Tahiri: S'ndalemi deri në asgjesimin e bimës së fundit narkotike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/08/2014

Tahiri: S’ndalemi deri në asgjesimin e bimës së fundit narkotike

Prononcimi për mediat i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas takimit me efektiva të Policisë së Shtetit, që po vijojnë prej 3 ditësh operacionin e gjerë për asgjesimin e bimëve narkotike në këtë qark:

Ministri Tahiri: Operacioni i Policisë, i nisur prej disa ditësh po afrohet drejt fundit. Pas operacionit në Lazarat, nga përmasat dhe përfshirja e forcave të Policisë, dhe nga rezultatet e aktivitetit kriminal në kultivimin e lëndëve narkotike, është operacioni i dytë më i madh.

Policia ka kryer një punë të shkëlqyer, mbetet për të parë si do të vijojë punë edhe me ata njerëz të cilët janë identifikuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.

Unë ju bëj thirrje të dorëzohen, as të mos e çojnë ndër mend se mund të përballen me Policinë e Shtetit dhe as të mos e çojnë ndërmend se mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që lidhen me aktivitetin kriminal që kanë kryer deri tani, por edhe me kundërshtimin me armë të forcave të Policisë.

Në jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses, ashtu siç jemi shumë të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve ta çojmë deri në fund.

Kemi trashëguar një Shqipëri të mbjellë në çdo pëllëmbë me drogë dhe jemi të vendosur ta pastrojmë njëherë e mirë Shqipërinë, nga zaptimi i çdo hapësire të gjelbër të mbjellë me lëndë narkotike.

Po i japim fund praktikës së deritanishme që e njihte Shqipërinë si vendi i lulëzimit të lëndëve narkotike.

Pyetje: Ka persona të identifikuar që kanë mbjellë lëndë narkotike?

Ministri Tahiri: Policia e Shtetit ka bërë me dije një listë me persona që dyshohen si të implikuar, bashkë me Prokurorinë jemi në fazë hetimesh intensive. Dimë shumë më shumë ne, për aktivitetin e atyre që deri tani kanë mbjellë lëndë narkotike, sesa ja u merr mendja vetë atyre që mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që do të mbajnë para ligjit.

Pyetje: A do të ketë procedime penale ndaj drejtuesve vendorë që nuk kanë kryer detyrën për t’i denoncuar këto parcela?

Ministri Tahiri: Gjithçka sipas ligjit, askush nuk do t’i shmanget përgjegjësisë ligjore.

Pyetje: Sa ditë do të zgjasë ky operacion?

Ministri Tahiri: Deri në rrënjën e fundit.

Pyetje: Ju po flisni për aksion në zonën e Shkodrës, por ditën e parë të aksionit në qytet, ka pasur një sulm me maska brenda një argjendarie dhe u vërejt se ka reduktim të forcave të policisë në qytet. Brenda qytetit dhe në zonë të tjera shihen makina me xhama të zinj, për të cilën ju jeni zotuar se nuk do të ketë më.

Ministri Tahiri: Përsa i takon pjesës së parë të pyetjes, sigurisht ka aktivitet kriminal përsa kohë ka njerëz që mendojnë se mund të sfidojnë ligjin, por mund t’ju siguroj se Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe askush nga këta nuk mund t’ja hedhi dot për përgjegjësinë penale që ka dhe që do të mbajë. Është  e vërtetë që operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike ka angazhuar një numër të madh forcash policore, por kjo nuk do të thotë që ata që kanë përgjegjësi për vepra penale do t’i bëjnë bisht drejtësisë.

Pyetje: Jeni zotuar se do të hiqni gjithë xhamat e zinj..

Ministri Tahiri: E para zotimet e mia citoji tamam; e dyta, është shumë më komplekse çështja e makinave që në mënyrë të paligjshme përdorin xhamat e zinj. Kemi një plan për këtë, në momentin që do të fillojë do t’ju bëjmë me dije.