VIDEO - Ministri Tahiri: Operacion antidrogë në Divjakë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/05/2014

VIDEO – Ministri Tahiri: Operacion antidrogë në Divjakë

VIDEO – Deklaratë për shtyp e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Sot në ora 14:40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku edhe është dëmtuar duke thyer njërën nga rrotat dhe elikën. Policia e Shtetit ka ndaluar pilotin, i cili është shtetasi italian Giorgio Riformato.

Nga hetimet paraprake rezulton që avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:26 me leje Nr. 193, lëshuar nga Aviacioni Civil, dhe me destinacion Italinë.

Nga të dhënat paraprake, kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë.

Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të defektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet.

Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare e zonës, së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makinë tip “Mitsubishi” me targe  AA 794 HU, me një ngarkesë drogë e llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.

Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis.

Sapo jam informuar nga Policia se në këto momente është arrestuar drejtuesi i mjetit, Saimir Bajrami, 35 vjeç, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro.

Nga të dhënat paraprake, ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm 2 ditë më parë.

Në vijim të hetimeve, Policia e Shtetit do t’ju informojë më shumë për këtë ngjarje, sigurisht edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në atë zonë, janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm.