576 vite nga Besëlidhja e Lezhës/Lleshaj: Nuk kemi nevojë për Besëlidhje të re, duhet të ruajmë Besëlidhjen e vjetër - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/03/2020

576 vite nga Besëlidhja e Lezhës/Lleshaj: Nuk kemi nevojë për Besëlidhje të re, duhet të ruajmë Besëlidhjen e vjetër

576 vite nga Besëlidhja e Lezhës – “Nuk kemi nevojë për Besëlidhje të re, duhet të ruajmë Besëlidhjen e vjetër”

VIDEO – Përshëndetja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në aktivitetin përkujtimor për nder të Besëlidhjes së Lezhës:

I nderuar Kryetar i Bashkisë,
I nderuar Prefekt,
Të nderuar autoritete të ftuar e të tjerë,
Zonja e zotërinj, vëllezër e motra!

Është vërtetë kënaqësi që jam sot këtu në Lezhë, në vendin e duhur siç e tha dhe Kryetari i Bashkisë, dhe në ditën e duhur, për të përkujtuar një ngjarje, e cila është më e madhe se sa vetë Lezha, është një ngjarje që i përket gjithë Shqipërisë.

576 vite që besoj është kujtuar përherë kjo ngjarje dhe do kujtohet edhe për sa kohë do të ketë Shqiptarë mbi dhé, paraqesin një shifër shumë të rëndësishme.

Besëlidhja e Lezhës pavarësisht se përkufizohet si e Lezhës, është një ngjarje e cila i përket gjithë Shqipërisë.

E vetmja vërejtje në se do të kërkonim një vërejtje për sot, është që kemi një sallë të vogël, sepse gjithmonë kur të kujtojmë këtë ditë, duhet të kemi gjithë Shqipërinë dhe gjithë Shqiptarët në njëfarë mënyre të përfaqësuar, sepse kjo përfaqëson momentin e parë, të provuar historikisht, kur shqiptarët kanë arritur të bëhen bashkë dhe të krijojnë një shtet, madje një shtet shumë modern sipas një formule jashtëzakonisht moderne, e cila dhe sot e kësaj dite, provohet si e tillë.

Në qoftë se kemi parasysh fjalë për fjalë, Zvicra është një shtet, i cili përkufizohet si besëlidhje, që mbahet një nga demokracitë më të vjetra në Europë. Dhe po kjo formulë u zgjodh nga Skënderbeu, i cili arriti të bëjë bashkë princat shqiptarë. Dhe ne sot në fakt nuk kujtojmë thjesht Skënderbeun, se Skënderbeun e kujtojmë në shumë raste të tjera, por kujtojmë gjithë princat shqiptarë, të cilët arritën të bëhen bashkë dhe të realizojnë një monument historik të pashembullt. Për arsye se do të kemi parasysh faktin, që në atë kohë kur këtu në Lezhë krijohej një Lidhje, një Besëlidhje e madhe antiosmane, pjesa më e madhe e kontinentit, pra, pjesa lindore e jugore e saj kishte rënë, duke filluar nga Stambolli e deri në thellësi të kontinentit. Të gjithë fqinjët tanë ishin vasalë ndërkohë, por jo Skënderbeu, jo shqiptarët.

Gjithmonë më ka intriguar pyetja se si do të ishte, si do të mund të kishte qenë historia shqiptare, historia jonë, identiteti jonë, nëse asaj do t’i mungonte pikërisht Skënderbeu, nëse do t’i mungonte “Besëlidhja e Lezhës”, dhe epopeja e jashtëzakonshme e rezistencës së shqiptarëve në kushte heroike për 25 vjet, të cilat na bëjnë ne sot që të kemi një element ngjizje kombëtare të pashembullt, që s’e kanë shumë kombe të tjera?

Kjo duhet të na bëjë krenarë, por njëkohësisht duhet të na bëjë edhe të përgjegjshëm, sepse jemi bartësit e një amaneti shumë të madh historik.

I përmendi prof. Xhufi, tentativat e dëshpëruara për të relativizuar përmasën e jashtëzakonshme të Skënderbeut dhe të Besëlidhjes së tij. Sigurisht janë përpjekje të dëshpëruara për arsye se Skënderbeun e mposhti vetëm ai që e kishte krijuar, e mposhti vdekja. Nuk e mposhti asnjë betejë. Arriti të shkojë në amshim i pamposhtur. Kështu që nuk mund të mposhtet ‘postum’, pas vdekjes së tij. Aq më tepër që nuk mund të mposhten as vetë shqiptarët, të cilët mbajnë në ADN-në e tyre mesazhin e vet Skënderbeut.

Megjithatë ka një rëndësi që besoj vlen që në këto ditë të reflektojmë pak për arsye se ne sa herë mblidhemi për të nderuar Skënderbeun apo princat e tij, në fakt ne duhet të nderojmë veten tonë me këtë, sepse Skënderbeu i ka marrë gjithë nderet e duhura, dhe ne s’kemi mundësi as ta nderojmë, as ta çnderojmë.

Ajo që ne kemi mundësi dhe detyrë është që të reflektojmë për mesazhin e tij të jashtëzakonshëm. Sa herë vjen puna për këto reflektime më kujtohet një vepër e mrekullueshme e Fishtës, megjithëse Fishta nuk ka vepër që s’është e mrekullueshme, titullohet “Nen hajat t’Parrizit”, besoj që shumë prej jush e njohin, por mbase ka ndonjë që nuk e njeh dhe për atë po them vetëm pak, fabulën…

“Skënderbeu, në botën e amshueme, në parajsë, në parriz, i mërzitur se s’po vinin më shqiptarë në parajsë, del te dera, takon Shën Pjetrin, i cili është roja i derës së parajsës dhe i thotë që “dua të dal, dua të shkoj të shoh se çfarë bëhet në Shqipëri, se nuk kam lajme nga Shqipëria”. Sepse nuk vinin më shqiptarët në parajsë, sepse e kishin humbur rrugën siç duket. Vepra e Fishtës është e vitit 1914. Dhe pas shumë diskutimesh, Shën Pjetri thotë: “Po, dil, do të të pranoj prapë! Shko e shihi, por çfarë do të kërkosh atje?”

Ndërkohë kur del aty në portë, kalon atypari “djalli” dhe i thërret Shën Pjetri: “Hajde këtu, sepse ti prej andej po vjen!” Sepse në fakt prej andej vinte dhe e pyet: “Çfarë bëhet nga Shqipëria? – Mos e pyet, – thotë djalli, – kam ikur edhe unë, sepse nuk rrihet! Si janë shqiptarët?” – e pyet Skënderbeu. “Si i do armiku. Po grihen me njëri-tjetrin, po shahen, po zihen. Çdo çaush beledije, kërkon me u bë mbret! Hall i madh”. Edhe i pasqyron një dramë të vërtetë të Shqipërisë të viteve që sapo ishte krijuar.

Por në moment hyn Shën Pjetri në lojë dhe thotë: “Gjergj, largoju këtij se ky djall është. Ato punët e veta do të thotë. Por Shqipërinë ka me e ruajt Zoti, sepse ai i bën punët e mira. Ka me e ruajt Zoti, për inat të djallit dhe të shqiptarëve!”

Do të doja që sot në këtë ditë, që është unike dhe duhet të ngelet e tillë, e pakonkurrueshme, të them që ne si shqiptarë nuk kemi nevojë besoj unë për Besëlidhje të reja! Ajo që kemi nevoje ne është që të ruajmë Besëlidhjen e vjetër, sepse jo sa herë kemi hall, duhet të bëjmë besëlidhje të reja, mbi parime të reja.

Në fakt vlera jonë qëndron si komb, si qytetarë, si shqiptarë, që ta ruajmë atë Besëlidhjen e vjetër, të pakorrigjuar, ashtu autentike, si na e la Skënderbeu, si na e lanë Princat shqiptarë, për të vazhduar në mesazhin e saj të madh që është një Shqipëri më e mirë, një Shqipëri europiane dhe një Shqipëri e denjë për të jetuar nga të gjithë ne.

Faleminderit të gjithëve!