Operacione kundër kultivimit të kanabisit në disa qarqe të vendit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/05/2020

Operacione kundër kultivimit të kanabisit në disa qarqe të vendit

14 maj 2020/Berat – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.

Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të kanabisit në Skrapar.

Goditet edhe një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, në Berat.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa kanë vazhduar kontrollet masive në të gjithë territorin e Qarkut Berat.

Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Q., 27 vjeç, banues në Bersak, Skrapar dhe proceduan penalisht shtetasin S. Gj., 69 vjeç, banues në Bersak, Skrapar.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në afërsi të stanit të tij, në fshatin Krastë, Skrapar, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar fidanë të dyshuar narkotikë.

Gjithashtu, nga ana e specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta kokainë dhe heroinë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. S., 30 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e strukturave të Policisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7 doza kokainë, 15 doza kanabis dhe një sasi farash narkotike për kultivim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

 

14 maj 2020/Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Zall Bastari”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune investigative dhe hetimore, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacioni policor “Zall Bastari”, në kuadër të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

– I. M., 45 vjeç, banues në Tiranë;
– Q. M., 68 vjeç, banues në Tiranë;
– B. H., 44 vjeç, banues në Tiranë;
– L. M., 44 vjeçe, banuese në Tiranë;

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve N. M., 44 vjeç dhe F. M., 43 vjeçe.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Zgurë”, Njësia Administrative Zall Bastar, në një serë kanë kultivuar në kubikë fara narkotike, të cilat po tentonin t’i mbillnin në tokë.

Kubikët me fidanë kanabisi u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë e tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autoreve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

 

13 maj 2020/Fier – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit nga strukturat e Policisë dhe informacioneve të mara nga qytetarët është bërë i mundur parandalimi dhe goditja e një tentative për kultivim të bimëve narkotike.

Sekuestrohen fidanë narkotikë, vihet në pranga një shtetas.

Shërbimet e Policisë Fier, në vijim të kontrollit të pandërprerë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative nga qytetarët, kanë bërë të mundur që në fshatin Buzmadh të parandalojnë dhe të godasin një tentativë të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe sekuestruan rreth 350 fidanë narkotikë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit që po tentonte për t’i kultivuar:

G. Y., 31 vjeç, banues në Buzmadh, Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

 

12 maj 2020/Peqin – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Sekuestrohen 300 kubikë të mbjellë me fidanë kanabis, tre automjete, një sasi lekësh e sende të tjera.

Vihen në pranga dy shtetas dhe një shpallet në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me forcat operacionale të DVP Elbasan, në zbatim të planit operacional për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat i kontrollit të territorit, kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, në vendin e quajtur ‘’Zgabel i Madh’’, në fshatin Pajovë të Njësisë Administrative Pajovë të Bashkisë Peqin, shtetasit:

K. D., 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Sh. K. 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pajovë, Bashkia Peqin.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 300 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, kubikë me pleh për të kultivuar fara kanabisi, një pajisje me helikë centrifugale me motor me depozitë karburanti në të, çadër si ato ushtarake, një sasi lekësh, tre automjete fuoristrada pa targa, në pronësi të shtetasit Sh. K. dhe pajisje shtëpiake.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Elbasan, për veprën penale ‘’Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim’’.