Sarandë, Finiq, Konispol/Ministri Lleshaj takime me fokus masat për sezonin turistik, luftën antikanabis, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të sigurisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/06/2020

Sarandë, Finiq, Konispol/Ministri Lleshaj takime me fokus masat për sezonin turistik, luftën antikanabis, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të sigurisë

VIDEO Sarandë – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Pjesë nga fjala e ministrit:

Të vish në Sarandë, është gjithmonë një kënaqësi dhe ky takim pune është gjithashtu një rast i tillë. Përfitoj nga rasti që nëpërmjet medias, t’u bëj një thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që ta konsiderojnë Sarandën si një adresë për këtë sezon turistik, pasi pushimet për këtë vit mund të jenë nga më të mirat, pasi qyteti është mjaft i përgatitur, mjedisi është shumë i pastër dhe besoj nuk do të zhgënjehet askush nëse do ta vizitojë Sarandën dhe gjithë vendin në tërësi.

Sa i përket çështjeve të turizmit, është me rëndësi angazhimi i strukturave përgjegjëse për përgatitjen e kushteve, të cilat sivjet mund të jenë më të mirat e mundshme, sidomos për sa i përket pastërtisë së mjedisit. Qeveria shqiptare e konsideron mjedisin burimin jetësor nr. 1, për jetën, ekonominë, dhe në këtë kuadër u bë edhe ristrukturimi i IKMT, i cili tashmë ka detyra edhe për mjedisin, pra ujërat, pyjet etj., inspektimi i territorit dhe mjedisit. Duke e sjellë IKMT-në në Ministrinë e Brendshme dhe duke e atashuar pranë Policisë së Shtetit, që do të thotë, drejtoritë e inspektoratit do të punojnë si pjesë integrale e Policisë, do të mundësohet që goditja ndaj të gjithë krimit mjedisor të zhvillohet në dy plane: administrativ, d.m.th. IKMT t’i godasë administrativisht të gjithë ata që kryejnë dëm apo krim mjedisor; njëkohësisht policia do të marrë masat ligjore ndaj tyre.

Sa i përket vijës bregdetare, këtu do të adresohet vëmendja e shtuar e Policisë, IKMT, strukturave vendore në mënyrë që të mos cenohet më tej. Nuk mund të lejojmë që të vendoset një gur apo një tullë pa leje në këtë vijë bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme, në çdo aspekt. Policia do të ketë detyra të shtuara edhe në kontekstin e sigurisë dhe do të shtohen kontrollet sa i përket respektimit të parametrave e standardeve në plazhe, nga ana e operatorëve turistikë. Policia dhe ajo e Kufirit veçanërisht, do të fokusojnë vëmendjen për të shtuar prezencën në patrullim, në ujë, në bregdet, në pikat turistike.

Sa i përket rendit dhe sigurisë, në këtë zonë nuk ka probleme me krimet e rënda, por ka një numër të lartë të krimeve më të lehta, sidomos vjedhjes në banesat e qytetarëve që banojnë jashtë vendit. Dhe këtu kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm i Policisë së Shtetit, ndërmarrja e masave të reja, pasi masat e deritanishme nuk i konsideroj të mjaftueshme për ta përballuar këtë situatë. Ky fenomen duhet të goditet në mënyrën më të fortë të mundshme, aq më tepër kur këto ngjarje ndodhin në zona minoritare duke na krijuar një lloj tensioni, krejtësisht të panevojshëm dhe të papranueshëm. Ne nuk mund të lejojmë të krijohet frikë, pakënaqësi në zonat minoritare me të cilat niveli i harmonisë, bashkëjetesës, marrëdhënieve të mira ka predominuar në shekuj.

Mbetet përpjekje e madhe për policinë që të fokusojë përpjekjet për ta goditur rëndë këtë krimin e vogël, i cili sjell pasoja të mëdha të paktën në nivelin individual. Ne do punojmë, dhe unë i mbajta shënim, lidhur me qasjen në thelb të Policisë. Ne kemi një polici të vogël që nuk është sekret, ndër policitë më të vogla në rajon dhe përtej tij. Qeveria po punon fort për shtimin e numrit të punonjësve të policisë në mënyrë që të afrohemi sado pak drejt mesatareve europiane, në numrin e policisë për frymë.

Qeveria është tashmë në procesin e miratimit të një shtese të re në numrin e Policisë së Shtetit, Kryeministri ka dhënë miratimin e tij. Së shpejti presim të shtojmë një numër të ri mbi 500 punonjës policie.

Nga ana tjetër po punojmë mbi mënyrën se si i shpërndajmë kapacitetet e policisë, burimet njerëzore dhe teknike të saj. Duke synuar që policinë ta spostojmë drejt bazës, drejt komisariateve, duke ulur numrin e punonjësve që kryejnë shërbim në strukturat vendore apo qendrore për të mbërritur tek strukturat lokale.

Ne do të bëjmë një riorganizim të Komisariateve në bazë të formulave të qarta të shpërndarjes, që bazohen tek numri i popullsisë që mbulon dhe tek sipërfaqja që mbulon. Për të arritur që punonjësit e policisë të jenë të shpërndarë në mënyrë proporcionale në të gjithë hapësirën e territorit. Dendësia e shpërndarjes të jetë në një plan, duke mos ju dhënë rëndësi qendrave urbane dhe duke lënë disi më një anë ato rurale, pra të ketë një shpërndarje harmonike.

Do të shohim edhe zonat minoritare, dhe këtu gjej rastin të theksoj nevojën që kemi për përfshirje të punonjësve të policisë nga këto komunitete. Kemi nevojë për të rekrutuar djem dhe vajza të rinj nga minoritetet në Policinë e Shtetit. Për t’i lënë në këtë mënyrë që të kryejnë shërbim po pranë komuniteteve prej nga vinë. Në mënyrë që të arrijmë një performancë më të lartë të policisë në këto zona.

Prioritet i madh për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë strukturat vendore mbetet përpjekja për të luftuar kultivimin e kanabisit në vend. Sukseset e arritura gjatë këtyre viteve janë të padiskutueshme, por ende nuk mund të themi që është zhbërë historia e kanabisit në Shqipëri. Kemi detyrë të vazhdojmë goditjen e përqendruar dhe të bashkërenduar kundër këtij fenomeni. Kemi patur shumë takime me Policinë e Shtetit për këtë qëllim, janë dhënë shumë detyra për këtë qëllim, dhe treguesit janë të matshëm dhe konkret.

Janë dy drejtime në të cilat policia duhet të luftojë: e para, kundër kriminelëve që merren me përfshirjen në këtë veprimtari, dhe e dyta, do të adresojë dhe do të merret fort me zyrtarët të cilët thjeshtë neglizhojnë për të bërë detyrën e tyre.

Lufta kundër kanabisit nuk është luftë vetëm e Policisë së Shtetit, por e të gjithë shoqërisë shqiptare. Ka një Plan Kombëtar për këtë punë, që do të thotë jemi të angazhuar të gjithë nga institucionet qendrore, vendore. Kanabisi ka fuqizuar individë të caktuar, u ka rritur profilin, u ka rritur mundësitë dhe i ka bërë që të ngjiten në kategori të tjera të krimin, në trafikimin e drogave të madha, e të tjera. Duke gjeneruar të ardhura dhe burime financiare dhe duke gjeneruar krim, që lidhet me konflikte që janë të pashmangshme nga ky fenomen.

Është e qartë detyra e Policisë së Shtetit që pas datës 30 qershor, konstatimi i sipërfaqeve sado të vogla i bimëve në terren do t’u faturohet drejtuesve dhe punonjësve e përgjegjësve të caktuar personalisht.

Mbetet me rëndësi të madhe çështja e angazhimin në fushën e sigurisë rrugore dhe sidomos në zonën e bregdetit në përgjithësi trafiku në sezonin turistik shtohet dhe do të shtohet. Kjo kërkon masa të shtuara nga policia për të garantuar që trafiku të rrjedh normalisht. Për t’u garantuar që jeta e qytetarëve nuk cenohet, nuk vihet në rrezik, nga flukset e shtuara të qarkullimit.

Ne, si Polici e Shtetit, jemi të interesuar që Policia Bashkiake të fuqizohet. Po punojmë aktualisht për të draftuar një ligj të ri për Policinë Bashkiake, i cili synon të rrisë nivelin e performancës, profesionalitetit dhe të integritetit të këtyre strukturave për t’i shndërruar ato defacto në një zgjatim në nivelin lokal. Zgjatim në kuptimin e profesionalizmit, standardeve që plotësojnë, të kritereve që përmbushin, mënyra se si operojnë e të tjera. Ekziston nevoja për të transferuar disa përgjegjësi që sot i kryen Policia e Shtetit tek Policia Bashkiake. Ky do të ishte një lehtësim i madh për të dy policitë por edhe për rendin në tërësi. Ky diskutim do të vazhdojë, që të arrihet një zgjidhje, për bashkëpunimin më tej për këtë çështje.

Lidhur me bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, të IKMT-së në fushën e kontrollit të ndërtimeve pa leje, e përmenda më përpara që ky bashkëpunim është i garantuar, ndërkohë që ne do ta realizojmë atë që në Sarandë për shkak të rëndësisë së veçantë, të kemi një strukturë të IKMT-së të vendoset këtu në Sarandë, me detyrë për të ndjekur, për të kontrolluar të gjithë territorin e kësaj zone.

Mungesa e kujdesit për ujërat është problem i madh në të gjithë Shqipërinë. Këtu është me rëndësi e mbajtjes në konsideratë mbrojtja e ujit nga shkarkimet e ujërave të zeza dhe inerteve. Kohët e fundit po bëhet një përpjekje e madhe në goditjen e këtij fenomeni. Me keqardhje them që po prodhohen gjoba të mëdha, shumë biznese po paguajnë shtrenjtë, shumë kompani që pastrojnë qytetet po paguajnë shtrenjtë gjoba që të cilat qeveria nuk i do. Por që do t’i marrë në mënyrë të padiskutueshme për sa kohë që do të vazhdojë sjellja e papërgjegjshme që kemi në jo pak raste. Kompani që paguajnë për pastrimin e qyteteve janë në një nivel të tillë papërgjegjshmërie sa thjesht i zbrazin në lumin apo në vendim më të afërt mbetjet inerte, apo mbetjet e tjera. Ka patur dhe do të vazhdojnë goditjet.

Tendencë botërore është që punët të zgjidhen poshtë, politikat bëhen lart, por punët të bëhen poshtë. ‘Power down’ është një ndër qasjet më moderne, më të domosdoshme që duhet dhe këtë po mundohemi ta sendërtojmë, në momentin që do ta riorganizojmë Policinë jo vetëm numerikisht poshtë në nivel lokal, por edhe kompetencat poshtë. Po kështu edhe me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit. Kështu do të duhet që autoritet lokale të ndihen qeveri e mirëfilltë, më vete.

 

Finiq – Ministri Lleshaj në një bashkëbisedim me banorët e zonës, ku ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Finiq, Prefekti i Qarkut, deputeti i zonës, Drejtori i Përgjithshëm i PSH.

Pjesë nga fjala e ministrit:

Mirëdita! Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen!

Për mua është gjithmonë kënaqësi kur kam mundësinë të vizitoj Bashki ose pjesë të komunitetit të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe të minoriteteve të tjera, për arsye se besoj fort që minoritetet janë ai element, ajo urë e cila vendos, forcon, konsolidon miqësinë midis popujve, në rastin tonë midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Ata popullojnë këtë gadishull që kur ka lindur koha.

Përgjatë kësaj historie regjistrojnë në marrëdhënien e tyre gjëra pozitive, marrëdhënie miqësore, bashkëjetesë shembullore edhe për shumë kombe dhe marrëdhënie të tjera fqinjësore.

Për herë kam qenë dhe jam optimist që kjo marrëdhënie nuk mund të cenohet edhe sikur ne të punojmë kundër saj, janë vetë popujt tanë, të cilët e kanë ndërtuar marrëdhënien. Marrëdhënien e ndërtojnë popujt dhe jo qeveria.

I kam ndjekur edhe rastet e shkëputura, për fat të keq të tendencave për të fryrë gjëra që realisht janë të vogla. Por besoj që pjekuria jonë si qytetarë europianë është e tillë saqë ne do të jemi në gjendje për t’i margjinalizuar dhe për t’u treguar vendin të gjithë atyre që tentojnë të helmatisin këtë marrëdhënie.

Është fat që tashmë ka një Bashki edhe këtu në Finiq, që këto minoritete të kenë institucione, të kenë një zë në jetën politike e shoqërore të vendit. Ne duhet të bëjmë përpjekje që kësaj Bashkie t’i japim jetë, t’i japim energji, t’i japim mbështetje në mënyrë që të konsolidohet, sepse është Bashki e re, të cilës i mungojnë shumë gjëra dhe duhet së bashku t’i japim mundësi.

Unë i kam ndjekur me shumë shqetësim, rastet dhe raportimet për akte kriminale, të cilat fokusohen kryesisht tek vjedhjet, tek dhunimi i banesave, etj., të cilat në gjuhën e Policisë konsiderohen si krime të vogla. Por në thelb për mua janë krime të mëdha, për arsye se prodhojnë pasoja shumë të mëdha. Jo vetëm të karakterit ekonomik, por pasoja të mëdha shkaktojnë në nivelin psikologjik, trauma, njerëzit ndihen të dhunuar.

Ngelet sfida jonë e përbashkët, e komunitetit, e Policisë, e organeve vendore, edhe e Ministrisë, edhe të gjithë strukturave të tjera për ta adresuar këtë fenomen me seriozitet të madh me vendosmëri të lartë në mënyrë që të bëjmë të mundur që të goditet dhe të harrohet si fenomen.

Ne duhet të ndryshojmë qasjen në shumë aspekte.

Së pari, do të forcojmë kapacitetet e strukturave lokale të Policisë, qoftë në pikëpamje njerëzore, qoftë në mënyrën e organizimit, qoftë në mënyrën e trajnimit në nivelin e pajisjes, dhe në nivelin e mbështetjes nga lart. Kjo me qëllim që strukturat këtu të Policisë të jenë efecientë.

Kemi një problem që në strukturat e Policisë nuk kemi minoritar mjaftueshëm.

Ju kërkoj që të nxisni djemtë dhe vajzat, për aq sa është e mundur, që të jenë pjesë edhe e Policisë së Shtetit, dhe e Policisë këtu. Kjo do ta thjeshtojë së tepërmi mënyrën se si Policia do ta kryejë detyrën e saj.

Për këtë ne kemi edhe gatishmërinë për të lëshuar pak, por pak në standarde, jo shumë, duke mos anashkaluar ato të domosdoshmet. Kemi një kuotë të dedikuar të djemve dhe vajzave të minoritetit dhe ne na duhet që ta bëjmë këtë punë.

Ne jemi në një proces të rishikimit të të gjithë qasjes së Policisë, me idenë që ta zbresim Policinë sa më poshtë dhe jo ta ngjisim lart nëpër struktura vendore, apo qendrore.

Kemi ende një Polici, e cila është e centralizuar dhe ka shumë struktura lart, dhe kemi një Polici që është shumë e vogël.

Çështje tjetër që mbetet me rëndësi është të përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë këtu. Të vendosim më shumë sisteme dhe sensore, kamera, teknologji tjetër në funksion të njoftimit të hershëm dhe të marrim masa me banorët që edhe ata të bëjnë ndonjë hap këtë punë.

E rëndësishme të punojmë së bashku edhe për t’i sensibilizuar banorët, që edhe me investime shumë të vogla që ata mund të bëjnë në shtëpitë e tyre, me sensore elektronikë, me sisteme të vogla alarmi, ose thjesht sinjalizimi që Policia të sinjalizohet në kohë, vlejnë për të luftuar këtë fenomen negative.

Qëllimi është të krijohet bindja që prekja e një shtëpie këtu, është një aksion i paleverdisshëm, nuk ja vlen, për arsye se do të paguash keq, do të kapesh, do të paguash dënim penal e të tjera.

Ne do të zhvillojmë një program, nga Drejtoria e Policisë në qendër bashkë me Drejtoritë Vendore. Do t’jua paraqesin edhe juve përmes Bashkisë, me idenë që të kombinojmë përpjekjen tonë të PSH, edhe me kontributet që mund të kemi nga ana juaj për bashkëpunim. Kjo për të dhënë një mesash të fortë ndaj këtyre të paudhëve që bëjnë këto krime. Për t’ju dhënë edhe një qetësi banorëve që ndoshta nuk janë këtu, ose kudo qofshin, një ndjenjë sigurie.

Jam i bindur që ne do ta ndryshojmë jo vetëm gjendjen, por edhe perceptimin. Nuk do të kursejmë asnjë kapacitet derisa të arrijmë që banorëve t’u ofrojmë siguri të plotë, që ata të gëzojnë jetën e tyre, dhe pronat e tyre. Të jenë të qetë në vendin e tyre. Faleminderit!

 

Konispol – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në kuadër të vizitës në jug të vendit, zhvilloi një takim në Bashkinë e Konispolit. Ai u prit nga Kryetari i Bashkisë Shuaip Beqiri dhe morën pjesë në takim Prefekti Flamur Mamaj, deputeti Andrea Marto, Drejtori i PSH Ardi Veliu dhe të zgjedhur lokalë. Në këtë bashki, prej 1 viti është hapur një zyrë aplikimi për dokumentet biometrike, që i shërben një komuniteti prej mijëra banorësh, të cilët udhëtonin dhjetëra kilometra deri në Sarandë për t’u pajisur me pasaporta apo ID karta.

VIDEO – Prononcimi i ministrit Lleshaj:

Në kuadër të vizitës në Sarandë, mbërritëm edhe në Konispol, për të parë punën që bëhet në këtë Bashki, në funksion të sigurisë, çështjeve të brendshme, shërbimit ndaj komunitetit. Shoh me kënaqësi që janë marrë masa të mira. Së pari, ne vizituam zyrën e aplikimit për karta dhe pasaporta, e cila funksionon tashmë prej një viti me efektivitet të plotë, duke ofruar mundësi të mira për qytetarët e kësaj zonë, që detyroheshin të merrnin udhë të gjatë për të bërë aplikimin. Kjo tashmë nuk është e nevojshme sepse aplikimin e bëjnë këtu.

I ftoj qytetarët që duke zbatuar masat e sigurisë në kushtet e pandemisë të vazhdojnë aplikimin, ndonëse qeveria e ka zgjatur afatin e vlefshmërisë së kartave dhe pasaportave deri në fund të vitit, me qëllim që t’u vihen në shërbim qytetarëve. Megjithatë zyra është e hapur dhe duhet të funksionojë dhe duhet të shfrytëzohet.

Ndërkohë që diskutuam me Kryetarin e Bashkisë dhe me autoritet e tjera të Bashkisë, drejtuesit e Policisë për çështjet që kanë të bëjnë  me rritjen e parametrave të sigurisë publike në këtë Bashki dhe në zonat në përgjithësi. Shohim me kënaqësi që niveli i sigurisë në Konispol, është në parametra të kënaqshëm, madje më mirë sesa në zona të tjera.

Kemi lënë detyra dhe do ta ndjekim në vijueshmëri zbatimin e tyre, sa i përket rritjes së forcës goditëse dhe parandaluese të Policisë në raport me krimin, duke u fokusuar tek krimi i rrugës, ose krimet e vogla që quhen, por që sjellin pasoja të mëdha, siç janë vjedhjet, këtu më pak, por në Bashkitë fqinje më shumë. Kemi ndërmend që këto detyra t’i ndjekim në vijueshmëri me qëllim që ta rritim sa të jetë e mundur  më shumë, nivelin e sigurisë në këtë zonë, skaji jugor i Shqipërisë, që duhet të jetë po ashtu një nga modelet më të mira të saj.