Një tjetër mundësi për kandidatet femra për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/05/2014

Një tjetër mundësi për kandidatet femra për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit

Në datat 2 dhe 3 maj 2014, nisur nga kërkesa e akteve ligjore, ku 50 % e kandidatëve që pranohen në Polici duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar, si dhe nga ecuria e deritanishme e testimit fizik, ku një pjesë e aplikanteve femra janë skualifikuar pasi nuk kanë arritur normat, do të zhvillohet testimi me shkrim i të gjitha aplikanteve femra për Shkollën Bazë të Policisë, të cilat gjatë testimit të zhvilluar më parë nuk kishin arritur të grumbullonin mbi 50 pikë.

Testimi me shkrim do të zhvillohet pranë Qendrës së Formimit Policor, sipas përcaktimit të mëposhtëm:

Më datë 2 maj do ti nënshtrohen testimit me shkrim:

  • në grupin e parë kandidatet e Qarkut Tiranë me kodin e aplikantit deri tek kodi i aplikimit 2904.
  • në grupin e dytë kandidatet e Qarqeve Tiranë (ata që nuk përfshihen në grupin e parë), Shkodër, Lezhë, Korçë, Gjirokastër, Fier.

Më datë 3 maj do ti nënshtrohen testimit me shkrim:

  • në grupin e parë kandidatet e Qarqeve Elbasan, Durrës, Dibër, Berat, Vlorë.

Aplikantet që do të testohen në grupin e parë të datës 2 dhe 3 maj do të paraqiten tek Qendra e Formimit Policor në orën 06:30.

Aplikantet që do të testohen në grupin e dytë  të datës 2 maj do të paraqiten tek Qendra e Formimit Policor në orën 11:00.

Pas përfundimit të procedurave të regjistrimit, si dhe dhënies së udhëzimeve përkatëse për procesin e testimit, kandidatet do t’i nënshtrohen testimit me shkrim.

Gjatë rregjistrimit aplikantet duhet të paraqiten me dokument identifikimi, dhe me fletën e pranimit në testimin me shkrim me fotografi të nënshkruar nga Shefi i Burimeve Njerëzore dhe me vulën e sekretarisë përkatëse të qarkut në të cilën ka aplikuar. Pasi verifikohet nga ana e regjistruesve, bëhet regjistrimi i saj dhe i jepet përsëri fleta e pranimit, e cila përdoret edhe në testet e tjera nëse kandidatja është fituese.

Nëse aplikantet nuk e kanë ruajtur fletën e pranimit të paraqiten më datë 1 maj 2014 pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë së Qarqeve, ku kanë aplikuar, për të tërhequr kopje të fletës së pranimit, me fotografi.

Në përfundim të çdo procesi testimi do të realizohet korrigjimi i testeve dhe nxjerrja e rezultateve. Lista me rezultatet do të publikohet në faqen e internetit të Policisë së Shtetit, sipas datave të testimit.

Kandidatet, të cilat marrin jo me pak se 50 % të pikëve të testimit me shkrim, do t’i nënshtrohen procesit të testimit fizik. Rezultati i testit me shkrim përbën 50 % të rezultatit të përgjithshëm të kandidatit.

Të gjithë aplikantet për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe.

Po ashtu mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre me e-mail: policiaeshtetit@asp.gov.al.