Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në emisionin “Hard Talk", me gazetarin Roland Qafoku - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/05/2020

Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në emisionin “Hard Talk”, me gazetarin Roland Qafoku

VIDEO E PLOTË – Biseda

Pjesë nga intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në emisionin “Hard Talk”, me gazetarin Roland Qafoku në #Fjala.al

 

Pyetja: A mund të na e shpjegoni çështjen e moshës së policëve dhe daljen në pension se ndoshta ka dhe ndonjë keqkuptim?

Ministri Lleshaj: Ka keqkuptime. Sigurisht që vendimi i qeverisë për të miratuar vendimin për trajtimin financiar të punonjësve të policisë që dalin para kohe nga shërbimi është një nga investimet më të mëdha, më serioze, në mbështetje të policisë së shtetit.

Policia e Shtetit është një strukturë e cila e kryen angazhimin e saj përmes shumë elementëve ku elementi fizik ka një rëndësi të dorës së parë, pra patrullimi, kontrolli i territorit, përballimi i konflikteve, zgjidhja e konflikteve, përballimi i turmave, përballimi i ngjarjeve masive, monitorimi dhe patrullimi i kufijve, e shumë e shumë të tjera që kërkojnë njerëz me parametra fizik të përshtatshëm për të kryer këtë punë me angazhim të lartë fizik. Për këtë arsye kërkohet që policia jonë përveç se duhet të shtohet në numër, duhet edhe të rinohet në moshë për arsye se kemi një moshë mbi 45 vjeç si moshë mesatare e cila është shumë e lartë me vendet të cilat ne krahasohemi. Vendet e rajonit dhe më tej.

Dhe që të adresohet kjo çështje ka dy rrugë; ose t’i nxjerrësh pa i trajtuar njerëzit duke i thënë që nuk plotëson parametrat fizikë, kushtet janë këto, mirupafshim shko te shtëpia, ose t’i nxjerrësh duke i trajtuar. Ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Ne do t’i nxjerrim atëherë kur është e domosdoshme. 55 vjeç e lart do të thotë mbi 55, pra mund të jetë 56, 60,61 varet…

Ata që do të dalin do të jenë jashtë shërbimit, do të marrin një trajtim financiar. Pastaj përveç trajtimit financiar përfitojnë edhe trajtime të tjera nga sigurimet shoqërore për shkak të pensionit. Dhe në total trajtimi financiar i tyre shkon afërsisht sa rroga që kanë sot. Por nuk do të thotë që kjo do të aplikohet masivisht sepse kjo varet nga fuqia jonë financiare. Varet rast pas rasti dhe nga buxheti. Nëse do kemi buxhet do ta aplikojmë, nëse nuk kemi do rrimë me këtë që kemi, por e rëndësishme është kjo që punonjësit e policisë janë të garantuar plotësisht që edhe nëse do të dalin nga shërbimi këtu nuk do tu cënohet asgjë nga standarti i jetës dhe nuk do rrezikohen nga “përfundimi në rrugë” dhe ky është gjithë qëllimi.

Pyetja: Zoti ministër unë e përmenda që ju keni 1 vit e gjysmë në këtë detyrë dhe në intervistën e kaluar që kemi zhvilluar bashkë keni thënë: “në përgjithësi punët kalojnë në këtë trajektore: Në fazën e parë merren me entuziazëm, pastaj ka një fazë të dytë që është kthjellimi, pastaj është faza e tretë që është turbullimi. Faza e katërt është paniku. Faza e pestë është kërkimi i fajtorit. Faza e gjashtë është ndëshkimi i të pafajshmëve e kështu me rradhë. Fazën e parë e kam tejkaluar se nuk e kam pasur entuziazmin, kështu që e kam filluar disi në mënyrë jo tipike. Dhe nuk e din ë cilat faza do shkoj, por jam te kthejllimi dhe shpresoj të mbetem këtu pa rënë në faza të tjera.” Te cila fazë jeni?

Ministri Lleshaj: Besoj se jam ende aty, te faza e kthjellët. Nuk kam pasur as mundësi, as kohë për të kaluar në ndonjë fazë tjetër për arsye se dhe dinamika ka qenë aq e lartë saqë nuk na ka lënë kohë të kalojmë përtej kthjellimit.

Pyetje: Si mund të jesh i kthjellët në këto ngjarje kaq të rënda, kaq ndikuese, tronditëse për vendin?

Ministri Lleshaj: Po kthjelltësia mendoj unë vjen gjithmonë nga balanca e brendshme. Nëse ti ke një balancë të brendshme nuk humbet kthjelltësia. Nëse ti e ke seriozisht dhe nëse ti e ke drejt orientimin tënd, mendoj se nuk shkon në faza të tjera. Sigurisht fazat e tjera nuk janë të përjashtuara, por besoj se balanca e brendshme dhe drejtësia e axhendës është e rëndësishme, nuk të lënë të shkasësh në udhë të gabuar apo në ujra të turbullta.

Pyetja: Zoti ministër si i keni kaluar këto ditë në karantinë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që ka qenë një periudhë tejet e pazakontë, besoj se pak muaj para pandemisë askush në botë nuk mund të imagjinonte që bota do kalonte në këtë gjendje. Kështu që ishim dhe jemi në një situatë ku ndryshuan të gjithë parametrat, mbi të cilët ne ndërtojmë ekzistencën tonë në këtë tokë. Erdhëm në një situatë ku puna nuk duhej bërë, ku shkolla nuk duhej bërë, ku të gjitha gjërat normale nuk duhen bërë. Patjetër që ishte sfidë e madhe dhe ka kërkuar një angazhim të madh nga strukturat kryesisht të policisë së shtetit. Për mua personalisht ka qenë si të gjithë shqiptarët e tjerë, nuk ka patur ndonjë gjë të vaçantë. Ne kemi qëndruar në punë, ky është paradoksi i strukturave të cilët janë “të dënuar” në një farë mënyre që gjithmonë duhet të bëjnë të kundërtën e asaj që bën shumica e shoqërisë në kohë krizash.

Pyetja: Gjatë pandemisë, keni qëndruar vetëm në zyrë?

Ministri Lleshaj: Jo, jo në shtëpi, edhe në zyrë, por në punë. Pa u shkëputur nga puna asnjë çast. Unë por më shumë se unë strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë të angazhuar në një regjim shumë të ngarkuar pune. Pothuajse 12 orë punë, 12 orë pushim. Duke mbajtur kështu një barrë jashtëzakonisht të madhe dhe besoj që edhe ky angazhim i madh i strukturave të policisë së shtetit ka kontribuar që përmasat e pandemisë të mbahen kufijve të kontrollueshëm.

Pyetja: Zoti ministër, a ka ndonjë çështje për të cilën ju mendoni ndryshe nga kryeministri Rama? Ju jeni natyrë e guximshme, por në një vit e gjysmë a ka patur çështje të tilla?

Ministri Lleshaj: Me kryeministrin sigurisht që ka patur dinamikë diskutimesh, jemi një qeveri ku diskutohet fort brenda, por jo jashtë.

Pyetja: Po pse po ta merrnim vesh ne se çfarë diskutohej do ishte gabim?

Ministri Lleshaj: Sigurisht, sepse në procesin e vendimmarrjes ka gjithmonë ide të ndryshme. Dhe vetëm kur vendimmarrja bazohet në rrahjen e gjithë opinioneve të ndryshme arrihet në një vendimmarrje pozitive dhe të qëndrueshme. Dhe ne si qeveri besoj se e kemi këtë fat, e kemi mundësinë që në momentin ku diskutohet secili e ndjen veten pjesë të asaj vendimmarrjeje. Sepse në një vendimmarrje, ku ti je pyetur, je dëgjuar, kur ajo merret, atëherë ti je pjesë e saj dhe është vendimi jot. Mbledhja e qeverisë është vetëm një akt final i një procesi vendimmarrës që zgjat. Çdo vendim qeverie ka momentin kur fillon, zhvillohet në nivelin e specialistëve, pastaj ngjitet më lart deri kur shkon te niveli i Sekretarit të Përgjithshëm dhe në fund kur vjen puna në mbledhjen e qeverisë, është një akti i cili thjesht sanksionon vendimmarrjen në gjithë këtë proces. Puna si formulohet një diskutim me kryeministrin është një gjë tjetër, por unë di që të paktën në kundërshtim me të gjithë bestytnitë që ekzistojnë për Edi Ramën sikur nuk e kërkon debatin, unë besoj të kundërtën, që e kërkon debatin dhe madje e pëlqen debatin. Po nuk bëhen në media debatet as të partisë, as të qeverisë, por që ka debate patjetër që ka. Dhe janë debate produktive, nuk janë debate shterpë.

Pyetja: Si është puna me atë gazin lotsjellës që e keni marrë në Kosovë?

Ministri Lleshaj: Gazi lotsjellës nuk është çështje fare e ndërlikuar. E kam thënë dhe e përsëris,fare e ndërlikuar nuk është. Gazi lotsjellës është mjeti që përdoret në mbi 190 shtete të botës për të zgjidhur situate të ndryshme ku jeta e qytetarëve ose e policisë vihet në rrezik. Futuni shihni se si është përdorur gazi rëndom në shumë polici të vendeve europiane, Amerikë etj. Nga Kosova u mor në një moment kur policia ka konstatuar një nevojë. Ishin premtuar gjëra të mëdha vitin e shkuar i keni harruar?! Çdo ditë flitej për apokalips në Shqipëri. Dhe policia ka marrë masat e veta, ka kërkuar por nuk e ka përdorur dhe është kthyer mbrapsht një sasi e vogël që është marrë.

Pyetja: Zoti ministër, keni thënë se “Policia shqiptare derisa të jem unë ministër i brendshëm do të ketë fytyrën time”. Si mund ta thoni këtë?

Ministri Lleshaj: E di ka shumë njerëz, edhe njerëzit e mi të afërt që ma thonë këtë. Unë e them prapë, si ministër, jo si person. Si individ askush nuk më përfaqëson mua, përveçse unë. Si Ministër sigurisht që më përfaqëson çdo polic dhe kur çedojnë policët, ka çeduar Ministria dhe këtë iu them edhe drejtuesve të policisë.

Ka një garanci absolute në këto raste, kushdo që çedon nuk e mbron asgjë në këtë tokë. Dhe nuk është çështje orësh, por sekondash për ta nxjerrë jashtë rradhëve të policisë. Nuk janë pak por janë shumë që gjatë kësaj periudhe që flasim janë dhjetëra e dhjetëra punonjës policie të cilët janë larguar pa nder nga Policia e Shtetit, i afrohen 100. Janë larguar sepse kanë konsumuar vepra që nuk pajtohen me statusin, me figurën e punonjësit të policisë.

Pyetja: Është e vërtetë që ditët e fundit janë zbuluar dy parcela me kanabis në Përmet dhe në Vlorë?

Ministri Lleshaj: Nuk kam dijeni, sigurisht që ka rëndom, ka raste që policia kap sasira të vogla, ka gjithmonë në ulje. Ky vit ka shënuar ulje akoma të rëndësishme. Duhet të keni parasysh që kanabis në sasi të vogla kultivohet edhe në Londër. Nuk është fjala që këtu e kemi zeruar në çdo tentativë kultivimi, por e kemi ulur. Raste sporadike ka, sigurisht që ka dhe përpjekja e Policisë së Shtetit për ta kontrolluar territorin në mënyrë rigoroze dhe për të goditur çdo rast vazhdon edhe sot. Tentativat tani janë të izoluara, në sipërfaqe shumë të vogla dhe në territore shumë të largëta. Kjo tregon se mbijetesa e këtij fenomeni në Shqipëri tashmë është e pamundur.

Pyetja: Në këto 30 vjet asnjë qeveri nuk ka marrë një mandat të tretë. Gati është rregull i pashkruar që një forcë politike qëndron deri në dy mandate. A mendoni se do e merrni një mandat të tretë?

Ministri Lleshaj: Nuk besoj se është rregull ky. Mbase do ishte mirë të shkruhej një rregull i ri.

Pyetja: Edhe një mandat të tretë do merrni?

Ministri Lleshaj: Këtë nuk e kanë në dorë partitë e kanë në dorë qytetarët. Nëse qytetarët e duan në një mandat të tretë PS, atëherë PS është e gatshme ta marrë këtë përgjegjësi.

Pyetja: Keni ambicie për të qenë deputet i PS?

Ministri Lleshaj: Në përgjithësi nuk bëj plane.

Pyetja: Po nëse ua propozojnë?

Ministri Lleshaj: Nuk e përjashtoj, por nuk është se bëj plane. Jeta të çon aty ku është një destinim. Plane bëj vetëm për institucionin.