këtyre 7 viteve të fundit, ne kemi shtuar Policinë e Shtetit në një numër të konsiderueshëm. Ne kemi një rritje prej rreth 1700 punonjësish policie në organikën e saj që nga viti 2013, që është një investim kolosal.

Në qoftë se mbani parasysh që në shumë fusha të tjera të administratës numrat janë ulur, tendenca jonë e përgjithshme është që ta ulim burokracinë, të ulim zyrat e panevojshme. Ndërkohë që në polici kemi shtuar 1700 punonjës të rinj. Ndërkohë që vetëm vitin e fundit janë shtuar 700 prej tyre.

Dhe tendenca e shtimit numerik të Policisë, pra tendenca për të pasur një polici më të madhe ndjek një filozofi të thjeshtë. Ne duam që policia jonë të arrijë në ato shifra të ngjashme të krahasueshme me policitë e vendeve të tjera të rajonit dhe të BE, të cilat për hir të së vërtetës, duhet thënë se janë më të mëdha krahasimisht sesa policia jonë, ende sot me gjithë rritjen e konsiderueshme që kemi bërë.

Por ne nuk e kemi konsideruar rritjen thjesht si një shtim numerik të policisë. Pra nuk kemi shtuar strukturat ekzistuese të saj, por kemi synuar të shtojmë kapacitete të reja dhe të munguara, për arsye se sfidat e reja kërkojnë dhe kapacitete të reja, të cilat nuk i kemi pasur më parë.

Ndaj, kemi shtuar dhe njësi të reja, të cilat nuk kanë qenë të pranishme në organikën dhe në strukturën e Policisë së Shtetit deri më sot. Janë shtuar disa syresh. Është Njësia “E”, ajo e krimit ekonomik, Njësia “K” që është njësia për kapjen e personave, që i janë shmangur drejtësisë, Njësia “I” ose njësia e inteligjencës policore, Njësia “C”, që është njësia e luftës kundër krimit kompjuterik dhe “OFL”, e cila është njësia që merret me luftën kundër aseteve të gjeneruara në rrugë kriminale. Pra janë këto kapacitete të reja, të cilat plotësojnë spektrin e mundësive të Policisë së Shtetit për t’u përballur me forma të reja të krimit.

Përveç këtyre njësive është edhe njësia që keni përballë. Pra në nivel vendor janë shtuar 12 struktura “Shqiponja” në të gjithë vendin, të cilat synojnë po ashtu të mbulojnë një pjesë të pa-adresuar të spektrit të detyrave të policisë, që ka të bëjë me reagimin e shpejtë të saj në rast situatash.

Ndaj, gjithë ky grup njësish të reja, të shtuara si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin vendor, përbëjnë, për mendimin tim, një ndër investimet më të mëdha që qeveria shqiptare, falë angazhimit të të gjithë kabinetit, sepse në fund miratimi i këtyre strukturave kërkon konsensusin e të gjithë kabinetit, dhe falë patronazhit të padiskutueshëm të Kryeministrit, u bë e mundur që edhe në një kohë të vështirë ekonomike, në një kohë që vendi është përballur me sfida të panjohura më parë, prej vitesh, dekadash, madje dhe shekujsh siç është tërmeti apo pandemia, të gjejë burimet për ta financuar këtë forcë të re, e cila besoj do të jetë një vlerë e shtuar në të ardhmen e sigurisë në qytetin e Elbasanit dhe në të gjithë Shqipërinë.

Por jo vetëm Polici më e madhe, tendenca dhe objektivi ynë ka qenë edhe një Polici më e mirë. Sepse nuk mjafton thjesht shtimi i numrave, por duhet dhe cilësia e tyre, madje kjo e dyta është thelbësore. Dhe për këtë qëllim është punuar fort që të rriten kriteret e përzgjedhjes në Policinë e Shtetit.

Tashmë në Policinë e Shtetit ka vetëm një portë për të hyrë dhe ajo është Akademia e Sigurisë. Asnjë rrugë tjetër nuk ka, asnjë dritare, asnjë derë tjetër, përveçse një porte që është porta e Akademisë së Sigurisë, përmes së cilës ne garantojmë që policia të rinohet, sepse në akademi hyjnë të rinj, dhe përmes së cilës ne garantojmë që policia të përmirësohet cilësisht, për arsye se përmes kësaj porte hyjnë ata që kalojnë një proces të madh përzgjedhje.

500 shtesat e reja që i shtohen Policisë sot, janë përzgjedhur vjet ndër mbi 2500 kandidatë, që aplikuan për t’u futur në Policinë e Shtetit dhe pas një përzgjedhjeje shumë të kujdesshme këta djem dhe vajza i janë nënshtruar po ashtu një programi shumë intensiv trajnimi, i cili është mbyllur në korrikun e këtij viti dhe kanë rezultuar në një prurje të re me mbi 500 punonjës policie.

Ndërkohë që një ndër risitë e mëdha sa i përket policisë më të mirë, lidhet me faktin që kemi hapur një kanal të ri për futjen në Akademinë e Sigurisë që është përzgjedhja nga radhët e atyre që kanë përfunduar studimet universitare me rezultate të shkëlqyera.

Falë programit të rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveria, “Paktit për Universitetin”, ne si Ministri e Brendshme, Polici e Shtetit, kemi adresuar dhe kemi hapur derën për të marrë më të mirët që duan t’i bashkohen trupës së re të Policisë së Shtetit. Në kuadër të këtij programi, disa dhjetëra studentë që kanë mbaruar me rezultate shumë të larta degë prioritare universitare, janë tashmë trajnuar në kuadër të kurseve përkatëse në Akademinë e Sigurisë dhe janë bërë pjesë e strukturave të hetimit, duke sjellë një risi të re, cilësi dhe kapacitete të reja në fushën e hetimit për arsye se sofistikimi i krimit, bërja e tij përherë e më tepër me kollare të bardhë, bërja e tij përherë e më tepër virtual e dixhital, bërja e tij përherë e më tepër i ndërlidhur ndërkombëtarisht, kërkon një Polici që të jetë po ashtu e aftë për t’u futur në këto domene të panjohura më parë për policinë. Për t’u futur në rrjedhat e transaksioneve financiare dhe të lëvizjes e qarkullimit të parasë, për t’u futur në domenin kibernetik, në botën e rrjeteve sociale, rrjeteve kompjuterike në mënyrë që ne të jemi në gjendje të performojmë edhe në domene të tjera, përveçse domenit fizik, edhe në domenet virtuale, po aq mirë, në mënyrë që të jemi përherë një hap para krimit, përherë më të fuqishëm, e më të suksesshëm. Ndërkohë që krahas kësaj, krahas investimit në numra, kemi bërë investime të rëndësishme edhe në logjistikë. Nuk mjaftojnë vetëm njerëzit e duhur, njerëzit e mirë-trajnuar e të përgatitur, ata duhet të mbështeten nga një flotë e caktuar logjistike dhe kjo që shihni këtu prapa, është vetëm një fragment i vogël i investimit të madh të bërë nga qeveria shqiptare, në kushtet e mbështetjes logjistike të Policisë së Shtetit, në mënyrë që duke u bërë bashkë numrat e duhur, cilësia e duhur dhe mjetet e duhura, së bashku me drejtimin e duhur dhe qasjen e duhur, ne të mundësojmë që qytetarëve t’u ofrohet ajo që meritojnë, sigurinë – elementin numër një për zhvillimin e tyre të mëtejshëm ekonomik, social dhe të fushave të tjera.

Ndaj duke përfunduar, më lejoni që edhe unë t’i uroj djemtë e vajzat e reja të ekipit “Shqiponja” në Elbasan për fillimin e detyrës, t’iu kujtoj që keni ardhur në një qytet, i cili njihet si një qytet i lashtë, tash edhe këto mure do t’ua kujtojnë, edhe nëse s’do të jeni të kujdesshëm ndaj leksioneve. Jua kujtojnë këto mure sa i lashtë është qyteti dhe prej këtij qyteti e këtyre mureve Shqipërisë i kanë ardhur vlera të mëdha të historisë, kulturës, gjuhës etj., kështu që besoj edhe ju do të jeni të denjë për të shërbyer në këtë qytet ndaj këtij komuniteti, i cili është model i qytetarisë dhe i përparimit dhe besoj fort se ju do ta justifikoni besimin e qeverisë, të drejtuesve të policisë, të Ministrisë së Brendshme dhe të gjithë qytetarëve të Elbasanit dhe të vendit për të performuar me dinjitet, ndershmëri, profesionalizëm dhe vendosmëri.

Punë të mbarë, suksese dhe faleminderit!