Paketa Antimafia/Lleshaj te Komisioni i Ligjeve: Vetëm kur krimi të shkatërrohet si model biznesi, mund të pretendojmë të kemi sukses afatgjatë në luftën kundër tij - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/06/2020

Paketa Antimafia/Lleshaj te Komisioni i Ligjeve: Vetëm kur krimi të shkatërrohet si model biznesi, mund të pretendojmë të kemi sukses afatgjatë në luftën kundër tij

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar””:

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Ju falënderoj për kohën që i kushtoni këtij projekti të rëndësishëm që Qeveria ka paraqitur në kuvend, i cili lidhet me një nga objektivat kryesore të kësaj qeverie që është lufta kundër krimit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti, luftë e cila synon rritjen e parametrave të sigurisë në vend, si dhe përshpejtimin e gjithë procesit për integrimin europian të tij.

Në fakt ky ligj është pjesë e një pakete dhe gjithë paketa fillon me Aktin Normativ numër 1 në datë 31.01.2020, i cili shoqërohet me një seri ndryshimesh të tjera ligjore, një pjesë e të cilave kanë ndodhur dhe një pjesë është ende në proces parlamentar. Dhe unë edhe njëherë ju falënderoj për kohën që i kushtoni procesit të përfundimit të kësaj përpjekjeje. Në fakt i gjithë Akti Normativ i 31 janarit do të quhet vërtet në eficencë të plotë, kur gjithë ligjet e tjera që e shoqërojnë dhe e lehtësojnë zbatimin e tij do të jenë miratuar.

Projekti që ne sot flasim adreson vetëm një problem, adreson disa ndryshime në ligjin 10.192 me datë 03.12.2009, shkurt njihet si “ligji Antimafia”, i cili ka patur një histori pak a shumë të zbatimi për mungesa të shumta qoftë në interpretim, qoftë në zbatim, të cilat në një farë mënyre çuan edhe te miratimi i Aktit normativ.

Thelbi i këtij ligji është lufta ndaj aseteve kriminale me besimin që vetëm kur krimit t’i shterohen financat dhe asetet kriminale, vetëm kur krimi të shkatërrohet si model biznesi, ne mund të pretendojmë të kemi sukses afatgjatë në luftën kundër tij.

Për sa kohë që kriminelët arrijnë të grumbullojnë pasuri të jashtëzakonshme, dënimi penal i tyre është i pamjaftueshëm. Edhe njëherë për sa kohë pasuritë e tyre mbeten të paprekura, e në jo pak raste anëtarë të caktuara të grupeve kriminale e marrin përsipër riskun e burgut, përballë sigurisë së gëzimit të aseteve, financave, pasurive, që kanë grumbulluar prej veprimtarisë kriminale.

I vetmi shans për sukses afatgjatë, e vetmja gjasë për të pasur qëndrueshmëri në luftën kundër krimit është shkatërrimi i modelit të biznesit, bindja e çdo qytetari që përfshihet në veprimtari kriminale se produkti final i saj, sa do e madhe që të jetë kjo pasuri, një ditë do të merret në administrim në dispozicion nga publiku. Ky ligj është synim i këtij ndryshimi ligjor.

Në përgjithësi këtu në ndryshimet e propozuara bëhet fjalë për ndryshime të karakterit teknik dhe administrativ. Ndër to mund të përmend shkurtimisht disa kryesore: Së pari është ndryshimi i kalimit të kompetencave të administrimit nga gjykatat, të cilat sot vendosin për administrimin e pasurive të sekuestruara, apo të konfiskuara tek organet administrative, konkretisht te Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kjo do të thotë që në vend që gjykata të vendos nominalisht për çdo rast emrin e një administratori, i cili do të merret me administrimin e pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, tashmë gjykata ngarkon një organ shtetëror që është Agjencia përgjegjëse për këtë punë dhe është Agjencia më tej, e cila nominon, emëron, kontrollon punën e administratorëve të çdo pasurie që ka në juridiksionin e saj.

Përse bëhet kjo lëvizje? Kjo lëvizje bëhet për të pasur një zhvillim më të mirë të gjithë këtij procesi, për të pasur një strukturë të vetme përgjegjëse që është Agjencia shtetërore dhe për t’u larguar nga situata e sotme, kur kemi një mori administratorësh, që vendosen nga gjykatat. Kjo do t’i japë edhe lehtësi të madhe, dhe fleksibilitetin e nevojshëm administrimit, për arsye se tashmë vendimet që merren në këtë proces janë vendime të karakterit administrative dhe jo gjyqësor. Gjyqësori është marrë një herë e mirë në fillim, por është ngarkuar Agjencia. Ndërkohë që në nivel menaxherial dhe administrativ tashmë do të veprojë Agjencia, e cila do të jetë nën kontrollin, nën drejtimin e një Komiteti Ndërinstitucional, i cili do të luajë rolin e organit udhëheqës kontrollues, monitorues të kësaj Agjencie dhe të këtij procesi.

Një gjë tjetër e rëndësishme në ligj, lidhet me destinimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ku parashikohet që një përqindje e konsiderueshme e tyre të futet në përdorim, të vihet në dispozicion të luftës kundër krimit. Pra, ne duam në një farë mënyre që krimin ta luftojmë duke përdorur dhe asetet dhe financat e tij. Kjo do të thotë që një pjesë e madhe e këtyre aseteve, përmes vendimeve përkatëse të Komitetit Ndërinstitucional dhe Agjencisë, do t’i kalojnë në fund të herës Policisë së Shtetit, e cila do t’i përdorë një pjesë të tyre, në luftën kundër krimit të organizuar, qoftë si asete, qoftë si financa dhe si mjete të tjera, duke besuar që kjo do të shtojë një burim tjetër të rëndësishëm mbështetjeje për PSH, të cilës siç jemi në dijeni të gjithë, i jemi shpeshherë borxh për shkak të mbështetjes jo përherë të plotë në kuptimin financiar, në kuptimin material, logjistik e kështu më radhë.

Një gjë tjetër me rëndësi, e projektit, është se në Komitetin Ndërinstitucional në drejtimin për masat kundër krimit të organizuar, pra që merret në thelb me drejtimin e veprimtarisë së Agjencisë, shtohet edhe përfaqësuesi i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Një gjë tjetër po ashtu e rëndësishme është po ashtu fakti që punonjësit që do të përfshihet në luftën kundër krimit të organizuar, do të kenë mundësi edhe të shpërblehen edhe financiarisht nga burimet e gjeneruara prej këtij procesi, deri në një masë 5%. Pra është vendosur një limit, një fond që shkon deri në një masë 5%, i cili do të përdoret për të motivuar punonjësit që janë përfshirë dhe që kanë arritur rezultate konkrete në këtë proces të rëndësishëm.

Besoj që është e rëndësishme të theksoj se miratimi i këtij projekti, kompleton një proces të nisur në 31 janar të këtij viti, duke i shtuar disa instrumente të tjera në dorë gjithë procesit të luftës kundër krimit të organizuar, por mbetet të them që ende ky proces nuk është kompletuar për sa kohë nuk janë mbyllur edhe disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, ligjin e Policisë së Shtetit, të cilat synojnë pak a shumë trajtimin dhe mbylljen e të gjitha aspekteve të veçanta. Po ju jap një shembull, i cili ilustron më së miri nevojën për të arritur në këto zgjidhje që kemi propozuar. Sot Policia e Shtetit është angazhuar, krahas shumë të tjerash, edhe në ruajtjen e një arsenali të tërë mjetesh, kryesisht mjete motorike dhe asetesh të tjera, të cilat në procesin e hetimit apo procedimit penal dhe vendimmarrjes gjyqësore më vonë, janë administruar si prova. Janë me dhjetëra, mijëra automjete, që ruhen sot në mjediset e Komisariateve të Policisë në të gjithë territorin, të cilat nuk kanë më asnjë vlerë reale prove, por ndërkohë formalisht, de jure, ende vlejnë si prova për arsye se gjykatat, kur kanë marrë vendimet për çështje të caktuara, nuk janë disponuar, siç i kërkon në fakt Kodi i Procedurës Penale, për provat që kanë qenë pjesë e procesit. Ka ndodhur masivisht që njerëzit janë dënuar, kanë mbyllur dënimet ose janë parashkruar dënimet, ndërkohë që provat që kanë çuar në dënimin e këtyre njerëzve, të cilët janë liruar tashmë dhe nga burgu, ende ruhen si të tilla, sepse policia nuk ka asnjë gjë të shkruar që thotë “këto nuk janë më prova”. Nuk ka një vendim të sistemit gjyqësor për këto.

Krahas të tjerash, jo vetëm problemin mjedisor e probleme të tjera që janë krijuar pa fund, por angazhon edhe një pjesë të rëndësishme të trupës së policisë për t’i ruajtur. Janë mbi 400 punonjës policie, sot, që ruajnë thjesht prova materiale, që në fakt nuk janë prova. Prandaj them që miratimi i këtij ligji, i ligjit të mëparshëm, të atyre që presin, është domosdoshmëri për të zhbllokuar një situatë ngërçi të akumuluar prej shumë e shumë vitesh.

Megjithëse për këtë do të vijë rasti kur të flasim për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, sepse aty është parashikuar se si do të trajtohet gjithë kjo barrë e madhe, por duhet të them, duke e përfunduar që është shumë e rëndësishme që ta mbyllim të gjithë paketën një orë e më parë, pikërisht për ato arsye që përmenda, për të rritur shpejtësinë.

Miratimi i Aktit Normativ ka sjellë një impuls të jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit të organizuar në vend, për arsye se një pjesë e madhe të aseteve të gjeneruara nga krimi, tashmë janë futur në procese, parashikuar nga Akti Normativ, nga ligji, për një pjesë të tyre, një numër i madh, janë dhënë tashmë vendimet e sekuestrimit apo edhe të konfiskimit. Dhe dua të them që është një instrument i madh, shumë i rëndësishëm, instrument, që do të sjellë patjetër rezultate të prekshme në luftën kundër krimit, një instrument që jo vetëm do të rrisë ndjeshëm parametrat e sigurisë në vend, por edhe do të plotësojë një prej atyre kushteve themelore që BE-ja kërkon të plotësohen prej Shqipërisë, edhe si parakusht për fillimin konkret të procesit të negociatave me BE. Faleminderit!

 

Projektligji i plotë – Kliko