Paketa ligjore, në kuadrin e nismës për t'i dhënë një goditje të mëtejshme abuzimeve në ndërtim, shkeljeve të lejeve të ndërtimit, ndërtimeve pa leje dhe cënimeve të çdo forme të mjedisit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/07/2020

Paketa ligjore, në kuadrin e nismës për t’i dhënë një goditje të mëtejshme abuzimeve në ndërtim, shkeljeve të lejeve të ndërtimit, ndërtimeve pa leje dhe cënimeve të çdo forme të mjedisit

Ministria e Drejtësisë – Ministri i Brendshëm, Ministrja e Drejtësisë dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë paraqitën paketën me akte që qeveria do t’i dërgojë Kuvendit, në kuadrin e nismës për t’i dhënë një goditje të mëtejshme abuzimeve në ndërtim, shkeljeve të lejeve të ndërtimit, ndërtimeve pa leje dhe cënimeve të çdo forme të mjedisit, tokës, pronës publike e private.

Synohet:

Të përcaktohet përgjegjësia penale për subjektet që janë të përfshirë në procesin e ndërtimit të objekteve, të cilët kanë vepruar në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me rregullat teknike dhe përcaktimet ligjore në fuqi;

Parandalimi dhe përcaktimi i përgjegjësisë penale ndaj veprimeve apo mosveprimeve të kundraligjshme kundër objekteve, të cilat sjellin si pasojë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të tyre, duke cënuar të drejtën e pronës, vënien në rrezik të jetës apo shëndetit të personave, e të tjerë.

Përcaktimi i përgjegjësive të zhvilluesit në rastet kur objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes duke parashikuar prishjen e punimeve kur sipërfaqja totale ndërtimore pa leje është 2%, sanksionimin e gjobës të barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje, prishje të objektit kur rezulton si shtesë kati apo volum anësor, konfiskim për interes publik të të gjithë pronës nëse tejkalon masën 50% të sipërfaqes totale, krahas dënimeve penale për subjektin.

Përcaktimi i roleve dhe i përgjegjësive të projektuesve (grupit të projektimit) duke garantuar një përgjegjësi të shtuar të arkitetit, në cilësinë e drejtuesit të projektimit, në kontrollin e ligjshmërisë dhe saktësisë së projektimit.

Monitorimi dhe kontrolli i të gjithë subjekteve që janë të përfshirë në aspektet ndërtimore, rritjen e kompetencave të institucioneve shtetërore veçanërisht inspektoriateve që verifikojnë dhe kontrollojnë punimet e ndërtimit; rregullimin e kuadrit legjislativ mbi përgjegjësinë profesionale dhe systemin disiplinor ndaj profesionistëve të liçensuar si projektuesit, zbatuesve, drejtuesve teknike, mbikqyrësvë dhe kolaudatorëve.

Përfshirjen në “listë të zezë” të të gjithë zhvilluesve si pjesë e një veprimtarie tregtare në kundërshtim me ligjin, përjashtohen nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet.

VIDEO – Fjala e Ministrit të Brendshëm z.Sandër Lleshaj, gjatë prezantimit të propozimeve për ndryshime në Ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe në Kodin Penal:

Mirëdita të gjithëve,

Sigurisht që mbrojtja e jetës së njerëzve, e pronës së tyre, por mbi të gjitha mbrojtja e territorit që është baza për ndërtimin e jetës dhe të prosperitetit, është objektiv i madh i qeverisë shqiptare. Dhe gjithë këto hapa, këto ndryshime ligjore synojnë pikërisht këtë, krijimin e kushteve të reja, marrëdhënieve të reja, siç u tha, edhe si reflektim ndaj mësimeve të nxjerra nga goditjet e rënda, që pësuam në vitin që shkoi nga tërmetet. Goditje që pasqyruan një akumulim të madh paligjshmërie dhe papërgjegjshmërie.

Ndryshimet ligjore sigurisht që janë të rëndësishme, janë të dobishme, por kanë nevojë për t’u realizuar në mënyrë që të mos mbeten thjesht një paketë qëllimesh të mira, është shumë e rëndësishme që ato të realizohen në terren. Për realizimin e tyre qëndron tashmë e gatshme një trupë e tërë institucionesh, inspektoratesh, Policia e Shtetit, autoritetesh, agjencish të ndryshme, të cilat do të përfshihen në një program shumë serioz, implementimi të këtyre kërkesave të rëndësishme ligjore.

Së fundmi, përveç ndërhyrjeve në ligj, që sapo u prezantuan, janë bërë edhe ndryshime e ndërhyrje të rëndësishme të karakterit administrativ për përgatitjen e institucioneve që do të zbatojnë këtë paketë të rëndësishme.

Një ndër to është ndërhyrja dhe reforma e thellë që është bërë tek IKMT-ja, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili tashmë ka zgjeruar gamën e përgjegjësive të veta, duke marrë në përgjegjësi shumë çështje, që kanë të bëjnë me mjedisin dhe me territorin. Por mbi të gjitha është integrimi kësaj strukture me Policinë e Shtetit, me qëllim që të dyja këto institucione të veprojnë në mënyrë integrale për të shkurtuar dhe për të reduktuar burokracinë. Për të rritur efiçencën e ndërhyrjes dhe për të garantuar një zbatim uniform dhe të drejtë të kërkesave ligjore në fuqi.

Fokusi i punës tashmë siç edhe u paratha nga kolegët është jo vetëm ndërtimet pa leje, me të cilat tashmë jemi mësuar dhe kemi krijuar një farë tradite në adresimin e këtij fenomeni, por janë ndërtimet pa dhe me leje. Sepse kemi mësuar, kemi parë fatkeqësisht që edhe ndërtimet me leje mund të na shkaktojnë probleme të mëdha, kur ato nuk ndërtohen siç duhet.

Për këtë arsye IKMT-ja, Policia dhe Inspektoratet e tjera, qofshin ato të nivelit vendor, apo të nivelit qendror do të përfshihen në një program të madh të koordinuar angazhimi, në mënyrë që këto fenomene të marrin fund një herë e mirë.

Është e rëndësishme të theksoj edhe një gjë tjetër, që për arsye të mirënjohura tashmë që kanë të bëjnë me parametrat e përmirësuar të rendit dhe të sigurisë publike, është krijuar dhe fizikisht dhe konkretisht mundësia që Policia e Shtetit, të orientojë më shumë burime drejt këtyre fenomeneve, drejt këtyre shkeljeve, të cilat deri dje jo domosdoshmërisht kanë qenë në fokusin e vëmendjes së saj, për arsye të prioriteteve konkurruese.

Por duke qenë që parametrat e rendit dhe të sigurisë publike në vend, janë në nivele optimale, ndonëse ende ka punë për të bërë, policia e konsideron tashmë të mundshme orientimin e një sasie të mirë të burimeve të saj, edhe për të adresuar fenomene që lidhen me mbrojtjen e territorit në tërësi, ku ndërtimet me apo pa leje (ato me leje do të thotë me leje por jashtë kritereve) janë një pjesë e fokusit të saj.

Çfarë do të bëhet?!

Fokusi i punës së IKMT, Policisë dhe organeve të tjera do të jetë në radhë të parë ajo fushë, e cila prodhon më shumë dëme, pasoja për jetën ekonomike shoqërore në vend, për jetën, pasurinë e qytetarëve dhe kjo është zona më e urbanizuar e vendit, zona me përparësi turistike, zona bregdetare dhe zona e urbanizuar dendur, në të cilën ndodhin dendur edhe shkeljet më të rënda. Kjo duhet të jetë fokusi i Policisë së Shtetit, pra nuk do të jetë një qasje ekstensive, duke u marrë me gjithçka, por do të merret në fokus të veçantë, në zonën bregdetare dhe në zonën e ndërtuar rëndë ose në zonën urbane të ndërtuar dendur ku kapacitetet, të gjitha, të IKMT, të policisë do të fokusohen me theks të veçantë. Kjo nuk do të thotë që do të lihen jashtë vëmendjes zonat rurale, por fokusi do të përqendrohet këtu, sipas parimit: t’i angazhojmë forcat, mjetet dhe resurset aty ku risku për dëm është më i lartë sesa në zona të tjera.

Është me rëndësi të theksoj faktin se Policia, me këtë rast do të ketë vëmendje të veçantë edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës për implementimin e kësaj pakete ligjore. E thënë ndryshe, Policia nuk do të merret thjeshtë dhe vetëm me ata që bëjnë konkretisht mëkate në fushën e ndërtimit, por do të merret edhe me zyrtarët, të cilët mbyllin një sy, mbyllin të dy sytë ose nganjëherë bashkëpunojnë në mënyrë korruptive me ata që shkelin ligjin në fushën e ndërtimit.

Gjithë kjo paraqitje e jona sot këtu i shërben një qëllimi të vetëm për të paralajmëruar në kohë të gjithë ata që kanë plane për të ndërtuar apo për t’u marrë me veprimtari të kësaj natyre, që të kenë kujdes që tani, paketën ligjore e cila është shumë e gjerë dhe paketa, siç e përmenda, nuk është thjesht një paketë qëllimesh të mira, por është një paketë e shoqëruar nga një program i madh zbatuese në mbështetje të të cilit janë një numër i madhe institucionesh, ku Ministria e Brendshme qëndron, Policia e Shtetit dhe IKMT, së bashku, por jo vetëm, janë institucionet e nivelit vendor, inspektoratet e tëra, është e gjithë qeveria në funksion të këtij qëllimi të madh, që synon të mbrojë jetën e qytetarëve, të mbrojë pasurinë e tyre dhe të mbrojë territorin mbi të cilin zhvillohet gjithë kjo jetë dhe kjo pasuri. Faleminderit!