Inagurohet Zyra e Shërbimit Unik për Qytetarët në Kom. 3 në Tiranë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/10/2015

Inagurohet Zyra e Shërbimit Unik për Qytetarët në Kom. 3 në Tiranë

Prononcimi për mediat i Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas përurimit të Zyrës së Shërbimit Unik për Qytetarët në Komisariatin nr. 3 të Policisë, në Tiranë:

Ministri Tahiri: – Besoj ju e kujtoni të gjithë fytyrën e Komisariatit 3, me mure të larta, me kangjella hekuri, që ngjante më shumë me një institucion të mbyllur dhe aspak miqësor ndaj publikut. Ne sot përurojmë fytyrën e re të Komisariatit nr. 3 dhe Zyrat e Shërbimit të Qytetarëve për të ndërtuar platformën e komunikimit permanent të Policisë me qytetarët si mënyra e vetme dhe rruga më solide për të ndërtuar partneritetin që duhet ndërmjet qytetarit dhe Policisë, për të ndërtuar besimin ndërmjet institucioneve në tërësi, Policisë në veçanti dhe qytetarëve, sepse kjo është e vetmja rrugë për t’i bërë qytetet tona më të sigurta.

Është kjo arsyeja pse Komisariati nr. 3 ka një fytyrë shumë më miqësore, është kjo arsyeja pse në qasjen tonë duam t’i shndërrojmë institucionet e policisë, komisariatet, postat policore në qendra shërbimesh, është kjo arsyeja pse Zyrat e Shërbimit ndaj qytetarëve janë kthyer realisht në mjedisin që ata vijnë dhe marrin më shumë sesa 80 shërbime.

Mjafton t’ju them që në gjithë Tiranën u shërbehet qytetarëve me shërbime të ndryshme, nga aplikimi për pasaporta, tek patentat, deri te kallëzimet me një ritëm 200-300 qytetarë në ditë.

Mjafton kaq për të kuptuar volumin e punës që bën Policia e Shtetit sot për të rikthyer besimin ndaj qytetarëve tek institucionet dhe për ta perceptuar Policinë e Shtetit më së pari si një qendër shërbimesh dhe punonjësin e Policisë së Shtetit si një shërbëtor të qytetarit.

Kjo sigurisht ka prodhuar efektet edhe në sigurinë e qyteteve dhe sot pa asnjë dyshim Tirana është një qytet shumë më i sigurtë. Mund t’u referoheni shifrave të 9-mujorit për të kuptuar volumin dhe cilësinë e punës së Policisë së Tiranës, për ta kthyer sigurinë në një përpjekje të përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.

Komisariati Dixhital është kthyer sot në ndihmësin më të parë të qytetarëve dhe mjafton një klik nga telefoni yt për të denoncuar një shkelje. Kemi pasur rezultate mjaft pozitive. Janë me mijëra denoncimet e qytetarëve të cilat janë verifikuar nga policia duke sjellë kështu rezultate kolosale. Por ne jemi ende në rrugën për ta bërë Policinë e Shtetit, nga njëra anë mjedisin ku jepen shërbime transparente, pa korrupsion dhe në kohë rekord për qytetarët, dhe nga ana tjetër përpjekjen e përbashkët për të ndërtuar sigurinë e domosdoshme, për ta ndërtuar këtë përpjekje si një sipërmarrje ndërmjet institucioneve, Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.

Unë besoj që jemi në rrugën e duhur. Besoj që shifrat flasin vetë për rikthimin e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Tashmë policia është bërë pikë referente për çdo shqetësim që kanë qytetarët, edhe atëherë kur zgjidhja e shqetësimit nuk është në autoritetin primar të policisë. Por kjo tregon që ne jemi në rrugën e duhur për ta bërë policinë një mjedis më miqësore dhe bashkë me qytetarët të ndërtojmë qytete, lagje, komunitete më të sigurta në vend.

Pyetje: Zoti Ministër, ka një mungesë të theksuar logjistike në Komisariate. A keni një koment?

Ministri Tahiri: Është e sigurtë që ka mungesë logjistike, kjo për shkak të trashëgimisë në të cilën kemi gjetur policinë kur morëm detyrën. Mos prisni që në 2 vjet, ne të bëjmë atë që s’kanë bërë gjithë të tjerët në 20 e kusur vjet. Por ne jemi mjaftë të fokusuar për të ndërtuar në Policinë e Shtetit një trupë dhe një institucion të pajisur me gjithë instrumentet e duhur, për t’u përballur ashtu siç duhet me krimin.

Ju mos e shikoni vetëm si fasadë, kjo është mënyra më e mirë për t’u bërë bashkë me publikun. Dhe ky është thelbi për t’i bërë qytetet tona më të sigurta.

Pyetje: A do të ketë ndryshim logjistikë?

Ministri Tahiri: Po patjetër, kanë filluar.

Pyetje: A do të bëhet Tiranë si Londra, pasi keni parashikuar që të vendosni kamera në çdo rrugë, autobuz, taksi apo hyrje pallati?

Ministri Tahiri: Unë do të doja që shkollën ku studiojnë fëmijët tanë të kishte kamera sigurie, se këtë e duan të gjithë prindërit. Unë do të doja që në pallatin ku banojnë shqiptarët, në rastet kur ka elementë rreziku, supozoj, ka persona me precedentë të theksuar penalë, të ketë elementë të shtuar sigurie.

Ne të gjithë do të donim që në lokalet e natës të ketë elementë të shtuar sigurie për shumë arsye. Ashtu siç ne të gjithë do të donim që në njësitë dhe bizneset në Shqipëri, që ushtrojnë aktivitetin gjatë natës dhe vetëm gjatë natës, të ketë në detyrim masa të shtuara sigurie siç mund të jenë kamerat e sigurisë.

Kjo nuk cënon privatësinë e askujt. Kjo ndërton sigurinë e të gjithëve. Dhe mua më duket që po hedhim një hap në rrugën e duhur për të ndarë përgjegjësitë dhe barrën e sigurisë në gjithsecilin që meriton të fillojë të garantojë më së pari biznesin apo qendrën e banimit dhe pastaj të kërkojë nga autoritet, nga Policia e Shtetit apo nga institucionet në tërësi që të marrë masa për të garantuar rendin e sigurinë.

Ne bëjmë një gabim shumë të madh – përgjegjësinë për sigurinë ia ngarkojmë vetëm Policisë duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë atëherë kur ndodh diçka.

Por mos harroni nga njëra anë, sistemi gjyqësor rikthen në komunitet njerëz të cilët arrestohen disa herë nga policia dhe nuk marrin kurrë dënimin e duhur.

Nga ana tjetër ne kemi detyrimin të garantojmë qytetarët shqiptarë, së pari me informim, pra t’i bëjmë me dije që në pallatin tuaj banon një njeri që ka elementë të theksuar kriminalë, apo që në një zonë të caktuar ka të dhëna të mjaftueshme për të besuar që ka rrezik të shtuar kriminaliteti dhe nga ana tjetër të marrim të gjitha masat e duhura. Dhe disa nga këto masa janë më se të domosdoshme.

Jemi shumë vonë madje, sepse në të gjithë kryeqytetet e botës, ka elementë sigurie të shtuar, ka kamera, marrëveshje të caktuara me njësitë e sigurimit apo në institucionet për të garantuar bizneset apo qendrat e lodrave të kalamajve apo njësitë e shërbimit apo pallatet me elementë të caktuar sigurie.

Mos kini frikë nga kamerat apo nga elementët e sigurisë. Janë aty dhe do jenë aty për të mbrojtur komunitetet tona, familjet tuaja, fëmijët tanë dhe gjithkënd që nuk ka pse të shqetësohet nga masat e sigurisë.

Ne duhet të shqetësohemi atëherë kur elementë të caktuar kriminalë hyjnë dhe bëhen padrejtësisht pjesë e komuniteteve tona. Mënyra për t’i dalë përballë kësaj është që të bëhemi të ndërgjegjshëm të gjithë bashkë.

Pyetje: Z.Tahiri, a ka ndonjë plan qeveria për emigrantët sirianë, nisur nga fakti i përmendur se Shqipëria mund të jetë rrugë kalimi për ta?

Ministri Tahiri: Jemi përgjigjur disa herë për këtë. Zgjidhja e çështjes së refugjatëve është një zgjidhje që kapërcen kufijtë e vendimmarrjes tonë.

Është një problem europian që meriton një zgjidhje europiane. Gjithsesi, qeveria shqiptare, Kryeministri, kanë ngritur një grup pune, për të mos lejuar që në çdo eventualitet, ne të kapemi në surprizë.

Kështu që kemi marr të gjitha masat e nevojshme. Kjo është një punë që vazhdon. Por mbetet për t’u trajtuar si zgjidhje europiane.

Unë nuk mund të them më detaje në lidhje me këtë çështje, sepse nuk është nga ato çështje që mund ta bëjmë diskutim të kuriozitetit paraprak të medias.

Faleminderit!