Ministri Lleshaj inspekton masat e Policisë për kufizimin e lëvizjes në Kombinat, Vorë e rrethina - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/04/2020

Ministri Lleshaj inspekton masat e Policisë për kufizimin e lëvizjes në Kombinat, Vorë e rrethina

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zhvilloi sot një inspektim të masave për karantinimin që parandalon përhapjen e COVID-19, në zonën e Vorës, në Kombinat dhe disa rrethina të Tiranës. Ministri u shpreh se konstatoi me kënaqësi se masat e marra janë të plota dhe Policia e Shtetit është e angazhuar në të gjithë territorin e Shqipërisë për t’i zbatuar ato me rigorozitet të madh.

VIDEO – Prononcimi për media:

Është me rëndësi të theksojmë që tashmë jemi në një fazë vendimtare të përpjekjes tonë kundër virusit. Jemi pothuajse në pjesën më të përpjetë të kurbës dhe është shumë e rëndësishme të mos lëshojmë asnjë lloj angazhimi në këto momente për të pamundësuar kthimin prapa.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shifrat e fundit na tregojnë se pakujdesitë e vogla, ose papërgjegjshmëritë e vogla sjellin pasoja të mëdha.

Është përsëritur shpesh herë këto ditë se mjafton dhe një person i përgjegjshëm për ta ndërprerë një nga degët e përhapjes së virusit, ashtu sikur dhe nganjëherë mjafton dhe një person i papërgjegjshëm për t’i dhënë udhë një dege të re të zhvillimit të virusit.

Kërkohet nga të gjithë qytetarët angazhim dhe përgjegjshmëri e plotë për të zbatuar masat e dhëna.

Policia do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës dhe me rigorozitetin më të lartë për të kërkuar zbatimin rigoroz të masave dhe do të marrë masa ashtu sikundër edhe janë marrë masa ndaj disa qytetarëve, të cilët në kushtet e papërgjegjshmërisë kanë shkelur rregullat dhe kanë rritur risqet për përhapjen e këtij virusi.

Gjithashtu dua të them që një aspekt tjetër i rëndësishëm i angazhimit të Ministrisë së Brendshme është përmes strukturave të tjera, të cilat janë të angazhuara në koordinimin e një aksioni të madh ndihme në shërbim të qytetarëve që duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Për sa kohë ne ju kërkojmë shumë qytetarëve që të qëndrojnë brenda, sidomos moshave të treta, do të duhet që këta t’i mbështesim përmes shërbimeve të Policisë, shërbimeve të Prefekturave, të Bashkive, të cilët, gjej rastin t’i falënderoj për punën e madhe që po bëjnë, Shërbimin Social, Forcat e Armatosura, e shumë e shumë strukturave të tjera shtetërore, që po angazhohen në ofrimin e një volumi të madh asistence dhe ndihme për qytetarët që qëndrojnë brenda.

Vlen po ashtu të theksohet konstatimi që disa tregje tërheqin vëmendje më të madhe të strukturave të Bashkive. Janë disa tregje të cilat nuk plotësojnë kushtet për të vepruar dhe për të ofruar shërbimin, për arsye të hapsirave të pamjaftueshme për qarkullimin e qytetarëve dhe meritojnë një trajtim, dhe një vëmendje të veçantë. Deri ndoshta edhe në mbylljen e ndonjë tregu, i cili nuk plotëson këto parametra të sigurisë.

Me këtë mundësi të komunikimit publik, gjej rastin të informoj qytetarët se Ministria e Brendshme ka marrë masa për të adresuar shqetësimin e shumë qytetarëve, të cilët në kushtet e mbylljes së sporteleve të aplikimit për Karta Identiteti janë gjendur në vështirësi pranë bankave kryesisht për të kryer veprime të ndryshme bankare, apo edhe për të përfituar mbështetjen financiare që qeveria ofron ndaj tyre.

Dua të them me këtë rast që dje i jam drejtuar me një shkresë zyrtare Bankës Qendrore dhe të gjithë bankave të nivelit të dytë, me kërkesën që këto të njohin si të mirëqena të gjitha kartat e Identitetit, të cilat kanë skaduar në vitin 2020, duke synuar që qytetarët të marrin shërbimet duke përdoruar kartat aktuale, derisa ne të kemi mundësinë për t’i rihapur sportelet dhe për të vijuar prodhimin e kartave të reja identitetit.