Reagimi për akuzat e PD, për motorët e Policisë së Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/02/2016

Reagimi për akuzat e PD, për motorët e Policisë së Shtetit

moto-me-abs-8,020-euro-(realisht-i-blere)

moto-pa-abs-7,420-euro-paraqitur-nga-partia-demokratike

 

Partia Demokratike për motorët e policisë:

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj Ina Zhupa, pretendon se fituesi i tenderit për blerjen e 73 motorëve të policisë ka qenë i paracaktuar. Ndërkohë që sipas PD-së, fondi limit për blerjen e motorëve ka qenë disa herë më i madh se çmimi për motor i pasqyruar në faqen zyrtare të Aprilias.

Për motorët e policisë:

Në përgjigje të akuzës së Partisë Demokratike për kriteret dhe procedurat e tenderimit për blerjen e motorëve të policisë, sqarojmë se dokumentacioni ligjor dhe specifikimet teknike me kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta për blerjen e motorëve, janë hartuar nga një grup pune i ngritur nga Drejtori i Policisë së Shtetit, në zbatim të projektit të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike “Për ngritjen dhe funksionimin e njësisë së ndërhyrjes me motoçikleta”.

Dokumentacioni i hartuar prej grupit të punës, i është dërguar për procedurë prokurimi Drejtorisë së Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si autoriteti që kryen procedurat e prokurimit për Policinë e Shtetit.

Tenderimi ka qenë i hapur dhe me një fond limit prej 103.903.309 lekësh (pa TVSH), pasqyruar kjo në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike me datë 15.09.2015. Ofertat janë hapur më datë 07.10.2015, dhe fitues është shpallur kompania që ka ofruar 92.856.000 lekë (pa TVSH). Siç shihet, oferta e fituesit ka një vlerë 11% më ulët se fondi limit i planifikuar. Sa më sipër, blerja e motoçikletave është bërë në respekt dhe në zbatim të ligjit “Për Prokurimin Publik” të ndryshuar.

Në lidhje me çmimin e motoçikletës ju bëjmë më dije se motoçikleta e paraqitur prej Partisë Demokratike është Aprilia Shiver 750, modeli bazë pa ABS dhe me çmim 7,420 euro. Ndërkohë që modeli i prokuruar nga policia është Aprilia Shiver ABS 750 bazë, më çmim 8,020 euro.

Gjithashtu, në fondin e blerjes së 73 motorëve përfshihen shpenzimet dhe pajisja e tyre me aksesorë shtesë si:

Mbrojtëse anësore të përparme;

Xham mbrojtës përpara;

Me dy ndenjëse për drejtuesin e motoçikletës dhe punonjësin e policisë prapa;

Dy kaseta anësore me kompletin e veglave dhe të nevojave të drejtuesit te mjetit;

Sirenë alarmi dy zanore;

Sistem sinjalizues LED, vezullues në dy anët e përparme;

Llampë e pasme teleskopike;

Mjetet janë të pajisura me dokumentacionin e duhur sipas legjislacionit shqiptar, të targuara;

Siguracion “Kasko”;

Garanci jo më pak se tre vjet, ose 100.000 km;

Dizenjimi i mjeteve me logot përkatëse sipas porosisë së përdoruesit;

Mjetet janë të pajisura me dy radio komunikimi marrëse dhënëse;

Dy kaska mbrojtëse;

Lidhja me wireless;

Kufje dhe mikrofon;

Radioja me mundësi karikimi në motomjet;

GPS;

Kosto e transportit ndërkombëtar;

Pagesa e doganës.

Bashkangjitur gjenden foto krahasuese të motorit të publikuar nga PD, si dhe motorit realisht të blerë: