Risitë e ligjit “Për shtetësinë” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/07/2020

Risitë e ligjit “Për shtetësinë”

Risitë e ligjit “Për shtetësinë”

Qëllimi i ligjit është përcaktimi i parimeve dhe rregullave për fitimin, rifitimin dhe humbjen e shtetësisë shqiptare, harmonizuar me legjislacionin ndërkombëtar e me kuadrin ligjor kombëtar.

✅ Fitimi i shtetësisë në bazë të origjinës. Me qëllim zbatimin e parimit kushtetues dhe njëkohësisht të detyrimit që ka Republika e Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj, në ligj është përcaktuar fitimi i shtetësisë në bazë të origjinës dhe është rregulluar e drejta e regjistrimit të personave që e kanë fituar shtetësinë me lindje (parimi jus sanguinis). Ligji përcakton si një nga mënyrat e fitimit të shtetësisë shqiptare, nëpërmjet origjinës, që është lidhja familjare deri në tre shkallë e kërkuesit me të paralindurit me shtetësi shqiptare.

✅ Lehtësohet procedura e fitimit të shtetësisë për personat, të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare dhe kanë fituar një shtetësi të huaj, ndërkohë që në vijim kërkojnë të rimarrin shtetësinë shqiptare.

✅ Regjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) i personave mbi 18 vjeç, të cilët kanë lindur jashtë territorit të RSH nga prindër shqiptarë, apo qoftë edhe njëri prind shqiptar, por që para kësaj moshe nuk janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri. Sipas parashikimit të nenit 19, të Kushtetutës “Kushdo që lind duke pasur qoftë dhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare”.

✅ Në rastin e rifitimit të shtetësisë shqiptare janë përcaktuar kritere më të lehtësuara, duke qenë se personi ka qenë shtetas shqiptar dhe ndaj tij nuk mund të aplikohen kritere të njëjta me shtetasit e huaj, por gjithësesi duke respektuar parimin e mosdiskriminimit.

✅ Shtetësia shqiptare fitohet nga investitorët e huaj, ose kur Shqipëria ka një interes kulturor, sportiv dhe kombëtar.

✅ Janë parashikuar dispozita që përcaktojnë fitimin e shtetësisë nga refugjatët, apo personat me mbrojtje plotësuese, duke përcaktuar si kusht qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe banimin në Republikën e Shqipërisë për një periudhë të vazhdueshme prej jo më pak se 10 vjet nga dita e komunikimit të statusit. Në ndryshim nga periudha e qëndrimit për rastet e fitimit të shtetësisë me natyralizim, që propozohet të jetë 7 vjet, për refugjatët është vlerësuar që ky afat të jetë 10 vjet, për shkak të vërtetësisë së deklarimeve apo dokumentacionit që paraqet kjo kategori.

✅ Zgjidhje e problematikës së krijuar për paraqitjen e kërkesës për heqje dorë nga shtetësia shqiptare në rast të prindërve të divorcuar. Legjislacioni kërkonte që kërkesa të paraqitej nga të dy prindërit, por ky parashikim kishte krijuar probleme në rast të mosdakordësie dhe/ose mosgjetjes së njërit prind. Është përcaktuar që nëse prindërit janë të divorcuar, kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, të bëhet nga prindi, të cilit i është lënë përgjegjësia prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.

✅ Humbja e shtetësisë shqiptare, apo heqja e shtetësisë shqiptare për shtetasit që e kanë fituar me natyralizim, bëhet nëse vërtetohet që shtetasi shqiptar që e ka të fituar shtetësinë shqiptare përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues së Republikës së Shqipërisë.