Antikanabis - Operacion policor masiv në të gjithë vendin - Ministria e Brendshme
Postuar më: 26/02/2020

Antikanabis – Operacion policor masiv në të gjithë vendin

Operacion policor masiv në të gjithë vendin, për kontrollin e serave, tuneleve, ish-reparteve ushtarake, zonave të pyllëzuara, banesave të braktisura, ambienteve të mbyllura, magazinave, vilave e banesave të dyshuara, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni, pas detyrave të dhëna një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit me zëvendësdrejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve.

Në operacionin masiv që ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe është në vijim janë duke kryer kontrolle në terren, 445 grupe kontrolli, ku janë angazhuar 2,225 punonjës policie të strukturave të Drejtorive Vendore të Policisë dhe të Policisë Kufitare.

Operacioni monitorohet nga drejtorët e departamenteve dhe drejtorët e drejtorive qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në gjithë vendin janë ushtruar 6,724 kontrolle, nga këto: 4956 në sera, 457 në tunele, 211 në ish-reparte ushtarake, 546 në ish-rezerva dhe magazina shtetërore, 249 në banesa të pabanuara, 34 në vila dhe banesa të dyshuara, 271 në objekte të ndryshme dhe territore të pyllëzuara që dyshohet se mund të shfrytëzohen për kultivim të bimëve narkotike.