Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 96 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/07/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 96

Raporti Javor Nr. 96 – VIDEO

22 – 28 Korrik 2019

Tiranë/Ministri Lleshaj pret në vizitë zyrtare ministrin e Brendshëm të Turqisë, Soylu

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka pritur në një vizitë zyrtare homologun e tij turk, z. Süleyman Soylu. Vizita pason takimin e disa muajve më parë të dy ministrave në Ankara dhe fokusi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit në funksion të sigurisë publike.  Ministri Lleshaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke theksuar se ky është një moment për t’u dhënë një shtysë të re atyre. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe homologu i tij turk Soylu, i cili e ka cilësuar Shqipërinë si një vend mik dhe marrëdhëniet historike e rrënjësore si të shkëlqyera, me mundësi për t’i çuar përpara. Gjatë takimit u trajtuan fushat ku do të ndalet e kërkohet të thellohet bashkëpunimi, mes dy ministrive të Brendshme dhe Policive përkatëse. Ky bashkëpunim synohet të thellohet mes dy Akademive të Sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, trajnimi i personelit policor, pajisjet për Policinë e Shtetit, si dhe ekspertiza për sistemin e menaxhimit doganor shqiptar. Ministri Lleshaj veçoi si prioritar bashkëpunimin për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, trajnimet e efektivëve dhe pajisjet policore.  Ministrat vizituan më pas, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Tiranë, ku pati një prezantim të shkurtër të punës dhe rezultateve të kësaj force, si dhe u panë nga afër ambientet e trajnimit dhe stërvitjes së tyre.

Karta ID/Zv.ministrja Voda inspektim në Njësinë 5: Mundësi aplikimi në çdo njësi administrative

Gjatë një inspektimi të zhvilluar në zyrat e aplikimit të Njësisë 5 në Tiranë, zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda tha se shtetasit shqiptarë, të cilëve u skadon karta e identitetit këtë vit, mund të ri-aplikojnë në çdo njësi administrative, pavarësisht vendbanimit. Ajo bëri sërish thirrje për rinovimin e dokumenteve biometrike për ata shtetas që janë pajisur në vitin 2009, pasi afati i vlefshmërisë është 10 vjet. Voda shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, dhe pas inspektimit foli për masat e marra për të lehtësimin e aplikimit për shtetasit shqiptarë. “Ajo çfarë ne do t’u bënim thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, është të vijnë dhe të aplikojnë sa më parë. Mijëra qytetarë, të cilët vijnë nga jashtë tashmë, sigurisht që shtojnë fluksin, shtojnë radhët për shkak se aplikojnë jo vetëm për karta identiteti, por edhe për pasaporta biometrike, të cilat sigurisht janë një numër i lartë i tyre që skadon shumë shpejt”, deklaroi Voda. Më tej, ajo nënvizoi se zyrat e aplikimit do të ofrojnë shërbim për qytetarët edhe ditën e shtunë. “Dëshiroj të them që për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve tashmë zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë. Pra qytetarët, të cilët janë të ngarkuar me punë, punojnë gjatë gjithë javës, apo për shkak të pushimeve lëvizin, mundet që ditën e shtunë të vijnë edhe të aplikojnë”, u shpreh Voda. Ajo vuri në dukje edhe një tjetër masë që do ta bëjë edhe më të lehtë procesin e aplikimit. Tashmë ofrohet një mundësi e zgjeruar për aplikimin në çdo njësi administrative, ku qytetarët që riaplikojnë për karta identiteti, jo domosdoshmërisht duhet të aplikojnë në njësinë administrative ku ata banojnë.

Rekrutimet në Polici/Zv.ministri Lamallari, flet në RTSH rreth aplikemeve në Akademinë e Sigurisë

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë një interviste në RTSH u bëri thirrje të rinjve t’i bashkohen Policisë së Shtetit, pasi janë ende në kohë për të aplikuar në Akademinë e Sigurisë. Ai foli me detaje rreth të gjitha fazave të procesit të aplikimit për përzgjedhjen, testimin, dhe elementë të tjerë shumë të rëndësishëm lidhur me trajnimin në organizata të ndryshme, pjesëmarrjen e grupeve të minoriteteve, mbi transparencën dhe efektivitetin e procesit e shumë të tjera. Zv.ministri sqaroi se kanë mbetur edhe pak ditë deri në momentin e mbylljes së procesit dhe interesi i të rinjve është mjaft i lartë. Sipas tij ka patur një interes të dukshëm nga elementët femra për t’u bërë pjesë e organizatës së policisë, fakt ky inkurajues, pasi shërben për afrimin e policisë ndaj qytetarëve. Lamallari shpjegoi që janë gjithsej 600 vende të hapura për kandidatët fitues, nga të cilët, 100 janë nga fondi i “ekselencës” pra nga studentë që janë diplomuar me notë mesatare mbi 8 dhe 500 të tjerë që do të futen në kursin e rolit bazë “Patrullë e Përgjithshme”, të cilët duhet të kenë përfunduar shkollën e mesme. Kandidatët që do të konkurrojnë për Patrullë të Përgjithshme kanë afat deri më datë 3 gusht për të paraqitur kërkesën pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ndërsa ata që do të përzgjidhen nga kontingjenti i ekselencës, kanë afat deri me 31 korrik të këtij viti. Lamallari theksoi se i gjithë procesi është transparent dhe i verifikueshëm. Testimi me shkrim korrigjohet elektronikisht, duke shmangur kështu çdolloj ndërhyrje të mundshme subjektive, çka sipas tij garanton një vlerësim krejt të besueshëm.

Kukës/Drejtori Veliu, inspektim për masat e marra për sezonin turistik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka inspektuar nga afër Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar në Morinë, Kukës, ku është njohur me masat që po merren për përballimin e fluksit të hyrje daljeve përgjatë sezonit veror, që dominohet nga turistët dhe shtetasit që kthehen në atdhe për pushime. Me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata në këtë pikë kalimi kufitar Policia Kufitare ka marrë masa shtesë që në thelb kanë të bëjnë me shkurtimin e kohës së kalimit në kufi. Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë, duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Ai porositi që gjatë sezonit veror, shërbimet e policisë qoftë në pikën e Morinës apo edhe në kufirin e gjelbër, të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë inspektimit Drejtori i Përgjithshëm ka takuar edhe punonjësit e Policisë Kufitare të Kosovës. Veliu deklaroi se “çdo ditë në këtë pikë kalojnë deri në 25 000 shtetas kosovarë dhe deri në 4000 makina, pra aktualisht vendkalimi i Morinës, është vendkalimi që përballon ngarkesën më të madhe në të gjithë vendkalimet e Shqipërisë dhe ne kemi vëmendje të shtuar këtu që për të gjithë pushuesit të krijohen gjithë lehtësirat e nevojshme, me qëllim që të minimizohet siç thashë pak më parë, koha e pritjes dhe të vazhdojë lëvizja sa më shpejt drejt vendit tonë”. Më tej Veliu sqaroi se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës por dhe atë të Maqedonisë, po ndërmerren patrulla të përbashkëta. “Patrullat e përbashkëta janë duke mirëfunksionuar. Në dallim nga vitet e tjera shtrirja e këtyre patrullave nuk është vetëm në Qarkun e Lezhës, Shkodrës, Durrësit, por ka zbritur dhe në Qarkun e Vlorës dhe ne jemi absolutisht shumë të kënaqur nga ky bashkëpunim dhe këto patrulla janë jashtëzakonisht eficiente”, ka thënë ai.

SHÇBA arreston 5 punonjës të Policisë Rrugore për korrupsion

Pesë punonjës të Policisë Rrugore të Tiranës janë proceduar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”, pas një hetimi të realizuar me metoda speciale të kryera nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për njërin prej punonjësve të policisë, 2 të tjerë janë në “arrest shtëpie” dhe 2 të tjerë me “pezullim detyre”. Në kuadër të këtij procedimi është dhënë masa “detyrim paraqitjeje” për një shtetas tjetër të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë korrupsioni. Punonjësit e policisë të proceduar kishin ngritur një skemë të mirëfilltë korrupsioni, duke shfrytëzuar rastet e kapjes së shoferëve që shkelnin rregullat e qarkullimit, për t’u marrë shuma të ndryshme parash në formë rryshfeti, kundrejt mosbllokimit të patentës.

Veliu i akordon “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i ka akorduar “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, z. Christian Ëeiss. I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe zv/Presidenti i Policisë Federale Gjermane z. Jurgen Schubert, i cili fillimisht zhvilloi një takim miqësor me Drejtor Veliun, me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane. Më pas në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit në Shqipëri të Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën z. Christian Ëeiss, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu e ka vlerësuar maksimalisht atë për gjithë kontributin e tij në mbështetje të Policisë Kufitare, si dhe në forcimin e marrëdhënieve mes Policisë Shqiptare dhe asaj Federale Gjermane.

Policia Kufitare e FNSH, në ndihmë pushuesve dhe turistëve, duke ndërhyrë në 3 raste të vështira

Falë ndërhyrjes së shpjetë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Pesë shtetasit u transportuan për në qëndrën spitalore, ku gjendja shendetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve Çekë të cilet kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën. Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

OPERACIONI POLICORE

Krujë/Finalizohet operacioni antikanabis “Ndëshkimi 3″, 6 në pranga

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi 2 mujor me metoda speciale të hetimit, Komisariati i Policisë Krujë nën drejtimin e Prokurorisë Krujë si dhe në bashkëpunim me Shërbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, finalizuan me sukses Operacionin Policor të Koduar “Ndëshkimi 3”. Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, për 6 shtetas.  Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike Canabis Sattiva ne zonën e pyllëzuar të fshatit Brret, Mal Brret dhe Picrrage të rrethit Krujë, e cila është asgjesuar në periudha të ndryshme. Operacioni ishte në vijim të dy operacioneve të tjera të koduara “Ndëshkimi 1 dhe 2”, ku u ndaluan 16 persona.

Gjirokastër/Arrestohet në flagrancë 3 vetë për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit

Nga specialitët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër u arrestua në flagrancë një 20-vjeçar, nga Memaliaj pasi në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, u kap duke transportuar me automjetin e tij, 6 shtetas nga vendet e treta kundrejt pagesës. Gjithashtu u ndaluan si të dyshuar për bashkëpunim 2 shtetas nga fshati Lazarat. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e  tyre u gjetën fidanë kanabisit të kultivuar në oborrin e banesës.

Elbasan/Sekuestrohen pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 1.200.000 Euro

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të paluajtshme të dy personave, të cilët dyshohet se e kanë krijuar këtë pasuri nga aktiviteti kriminal riminal. Në dy operacione të ndryshme policore janë sekuestruar apartamente, truaje dhe aksione me një vlerë totale rreth 1.200.000 euro. Më konkretisht gjatë operacionit të koduar “KUSARTH”, u kryen veprimet procedurale dhe u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme dhe aksioneve në pronësi të një 31-vjeçari nga Elbasani dhe familjarëve të tij, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Më konkretisht u sekuestruan: 1 apartament me sipërfaqe 50 m2, në qytetin Elbasan;  pasuri e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m2 dhe një ndërtesë e llojit njësi me sipërfaqe 167,9 m2 e ndërtuar mbi këtë pasuri, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan; -pasuri e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m2, mbi të cilën është regjistruar kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e 3 vilave nga 1 kat + nënçati me sipërfaqe 166 m2 secila, me vlerë investimi 15.662.000 secila, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan; 50 % e aksioneve të një shoqërie në zotërim të shtetasit E.Ç, në vendin e quajtur Bradashesh, Elbasan. Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato kapin vlerën rreth 500.000 Euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, po vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi ose familjarëve të tij. Ndërkohë në kuadër të operacionit “Invest”, për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të paluajtshme në pronësi të 33-vjeçarit, që arrijnë vlerën e rreth 700 000 Euroe. Më konkretisht kanë qenë: -1 apartament me sipërfaqe 350 m2; 1 truall me sipërfaqe 5000 m2; 1 ndërtesë 200 m2; 1 automjet. Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove. Në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, po vijojnë hetimet dhe verifikimet, për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi.

Tiranë, Lezhë/Policia Rrugore godet 3 raste të mitëdhënies

Tre drejtues mjetesh janë ndaluar flagrancë teksa kanë tentuar tu japin rryshfet disa efektivëve të poilicisë rrugore në Tiranë dhe në Lezhë. Në kryeqytet, në funksion të patrullimeve me përzgjedhje, rrugorët e kryeqytetit kanë ndaluar në rrugën “Jordan Misja” një 43-vjeçat, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh. Gjithashtu te sheshi “Karl Topia” është ndaluar një 24-vjeçar, i cili është konstatuar se nuk u jep përparësi këmbësorëve, drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, nuk kishte rregjistruar ndryshimet e pronësisë në afat, dhe me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh. Në të dy rastet efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, gjithashtu janë bërë procedurat administrative për kundravajtjet e konstatuara. Ndërsa në Lezhë, një 22-vjeçar, banues në Vig, Shkodër, është ndaluar në flagrancë pasi i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e masës administrative.

Tiranë/Procedohet 20-vjeçari për lojërat e fatit

Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.4, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një 20-vjeçar nga Tirana, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim të tij në Rrugën “Riza Cerova” u gjet 1 monitor me njësinë qendrore, së bashku me tastierën dhe maosin që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit. Kontrollet kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ktij aktiviteti të kundërligjshëm. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të kundërligjshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni, ndalohet hakerat rumunë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor “Credit Card Fraud”, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i dy shtetasve rumunë, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë një tjetër. Hetimet për këta shtetas kanë nisur pas denoncimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, nga një bankë shqiptare e nivelit të dytë, se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe. Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke. Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë. Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin. Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale: 3 telefona të markave të ndryshme; 8 karta të ndryshme bankare; Një sasi parash; Pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një Laptop. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Aksioni/Rrugorët e Tiranës gjobisin 367 drejtues mjetesh dhe pasagjerë për mosvendosje të rripit të sigurimit

Efektivët e policisë rrugore në kryeqytet, duke marrë shkas nga sezoni turistik veror, ku shumica e qytetarëve janë me pushime në zonat bregdetare, kanë shtuar ndjeshëm patrullimet me përzgjedhje për shkeljet që janë jo vetëm burim i shtuar për aksidente rrugore, por edhe për shkeljet që mund të kenë ndikim në ardhjen e pasojave nga ngjarjet rrugore, siç është drejtimi i mjetit pa vendosur rripin e sigurisë. Duke qënë se trafiku në këto kohë është më i lehtësuar dhe për rrjedhojë ashtu siç rritet shpejtësia e lëvizjes së automjeteve, rritet edhe mundësia e përfshirjes në ngjarje rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesëve të rrugës, veçanërisht për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerëve që nuk sigurohen me rripin e sigurisë dhe sistemet e fiksimit. Vetëm javën e kaluar, rrugorët e kryeqytetit, nëpërmjet formave dhe patrullimeve nga më efikaset, kanë konstatuar dhe proceduar administrativisht 367 drejtues dhe pasagjer në automjete, të cilët kanë udhëtuar pa u siguruar me rripin e sigurisë.

Aksioni/Policia Rrugore e Tiranës, ndëshkim për mjetet që qarkullojnë me xhama të errësuar

Policia Rrugore e Tiranës me qëllim evidentimin, ndëshkimin dhe mbajtjen nën kontroll të mjeteve që mund të cënojnë sigurinë publike dhe atë rrugore, ka nisur zbatimin e një Plani Veprimi për kontrollin e dedikuar ndaj automjeteve me xhama të errësuar si dhe mjeteve që përdorin sisteme shtesë zanore dhe pamore, në kundërshtim me normat ligjore të parashikuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërise dhe rregulloren në zbatim të tij. Në funksion të këtij Plan Veprimi me objekt të dedikuar, nga efektivet e Policisë Rrugore Tiranë, gjatë 5 diteve të fundit, janë konstatuar dhe proceduar administrativisht 87 automjete për xhama të errësuar, ku 17 prej tyre kishin errësuar edhe xhamin e parë paraprites, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë e drejtuesit të mjetit dhe për rrjedhojë rritjen e mundesisë së përfshirjes në ngjarje rrugore të këtyre mjeteve, veçanërisht në kushtet e errësirës.

Përmet/Ndalohen 4 persona për kultivim kanabisi

Policia e Përmetit ka finalizuar me sukses një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimtit të bimëve narkotike. Për pasojë 4 persona janë ndaluar në flagrancë s, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar 76 fidanë kannabis në vendin e quajtur “Përroi i Alipostivanit”. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal.

Tiranë, Korçë/Arrestohen dy shtetas për armëmbajtje pa leje

Në Tiranë policia arrestoi në flagrancë një shtetas që mbante një armë zjarri (pistoletë) pa leje, të pajisur me municione, duke qarkulluar me një automjet në një rrugë të Tiranës. Shtetasi 28-vjeç u arrestua pas informacioneve të marra në rrugë operative, se kishte me vete një armë zjarri. Lidhur me ngjarjen vijojnë hetimet, për të zbardhur lidhjet e mundshme apo shkaqet përse shtetasi qarkullonte i armatosur. Në Korçë u arrestua në flagrancë një tjetër shtetas për armëmbajtje pa leje duke qarkullur me makinë në një nga rrugët e qytetit. Policia kishte informacion mbi autorin dhe pas kontrollit iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë e pajisur me municione. Ndaj shtetasit është ngritur akuza për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municionit”.

Shkodër/Finalizohet operacioni “Prodhimi i fundit”, kapen trafikuesit e makinave

Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të mjeteve motorrike, të vjedhura në vende të BE-së, me tendencë hyrjen dhe shitjen në Shqipëri, si rezultat i një pune të mirë-organizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVKM Shkodër dhe Interpol Tiranën, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Prodhimi i fundit”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Shkodër bënë kapjen dhe ndalimin e 2 shtetasve, banues në Angli. Ata me anë të mashtrimit merrnin me qera makina luksoze, në kompani të ndryshme në Angli, Belgjikë dhe Gjermani dhe pasi hynin me dokumentacion të rregullt nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, mjetet i shisnin në Shqipëri.