VIDEO – Asgjesohen droga të forta dhe rreth 1.6 ton Kanabis Sativa - Ministria e Brendshme
Postuar më: 21/03/2014

VIDEO – Asgjesohen droga të forta dhe rreth 1.6 ton Kanabis Sativa

VIDEO – Djegia e lëndëve narkotike

Policia e Shtetit ka asgjesuar një sasi droge, e cila kishte kaluar të gjitha procedurat ligjore të hetimit dhe gjykimit të autorëve të përfshirë në trafikimin e saj. Heroinë, Kokainë dhe Kanabis Sativa janë asgjësuar nga specialistët e sektorit të Narkotikëve të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Fillimisht në mjediset e Institutit të Policisë Shkencore është mbledhur Komisioni përkatës për asgjësimin e provave materiale të lëndëve narkotike i përbërë nga:

  1. Prokurori pranë Prokurorisë për Krime të Rënda;
  2. Përfaqësuesi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda;
  3. Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë;
  4. Ekspertë të Drejtorisë së Policisë Shkencore;
  5. Specialistët e Sektorit për Narkotikët në Drejtorinë për Narkotikët dhe Trafiqet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Komisioni nën drejtimin e Prokurorit mori në dorëzim provat materiale të lëndëve narkotike, për të bërë ekzekutimin e 23 vendimeve penale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Sasitë e provave materiale që u asgjesuan janë:

  • Heroinë                8 kg 132 gram.
  • Kokainë                1 kg e 290 gram.
  • Kanabis sativa    1570 kg.

Asgjesimi i provave të mësipërme u bë në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr.9749, “Për Policinë e Shtetit”, në zbatim të nenit 190, pika 1/b të  Kodit të Procedurës Penale, në zbatim të Ligjit me Nr.8750 datë 26.03.2001, “Për Parandalimin dhe Luftën ndaj Trafikut të substancave narkotike”, si dhe në Udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe Ministrit të Shëndetësisë, (Për Trajtimin e Bimëve dhe Lëndëve Narkotike apo Psikotrope”, me Nr.1572/2 datë 03.04.2008.