Akademia e Sigurisë - Ceremonia e diplomimit të punonjësve të ri të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/07/2020

Akademia e Sigurisë – Ceremonia e diplomimit të punonjësve të ri të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit

Akademia e Sigurisë – Fjala përshëndetëse e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në ceremoninë e diplomimit të punonjësve të ri të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit:

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Të nderuar drejtues të Policisë,

Të nderuar kursantë që përfundoni sot Akademinë e Sigurisë,

Sigurisht është një ditë e rëndësishme për shumëkënd sot, në radhë të parë për ju që përfundoni studimet, përfundoni një cikël të rëndësishëm arsimi. Për ju që jeni këtu në trajtë përfaqësuese, por edhe për ata që për arsye të situatës së pandemisë, nuk mund të jenë bashkë me ju. Sepse ju jeni këtu sot thjesht si përfaqësues të rreth 500 studentëve që përfundojnë Akademinë. Është e rëndësishme, sepse ju filloni një segment të ri, ose filloni karrierën tuaj profesionale, duke u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, duke u bërë pjesë e kësaj organizate, e cila ekziston për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, për të garantuar sigurinë e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Për këtë arsye bashkoheni në organizatën me reputacion dhe me besueshmëri shumë të lartë publike. Por dita është e rëndësishme edhe për Policinë e Shtetit, sepse sot ajo pasurohet me rreth 500 djem dhe vajza të rinj, të cilët i bashkohen radhëve të saj, duke sjellë kështu energji të re, duke kështu vrull të ri, duke sjellë kështu entuziazmin e domosdoshëm që ka organizata e policisë për të vijuar për të vijuar plotësimin e misionit të saj. Por kjo ditë është e rëndësishme edhe për vetë Shqipërinë për arsye se jo vetëm shtohen 500 djem dhe vajza në radhët e Policisë, por edhe vetë Policisë i shtohet një numër i madh të rinjsh e të rejash, por i shtohet edhe organika e saj. Për arsye se zakonisht shtimi ose futja e disa të rinjve në Polici, shoqërohej me daljen e disa të tjerëve nga radhët e saj. Ndërsa kësaj here ne kemi të bëjmë me një shtim ‘de facto’ të organikës prej 500 vetësh. Kjo do të thotë shtimi më i madh i ndodhur në organikën e Policisë në këto dekadat e fundit, që tregon një vlerësim jashtëzakonisht të lartë të Qeverisë Shqiptare, të Kryeministrit Rama, të Ministrisë së Brendshme për Policinë e Shtetit, por në radhë të parë për sigurinë e qytetarëve të këtij vendi. Sepse duke shtuar, rinuar dhe përtërirë Policinë ne shtojmë kapacitetet për sigurinë e qytetarëve, ne fuqizojmë angazhimin për më shumë siguri dhe liri për qytetarët e këtij vendi.

Fillimi i jetës suaj profesionale është një moment i rëndësishëm, i cili në jetën tuaj nuk mund të harrohet kurrë nga asnjëri. Ju keni zgjedhur një profesion, i cili kërkon inteligjencë, kërkon dituri, kërkon forcë fizike, kërkon forcë dhe kurajë morale, kërkon trimëri, kërkon ndershmëri dhe mbi të gjitha kërkon profesionalizëm dhe patriotizëm. Besoj që ju i keni manifestuar këto cilësi gjatë një viti studimesh në Akademi, por do të keni mundësi për t’u provuar në provën e vërtetë të jetës, nga sot e tutje, në angazhimin tuaj për ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe për vendin.

Do t’ju duhet rezistencë e madhe morale, fizike, psikologjike. Do t’ju duhet rezistencë për të përballuar joshjen që vjen nga korrupsioni, nga tundimi për të devijuar rrugën e duhur, që duhet të ndiqni. Por mbani mend mirë se e vetmja rrugë që ju ҫon me garanci drejt ambicies, suksesit dhe pritshmërive tuaja dhe të familjeve të tuaja është rruga e nderit e dinjitetit, e cila duhet të kalojë përmes sakrificës. Pra është me shumë rëndësi që ta refuzoni tundimin dhe joshjen, e cila jo rrallë sakrifikon njerëz të dobët, të cilët nuk mund t’i rezistojnë asaj. Por unë besoj fort, ju e keni dëshmuar tashmë këtë forcë karakteri, të cilën do ta zhvilloni, do ta perfeksiononi për të mbetur deri në fund shërbëtorë të denjë të lirisë, të qetësisë dhe të sigurisë. Imazhi i duhur i shqiptarit, i djemve dhe vajzave, të rinjve të këtij vendi, të cilët janë plot nder, plot dinjitet, janë patriotë dhe profesionistë të vërtetë.

Qeveria Shqiptare është angazhuar fort në mbështetjen e Policisë së Shtetit jo thjesht për të mbështetur Policinë e Shtetit, por me besimin e madh që përmes Policisë, ne mbështesim qytetarët e këtij vendi, mbështesim liritë e tyre, mbështesim siguritë e tyre, mbështesim të ardhmen euroatlantike të vendit tonë.

Ndaj do ta vazhdojmë programin e madh të fuqizimit të policisë, në numra. Policia duhet të shtohet më tej. Shtimi i 500 vendeve të reja në organikën e saj këto ditë nga Qeveria Shqiptare, përbën një akt të madh, përbën një investim themelor të panjohur deri tani. Por nuk mjafton. Ky investim do të vazhdojë. Ky angazhim i Qeverisë do të vazhdojë për ta shtuar Policinë, sepse duhet të shtohet për të arritur në nivele të krahasueshme numerike për frymë, me policitë e vendeve të rajonit dhe të Europës. Por jo vetëm shtim numerik. Do të shtojmë cilësinë e saj duke rekrutuar djemtë dhe vajzat më të mira. Për fatin tonë të mirë, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi duan t’i bashkohen policisë. Kemi shumë syresh që kërkojnë t’i bashkohen. Dhe ne do t’i mbajmë dyert hapur për ata. Ata që janë më të mirët, ata që janë më të fortët, ata që janë më kurajozët, ata që janë më të ndershmit dhe më patriotët.

Jo më larg se muaji gusht mbyllet aplikimi për 300 të tjerë, që do t’i shtohen Policisë, duke filluar nga fillimi i vjeshtës së këtij vitit, në kuadër të të njëjtit program. Ashtu sikundër një kontigjent tjetër të rinjsh, do t’i shtohet Policisë Kriminale nga radhët e atyre që kanë mbaruar me sukses dhe shkëlqyer universitetet e vendit, për të mundësuar një kombinim të të gjithë kategorive të punonjësve të Policisë, si atyre që vijnë nga shkollat e mesme dhe formohen këtu, ashtu edhe të atyre që vijnë nga universitetet dhe i bashkohen policisë për të plotësuar nevoja për ekspertizë profesionale në segmente të caktuara.

Nga ana tjetër do të vazhdojë fort impenjimi i Qeverisë për ta mbështetur Policinë në modernizimin e saj. Krahas njerëzve të mirë, të motivuar, të arsimuar dhe të përgatitur, na duhet dhe logjistika e nevojshme, na duhen mjete, teknologji. Ne do ta vazhdojmë me shumë seriozitet këtë program. Ju jeni dëshmitarë të investimeve të rëndësishme që kanë ndodhur kohët e fundit sa i përket pajisjes së Policisë me logjistikë, me automjete. Flota e saj tashmë është pothuajse rinovuar, me kategori të ndryshme automjetesh, nga veturat e vogla, të fuoristradat, te mikrobusët, edhe mjete të tjera.

Do të vazhdojnë projektet e mëdha për rikonstruksionin dhe për krijimin e infrastrukturës së nevojshme. Një program shumë i madh, ndër më të mëdhenjtë që qeveria do të realizojë në fushën e investimeve është në Akademinë e Sigurisë. Ky kampus që ka sot këtë trajtë, shumë shpejt do të tjetërsohet totalisht. Ndaj bëni foto, mbani në kujtim formën e sotme, sepse shumë shpejt një program i madh, do ta tjetërsojë këtë kampus duke e shndërruar në një ndër kampuset më moderne të arsimimit dhe trajnimit në Shqipëri, krahas atij që po bëhet në universitetin e Tiranës. Pra projekti i kampusit të universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Sigurisë janë në radhën e parë të projekteve që do fillojnë zbatimin.

Ndaj në këtë frymë pozitive, optimiste, unë ju uroj të gjithëve suksese, mbarësi në karrierën që filloni sot! Qëndroni fort në të, sepse nuk do të jetë e lehtë për të qëndruar. Por ama ju e keni dëshmuar që i keni të gjitha mundësitë dhe tashmë e gjitha varet nga ju. Por dijeni që nuk përfaqësoni më thjesht veten. Përveç emrit tuaj personal keni dhe emrin e punonjësit të Policisë të Shtetit Shqiptar. Keni një pjesë të Shqipërisë mbi supet tuaja, keni një pjesë të pritshmërive të shqiptarëve, një pjesë të identitetit të gjithë shqiptarëve të cilët identifikohen me ju, ndihen mirë kur ju silleni mirë në pikat e kalimit të kufirit, në rrugët e vendit, në sheshet e vendit, në komunikimin me qytetarët. Por edhe të ndihen keq në qoftë se ju nuk do të performoni ashtu siç është pritshmëria e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët e duan Policinë e tyre që të jetë e barazvlefshme me Policitë më të mira të Europës. Dhe ju e keni dëshmuar këtë dhe unë besoj fort që ju do ta realizoni këtë pritshmëri të lartë ndaj.

Ndaj ju uroj sukses, ju uroj fat, ju uroj mbarësi dhe ju uroj që ta vazhdoni edhe karrierën, e cila nënkupton shërbim në terren dhe arsimim këtu në Akademi dhe ne do të kemi mundësinë të shihemi prapë! Faleminderit.