Në Parkun e Apollonisë, Ministri Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive në qark, drejtues të PSH dhe IKMT - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/06/2020

Në Parkun e Apollonisë, Ministri Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive në qark, drejtues të PSH dhe IKMT

VIDEO Fier – Ministri Lleshaj, takim me kryebashkiakët, zyrtarët vendorë, policinë dhe IKMT për sezonin turistik, mjedisin, luftën antikanabis, rendin

Në Parkun e Apollonisë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive në qark, të zgjedhur dhe përfaqësues vendorë të qarkut Fier, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, me fokus masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, luftën antikanabis, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Pjesë nga fjala e ministrit Lleshaj:

✅ Së pari, ju falënderoj për pjesëmarrjen kështu të gjerë dhe pothuajse të gjithë ata që kishin mundësi për t’u bërë bashkë në këtë vend të vogël dhe në kushte distance. Fillimisht dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë dhe Prefektin për zgjedhjen e këtij vendi, i cili na jep mundësinë edhe për të dhënë një mesazh të rëndësishëm, sepse nuk mund të kishim një vend më të mirë sesa Apollonia për të folur së bashku për çështje të rëndësishme që preokupojnë të gjithë shoqërinë shqiptare në këto ditë.

E duke qenë se vijmë pas një, ndoshta ende, në një situatë pandemie, një situatë ku shumë rrjedhat normale janë ndërprerë prej saj, ndër to edhe turizmi si një ndër gjeneratorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, është ndoshta Apollonia vendi i duhur për të thënë që ne duhet të kompensojmë Covid-in, të kompensojmë dëmet e pandemisë, të kompensojmë dëmet e mëdha në turizmin e vendit, përmes zgjedhjes së adresave kombëtare për qëllime turistike.

Shumë shqiptarë për shumë e shumë vite kanë zgjedhur adresa jashtë Shqipërisë në mënyrë krejt të natyrshme dhe normale. Por sivjet ndoshta është koha për të thënë që duhet të zgjedhim adresa shqiptare edhe për të kompensuar edhe për të relativizuar faturën e rëndë që shumë njerëz, shumë biznese, ekonomia në tërësi i ka paguar për shkak të pandemisë.

Nga ana tjetër është rasti për t’i ftuar të gjithë shqiptarët e shumtë që banojnë në Rajon, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, Itali e me radhë, që këtë vit më shumë se kurrë ta zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e parë të pushimeve, apo të udhëtimeve të tyre.

Në kuadër të Shqipërisë të zgjedhin Qarkun e Fierit, si një ndër qarqet që për arsye që vështirë t’i kuptojnë nuk renditen në krye të adresave turistike të vendit. Megjithëse është një ndër qarqet që ka një ofertë dhe një larmi turistike të jashtëzakonshme, që fillon nga trashëgimia e madhe historike, ajo kulturore, siç është Apollonia, një adresë më shumë se shqiptare për turizmin, dhe pastaj asetet e jashtëzakonshme të potencialit natyror, përmendim Karavastanë, Divjakën, lagunat, pasurinë e jashtëzakonshme që kanë njohur këto asete vitet e fundit, duke u bërë edhe tituj botërorë në mediat botërore.

Ky potencial ka marrë jetë edhe falë masave të jashtëzakonshme të marra gjatë këtyre viteve për mbrojtjen e natyrës. Përmes një serie ligjesh dhe moratoriumesh, për fat të keq jemi detyruar për të patur moratoriume, por për fat të mirë kanë dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm, spektakolar në rigjenerimin e natyrës, në rikthimin e faunës, në gjallërimin e florës, dhe në krijimin e kushteve që vendi të marrë atë trajtë që duhet të ketë një vend normal që pretendon të zhvillojë turizmin.

Besoj masat e marra deri tani dhe ato që kemi në plan do të kontribuojnë ndjeshëm për të kompensuar dëmin e kësaj pandemie botërore, e cila si kudo edhe në Shqipëri ka sjellë dëme, por të menaxhuara mirë prej nesh, me pasoja jo shumë të rënda si në vendet e tjera të botës, në jetë njerëzish, etj.

Turizmi dhe masat për sezonin turistik do të jenë ai instrument që do të na ndihmojë për ta relativizuar dëmin, dhe këtu kërkohet bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe angazhimi i autoriteteve për të krijuar kushtet perfekte që ky të jetë sezoni më cilësor, dhe këtë ne mund ta realizojmë.

Por duhet të kemi parasysh, për të menaxhuar me sukses këtë fazë të hapjes, mbetet me rëndësi për të thënë që jemi ende herët për të kaluar në trajtën normale të jetës. Është e rëndësishme që qytetarët ashtu siç e bënë vetë karantinën, nuk e bënë as shëndetësia, as policia, ndaj duhet që bashkëpunimi të vazhdojë në këtë përpjekje të përbashkët që mos të zhbëjmë atë që kemi kaluar.

Në të njëjtën kohë detyra marrin institucionet e shtetit, ato të shëndetësisë, të inspektorateve të ndryshme, Policia gjithsesi, për të ndikuar dhe për të parandaluar që individë të veçantë të shkaktojnë dëm të madh. Pra ata që ofrojnë shërbime gastronomie, institucione të tjera të cilët duhet të kontribuojnë për respektimin e masave të këshilluara nga autoritetet shëndetësore, me qëllim që të mos kemi kthim mbrapa. Sigurisht Fieri mbetet ndër qarqet që e ka menaxhuar shumë mirë pandeminë, por mbetet thirrja për të duruar edhe pak.

✅ Një çështje tjetër është çështja e mbrojtjes së mjedisit dhe e luftës kundër krimit mjedisor. Ne si shoqëri sot jetojmë në ato që na ka dhënë Zoti, më shumë se në ato që kemi ndërtuar vetë. Për arsye se pak kemi ndërtuar vetë, edhe ajo që është ndërtuar mund të jetë prishur. Ajo që na mban ne gjallë si shoqëri është kjo tokë ky mjedis këto resurse natyrore që kemi. Mbrojtja e tyre është mbrojtja e bazave të jetës tonë ekonomike, shoqërore e kulturore.

Ndaj e them shpesh që Shqipëria sot kërcënohet nga dëmi që i bëjmë vetë mjedisit, që i bëjmë ajrit, që i bëjmë tokës, që i bëjmë ujit. Mbrojtja e tyre nga krimi mjedisor është një detyrë e rëndësishme për të cilën Ministria e Brendshme, tashmë edhe në cilësinë e institucionit që ka nën përgjegjësi edhe inspektimin e mjedisit, ka shpallur si prioritet të madh dhe në këtë kuadër.

Policia e Shtetit dhe IKMT-ja kanë marrë detyra të qarta dhe kanë zhvilluar programe shumë të sakta precize, lidhur me masat që duhen marrë ndaj parandalimit të krimit mjedisor.
Krimi mjedisor sjell dëme shumë herë më të larta nga figurat e tjera të krimit, ndonëse në Shqipëri flitet për ditë për krimet e rënda, për krimin e organizuar, apo figurat e tjera të krimit.

Dëmi që vjen nga krimi mjedisor është shumë herë më i lartë, vetëm se është një dëm, i cili nuk perceptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të gjithë në kohën dhe në mënyrën e duhur.

Ndotja e ujit dhe ajrit na shkakton dëme të jashtëzakonshme. Derdhja e gjithçkaje në lum shoqërohet me dëme të jashtëzakonshme për bujqësinë. Të gjitha ato që derdhim në lumenj i marrim përmes produkteve bujqësore ose i gjejmë në plazhin më të afërt.

U bëj thirrje të gjithë atyre që shkaktojnë ndotje në lumenj, të marrin masa për të ndërprerë këtë veprimtari dëmtuese dhe kriminale ndaj mjedisit, për arsye se ajo si e tillë do trajtohet nga organet ligjzbatuese. Me keqardhje e them që përditë po vihen gjoba të rënda, ndaj atyre që dëmtojnë mjedisin.

✅ Çështje tjetër është lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, sepse para së gjithash, kanabisi prodhon krim të vazhdueshëm, është një gjenerator e burim kriminaliteti i cili thellohet pa ndalur. Dhe krimi nuk mund të luftohet duke i prerë degët, por duhen prerë rrënjët e tij, dhe kanabisi është në rrënjë të krimeve në Shqipëri. Prej kanabisit janë rritur e fuqizuar ekonomikisht individë apo grupe kriminale, duke sjellë dëme të jashtëzakonshme, për shkak se përditë prodhojnë krim përmes konflikteve mes tyre, por edhe për dëmin që shkaktojnë për imazhin e vendit tonë.

✅ Diçka tjetër që dua të theksoj, është angazhimi ynë për ta thelluar luftën kundër krimit të organizuar përditë e më tepër. Fieri është një nga qarqet më të mëdha në vend, me dendësi popullsie, me përqendrim të madh të bizneseve dhe resurseve natyrore dhe për rrjedhojë, me potencial për të pasur veprimtari kriminale, sepse dihet që krimi shkon aty ku është ekonomia, ku janë paratë, njerëzit, prandaj detyrat dhe sfidat e policisë këtu janë shumë të larta.

Ka filluar me shumë intensitet dhe sukses zbatimi i “Operacionit Forca e Ligjit”, i cili synon të godasë një ndër burimet e krimit që janë, asetet dhe financat kriminale. I gjithë ky proces ndjek një qëllim të vetëm, – të kontribuojë për të shteruar burimet që financojnë krimin. Krimi nuk mund të jetë një biznes. Me këtë jo vetëm e luftojmë por edhe e parandalojmë krimin, duke u thënë të rinjve që joshen për t’u futur në rrugë kriminale se me këtë rrugë nuk mund të ketë sukses, nuk ia vlen, pasi një ditë ajo pasuri do t’ju konfiskohet.

Gjykata tashmë ka dhënë vendimet e para për sekuestrimin e aseteve, resorteve, pasurive të patundshme, të cilat tashmë do i kalojnë publikut, qytetarëve, duke i kthyer në shkolla, qendra shëndetësore, komisariate policie, qendra sociale.

Në lidhje me policinë, ne do të vazhdojmë t’i rrisim kapacitetet e saj. Unë e di që në qarkun e Fierit jemi debitorë, në kuptimin e investimeve dhe mbështetjes së kapaciteteve të policisë, për Komisariat policie në Roskovec dhe investime të tjera që duhen bërë dhe do t’i bëjmë. Sigurisht periudha 2019-2020 na ka shtyrë në kohë shumë plane, për arsye tashmë të njohura, tërmetet dhe epidemia.

✅ Vetingu do të vijojë punë e vet ndërsa dje u miratua një ndryshim në ligjin për vetingun në Policinë e Shtetit, i cili synon t’i japë më shumë kohë institucioneve të vetingut. Vetingu nuk bëhet për Policinë e Shtetit e cila është në krye të institucioneve që gëzojnë besimin e publikut në Shqipëri, por megjithatë brenda saj ka nevojë për veting, i cili bëhet ndaj individëve, që si në çdo organizatë të madhe, nuk mungojnë, të jenë të përfshirë në çështje që nuk duhet të ishin përfshirë.

Kërkojmë edhe bashkëpunimin e publikut, në mënyrë që ne të kontribuojmë të gjithë për të parë te policia vetveten, por edhe t’i kërkojmë llogari dhe ta bëjë detyrën ashtu siç duhet, si një polici e qytetarëve, pasi pavarësisht emrit Polici e Shtetit, ajo është Polici e komuniteteve, qytetarëve, dhe si e tillë duhet kuptuar.