SIGURIA RRUGORE 2020 - Prezantohet analiza e situatës dhe propozimet për ndryshime në Kodin Rrugor - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/01/2020

SIGURIA RRUGORE 2020 – Prezantohet analiza e situatës dhe propozimet për ndryshime në Kodin Rrugor

SIGURIA RRUGORE 2020

Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në tryezën e analizës së situatës dhe masat për rritjen e sigurisë rrugore:

Përshëndetje,

Takimi ka një rëndësi të madhe dhe dua të them që në krye të herës që është vetëm hapi i parë, një përpjekje fillestare, për të nxitur një diskutim të madh, i cili do të vijojë gjatë gjithë vitit 2020 në kuadër të asaj që u shpreh, që 2020-ta është viti i sigurisë rrugore.

U tha një lajm i mirë nga Drejtori i Policisë që përgjatë 10 viteve të fundit kemi një rënie, të vazhdueshme të numrit të aksidenteve dhe të pasojave fatale  në qarkullimin rrugor.  Pra kemi rreth 40 % zbritje të numrit të fataliteteve në rrugë në harkun e 10 viteve.

Ky është lajm i mirë, madje lajm shumë inkurajues, megjithatë ka dhe një lajm të keq, që vetëm në 2019-ën, kemi humbur jetën e 227 qytetarëve shqiptarë në rrugët e vendit, shifër, e cila është pothuajse 5 herë më e lartë se shifra e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri.

Pra, gjithë kriminaliteti në vend prodhon rreth 50 të vrarë në vit, edhe kjo në rënie drastike krahasuar me të kaluarën, por gjithsesi është një numër i madh qytetarësh shqiptarë që humbin jetën. Ky numër nuk mund të pranohet, dhe ne sot jemi këtu pikërisht për t’u marrë me lajmin e keq. Kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit, dhe ky numër duhet të ulet në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu duhet të ulet dhe numri i aksidenteve dhe i dëmeve të tjera, që sjell mosrespektimi i rregullave në rrugë, dëme në plagosje, dëme të panumërta materiale e të tjera me radhë.

Diskutimi që zhvillojmë sot është pjesë e programit të rëndësishëm të aktiviteteve që ne kemi planifikuar të zhvillojmë me qëllim përfshirjen e të gjithë aktorëve në këtë proces të rëndësishëm diskutimi, qoftë të autoriteteve shtetërore, ekspertëve, shoqërisë civile, medias, publikut të gjerë, me qëllim hartimin e një pakete të plotë masash, të cilat do të adresojnë problematikën që kemi me qarkullimin rrugor.

Paketa parashikohet të ndërhyjë në shumë aspekte. Unë po listoj disa gjëra që ne kemi menduar deri tani, sigurisht që kjo do të plotësohet përmes kontributeve të të gjithë aktorëve të ftuar këtu, apo dhe publikut për të cilin do të ndërtojmë platforma komunikimi edhe përmes mediave elektronike, në mënyrë që të mbledhim sa më shumë inpute nga të gjithë të interesuarit, nga të gjithë qytetarët, por edhe siç thashë dhe nga ekspertët dhe profesionistët e fushës.

Së pari, ne synojmë të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme në Kodin Rrugor, u përmendën shkurtimisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, akte të tjera ligjore dhe nënligjore që merren me rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qarkullimin rrugor.

U përmend celulari, mbetet një burim shqetësues aksidentesh në rrugët e vendit, dhe duhet të merren po ashtu masa për ta kufizuar, mundësisht ndaluar rreptësisht, përdorimin e tij gjatë drejtimit të automjetit.

Alkooli po ashtu meriton prapë vëmendje të re, për arsye se prapë ka shumë raste. Vetëm për një javë janë hequr 371 leje drejtimi, vetëm për një javë. Dhe ende persiston një lloj sjelljeje e papranueshme, agresive, shpejtësi, gara e të tjera me radhë, narkotikët.

Kujdesi ndaj fëmijëve që udhëtojnë në automjetet tona. Ka shumë, shumë sjellje unikale; fëmijë që mbahen në prehër nga drejtuesi i mjetit, fëmijë që mbahen në sediljen e parë, fëmijë që janë në sediljen e pasme, por janë të papajisur me karriget e posaçme, që duhet të kenë fëmijët, ashtu siç ndodh në çdo vend të BE dhe kjo duhet të ndodhë. Edhe fëmijët tanë duhet t’i nënshtrohen të njëjtës mbrojtje dhe kujdes që ndodh edhe në vendet e tjera të BE. Qoftë përmes kujdesit dhe përgjegjshmërisë të atyre që drejtojnë mjetet, por qoftë edhe përmes kujdesit dhe angazhimit të strukturave shtetërore për të mos lejuar që të sillemi me papërgjegjshmëri me fëmijët tanë.

Sjellja agresive në rrugë është një fenomen, i cili në rrugët e Shqipërisë bie në sy, sidomos presioni ndaj atyre që ecin normalisht, që ruajnë shpejtësinë. Pra, ata që duan të tejkalojnë shpejtësinë bëjnë presion mbi ata që sillen normalisht, është një sjellje mjaft e rrezikshme, që në vendet e BE dënohet shumë ashpër, madje arrin në kufijtë e penales kjo lloj sjellje, që i turresh tjetrit me centimetra distancë mbrapa, për ta detyruar që ose të shmanget ose të ecë shpejt. Shpejtësia, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë kategori sjelljesh, do të adresohen në ndryshimet e reja në Kodin Rrugor të Shqipërisë.

Një rubrikë tjetër e rëndësishme do të jetë rritja e përgjegjshmërisë dhe aftësive për përdoruesit e rrugës. Ne kemi ende përdorues rruge, të cilët nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë. Dhe rritja  e përgjegjshmërisë së përdoruesve të rrugës, duke përfshirë nga drejtuesit e automjeteve tek qytetarët, kërkon një program të gjerë masash, që do të përfshijnë edukimin, në shkolla. Teste të vazhdueshme; ka ardhur koha të mendojmë për testet psikologjike, të cilat në rastet e drejtuesve që nuk plotësojnë, nuk sillen në përputhje me normat ligjore, por nganjëherë nuk sillen, ose tejkalojnë edhe disa norma të tjera të tjera të sjelljes në rrugë. Ka ardhur koha për të menduar, edhe për testet psikologjike që tentojnë të verifikojnë stabilitetin e sjelljes së tyre.

Në hapësirën gjermanike quhet “Idiotum Test”, pra “Testi i idiotit”, që bëhet rëndom, kur dikush sillet në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe para se t’i jepet mundësia për ta rimarrë lejen e drejtimit, duhet të provojë që është stabël në pikëpamje të sjelljes.

Historiku i sjelljes në rrugë, duhet që çdo drejtues automjeti të ketë një kartelë të tij, ku do t’i shënohet gjithçka që bën. Pra të ketë një biografi, që të ruhet në sistem, në mënyrë që në bazë të kësaj biografie të merren edhe masat e ardhshme me të, si dhe trajnimi i vazhduar, ose koha e vlefshmërisë së lejes së drejtimit. Ka ardhur koha për të parë se sa vlen një leje drejtimi.

Po kështu, u përmendën nga Ministrja Balluku shumë aspekte që kanë të bëjnë me sigurinë e rrugëve në vetvete me rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, në infrastrukturën rrugore, standardet e projektimit dhe ndërtimit, sinjalistika.

Një aspekt i rëndësishëm do të jetë përdorimi i teknologjisë moderne në funksion të sigurisë në qarkullim. Këtu është një hapësirë e madhe për të shpresuar për përmirësim dhe rezultate të reja.

Së pari, do të përqendrohemi në përdorimin e gjerë të sensorëve dhe sistemeve inteligjente të monitorimit të qarkullimit në rrugët e vendit, të cilat do të duhet që edhe të gjenerojnë në mënyrë automatike masat ndëshkuese ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit.

Kjo jo vetëm që do të rrisë performancën e gjithë këtij sistemi, do të kursejë shumë burimet e Policisë Rrugore, që sot angazhohen për të zëvendësuar sensorët, por edhe do të eliminojë, do të ngushtojë hapësirën e korruptimit, e cila ende është e pranishme në rrugët tona, me gjithë masat e mëdha të marra, me gjithë masat shumë të rrepta të marra. Vetëm këtë vit janë një numër shumë i lartë punonjësish policie, që janë ndëshkuar rëndë deri në arrest, apo në procedime penale për shkelje të Kodit të Etikës dhe të atributeve të tyre ligjore në qarkullim, përmes korrupsionit. Shpresohet fort që zëvendësimi i punonjësve të policisë me teknologji, do ta reduktojë edhe shumë më tepër këtë hapësirë.

Po mendojmë lidhur me targat inteligjente, jo në kuptimin thjesht të sigurisë në rrugë, por në kuptimin të sigurisë dhe të luftës kundër krimit.  Lëshimi dhe dërgimi automatik i gjobave administrative në adresat përkatëse, e të tjera masa të karakterit teknik, që do të hapin më shumë hapësirë për teknologjinë moderne në kontrollin e qarkullimit rrugor.

Një aspekt tjetër ku mendojmë që duhet të fillojmë të diskutojmë është kërkimi i masave dhe i mënyrave për të rritur përgjegjësinë e Auto-shkollave në përgatitjen e drejtuesve të automjeteve. Nuk ka vetëm thashetheme, por ka evidencë që në shumë raste Auto-shkollat nuk plotësojnë detyrimet ligjore për të përgatitur drejtues automjetesh, të cilët janë të aftë për të drejtuar dhe janë të përgjegjshëm për të dalë në rrugët e vendit me një armë të madhe që është automjeti. Automjeti në shumë raste është një armë në vetvete, kur përdoret keq. Dhe synohet të kërkojmë që të gjejmë mënyrë për ta lidhur profilin e një shkolle të caktuar, kredibilitetin e kësaj shkolle, me rezultatet që dëshmojnë në qarkullim nxënësit e saj.

Mendojmë që të propozojmë zgjidhje që kanë të bëjnë me akreditimin e Autoshkollave. Këto janë institucione që trajnojnë njerëz dhe këto duhet të jenë të licencuara, jo vetëm, por do të jenë dhe të akredituara dhe do të jenë përballë këtij presioni ligjor, publik, pozitiv që do thuhet ‘në qoftë se nxënësit tuaj dëshmojnë paaftësi, atëherë edhe shkollat përkatëse duhet të mbajnë përgjegjësinë e duhur dhe kreditet e tyre do të vijnë drejt zbritjes deri sa në një moment të caktuar mund t’u thuhet që licenca e dhënë nuk vlen më, për arsye se ju, në vend se të prodhoni drejtues automjetesh, keni prodhuar probleme për qarkullimin dhe për sigurinë e qytetarëve’.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me bashkëpunimin dhe koordinimin me agjencive shtetërore me përgjegjësi në këtë fushë. Dhe këtu gjej rastin edhe njëherë të ritheksoj bashkëpunimin shumë të mirë që është vendosur midis dy Ministrive (MB dhe MIE), të cilat në fakt në këtë fushë punojnë së bashku, punojnë si një ekip, sepse nuk ka rrugë tjetër për të punuar, por duhet të ndërtojmë edhe disa instrumente.

Ministrja Balluku e përmendi Qendrën Kombëtare të Kontrollit/Menaxhimit të Trafikut Rrugor, e cila do të jetë një instrument i rëndësishëm kombëtar që do të na mundësojë t’i monitorojmë rrugët, të kemi mundësi të ndërhyjmë në kohë reale, të koordinojmë përpjekjet e shumë e shumë gjëra tjera. Bëhet fjalë për një projekt të madh, por besoj që ky projekt meriton që ndoshta t’i dedikojmë një aktivitet të veçantë në momentin që do të jetë i pjekur për t’u prezantuar dhe për të mbledhur, pse jo, ndonjë kontribut të të gjithë atyre që mund të japin kontribute për këtë ide të rëndësishme.

Po ashtu ka rol të madh pushteti vendor, prandaj kemi ftuar bashkitë. Në fakt pjesë e madhe e problematikës në qarkullimin rrugor nuk ndodh në autostrada. Siç e patë edhe nga prezantimi, ndodh në rrugët e qyteteve, në rrugët urbane. Ka ardhur koha që drejtuesit e pushtetit vendor të futen më mirë në këtë rol për ta marrë në kontroll gjithë problematikën e qarkullimit në qendrat tona urbane.

Besoj ju ka rënë në sy që semafori është një teknologji që njihet vetëm në Tiranë, pra në të gjithë qytetet e Shqipërisë, sado të mëdha të jenë ato, madje qytete të mëdha, nuk gjen sot ende një semafor. Dhe vetëm kaq mjafton për t’i thënë çdo Kryetari Bashkie, që ka ardhur koha për të investuar diçka, jo të shekullit XXI, është i shekullit XX semafori, madje i fillimit të shekullit XX. Dhe duhet më së fundi të mbërrijë në kryqëzimet e qyteteve tona semafori, që nuk është ndonjë gjë e madhe. Por e mora sa për ta simbolizuar nevojën e jashtëzakonshme që kemi në të gjitha bashkitë tona për t’u përfshirë më fort në këtë proces.

Bëhen investime të mëdha, të jashtëzakonshme, të domosdoshme, në shumë e shumë raste dhe janë bërë kryevepra madje, por duhet të mendojmë edhe për këtë aspekt, i cili ka të bëjë me jetën e njerëzve, por dhe me funksionimin normal të qytetit, me hijeshinë e qytetit e me shumë e shumë gjëra të tjera.

Një gjë e rëndësishme tjetër, e cila sot vetëm sa përmendet, ka të bëjë me pyetjen se ne të gjithë investojmë përmes Siguracionit, për sigurinë tonë në rrugë. Dhe shtrohet pyetja: A do të mund të gjejmë një mënyrë që këtë pjesë të këtij investimi që ne bëjmë të gjithë, përmes Siguracionit, të mund të marrim një pjesë të tij dhe ta vendosim në shërbim të atyre institucioneve që krijojnë siguri në rrugë?

Ato janë Policia Rrugore, Urgjenca Kombëtare, Zjarrfikësit, në harmoni dhe në përputhje edhe me standardet europiane dhe praktikat shumë të mira europiane, ku një pjesë  e kontributit të sigurimeve, që mbledhin Kompanitë e Sigurimeve orientohet, transferohet automatikisht, në funksion të Policisë Rrugore, në funksion të Shërbimit Zjarrfikës dhe në funksion të Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, në mënyrë që të ndërtojmë një mekanizëm financimi të këtyre institucioneve, të cilat prodhojnë dhe kontribuojnë që siguria të jetë e shtuar në rrugë, që aksidentet të ulen, që pasoja të ulen dhe për rrjedhojë edhe detyrimet e kompanive për dëmshpërblime të ulen. Por për këtë ne do të kemi mundësi në fund të muajit shkurt, në një Konferencë tjetër e cila do të jetë vijim i kësaj të diskutojmë dhe të mbledhim disa kontribute më direkte, por sot e shtrojmë si pyetje.

Çështja tjetër e rëndësishme, e cila nuk është çështje e qarkullimit rrugor, por lidhet me të, është kufizimi i hapësirës së veprimit të elementëve apo grupeve kriminale në fushën e qarkullimit rrugor. Dihet fort mirë që rrugët i përdorin të gjithë, i përdorin të mirët dhe të këqijtë, i përdorin bizneset, i përdorin kriminelët, i përdorin qytetarët. Evidenca e Policisë së Shtetit tregon disa probleme shumë shqetësuese që lidhen me përdorimin e rrugës dhe mjeteve të transportit rrugor për krimin. Dhe kjo është siç thashë jo vetëm çështje e qarkullimit rrugor, por është çështje e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike. Është fakt që shumica absolute e vrasjeve që ndodhin në Shqipëri, e vrasjeve mafioze, ndodhin nga përdorimi i mjeteve të vjedhura ose jo të vjedhura, por përgjithësisht ose plotësisht targa të transportuara nga një mjet në tjetrin. Ne po mendojmë fort për të kufizuar këtë mundësi, për të kufizuar mundësinë që një targë që mund të jetë super-cilësore, të përdoret në dy mjete.

Është një detyrë e rëndësishme, është një objektiv i rëndësishëm me të cilin do të merremi, dhe këtu kërkohet nga të gjithë që mund të kontribuojnë me ide, me propozime, që ta kufizojmë sa më shumë hapësirën e elementëve apo grupeve kriminale për të përdorur rrugët apo mjetet si armë në këtë fushë.

Po kështu, rregullime të forta, të ashpra do të propozohen sa i përket të drejtës së përdorimit të automjeteve të blinduara.

Analizat e Policisë së Shtetit tregojnë që automjetet e blinduara janë në përdorim masiv të personave me rekorde kriminale, personave me dënime penale, anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale e të tjera me radhë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë të tolerohet. Ne nuk mund të vazhdojmë që ta lëmë Policinë e Shtetit në një situatë të disfavorshme në rrugë, përballë elementëve kriminalë.

Ju e dini që Policia e Shtetit nuk përdor automjete të blinduara, sepse nuk i ka. Një numër krejt i kufizuar është në përdorim për qëllime shumë të kufizuara, por ne kemi një situatë ku punonjësit e Policisë Rrugore janë në një situatë të disfavorshme në rrugë përballë elementëve, të cilët qarkullojnë në rrugë me automjete të blinduara, në mënyrë krejtësisht të pajustifikuar. Për këtë do të propozohen masa të reja ligjore për ta kufizuar në mënyrë drastike, qoftë të drejtën e këtyre personave për t’i poseduar personalisht këto mjete, por qoftë edhe mundësinë e abuzimit përmes kontraktimit të kompanive të sigurisë, por të cilat gjithsesi shkojnë në favor të elementëve kriminalë.

Dhe në tërësi, në përmbyllje unë do të thosha që gjithë këtë paketë ndryshimesh, të cilat ne synojmë ta iniciojmë diskutimin duke filluar nga sot, të arrijmë nga fundi i muajit shkurt, të kemi kristalizuar ndryshimet themelore. Për këtë qëllim, pra nga sot deri në fund të shkurtit, ne do të organizojmë tryeza të dedikuara të çështjeve me të gjithë aktorët e interesuar për këtë proces, qofshin institucionet shtetërore, qofshin ekspertë të fushës, qofshin përfaqësues të shoqërisë civile, të medias apo të publikut të gjerë.

Siç ju thashë, përmes platformave ose tryezave të diskutimit si kjo, ose të platformave dixhitale të komunikimit në mënyrë që të arrijmë deri në fundin e muajit shkurt, të listojmë të gjitha propozimet kryesore, të cilat pastaj do t’i paraqiten Qeverisë dhe Kuvendit për ndryshime, qoftë të karakterit ligjor apo të karakterit administrativ.

Me këtë rast ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen sot dhe ju ftoj, ju nxis që të bëhemi pjesë aktive e këtij diskutimi, i cili thjesht na përket të gjithëve për sa kohë jemi qytetarë, për sa kohë jemi përdorues të rrugës, por jo vetëm. Na përket pastaj edhe për faktin e pozicioneve zyrtare apo publike, që ushtrojmë secili prej nesh.