VIDEO - Miratohet vendimi për shpronësimin e tokës për varrezat e Tiranës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/03/2014

VIDEO – Miratohet vendimi për shpronësimin e tokës për varrezat e Tiranës

VIDEO – Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

Qeveria ka miratuar sot 2 vendime propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, sipas të cilit fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës do të hyjnë në Akademinë e Policisë pa kaluar në procedurat standard, si edhe vendimin për shpronësimin e tokës për zgjerimin e varrezave të Tiranës.

Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas mbledhjes së Qeverisë:

Sot qeveria, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë më shumë siguri, inovacion dhe progres, miratoi dy vendime mjaft të rëndësishme në fushën e sigurisë, që nga njëra anë zhvillojnë më tutje atë që nisëm dje, që është hapja e procesit të konkurimit për mbi 10 mijë të rinj e të reja për Shkollën e Policisë.

Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin sipas të cilit fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës do të hyjnë në Akademinë e Policisë pa kaluar në procedurat standard, që janë të vlefshme për aplikantët dhe konkurrentët në shkollën e policisë. Kjo, në shenjë mirënjohje ndaj punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, por njëkohësisht në shenjë të vetëdijes tonë të lartë dhe angazhimit të Qeverisë për të garantuar siguri maksimale për qytetarët shqiptarë nëpërmjet formimit, kualifikimit të punonjësve të policisë në Akademinë e Policisë.

Vendimi i dytë ka të bëjë përsëri me përfundimin e një debati tërësisht të panevojshëm, aspak të shëndoshë dhe që mbi të gjitha ndikoi padrejtësisht në pasigurinë e qytetarëve.

Jeni bërë me dije, gjatë javëve të kaluara, të disa pretendimeve nga Bashkia e Tiranës lidhur me varrezat në Tiranë. Ne gjykojmë që kjo ishte një papërgjegjshmëri dhe zvarritje tërësisht e panevojshme nga pushteti vendor dhe nga Bashkia Tiranë, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve edhe njëkohësisht, në mënyrë eksponenciale, duke shtuar dozën e politizimit të çështjeve të cilat nuk kanë nevojë të politizohen.

Sot, Qeveria, me propozim të Ministrit të Punëve të Brendshme, miratoi vendimin “Për shpronësimin e pronarëve, të cilët preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike Sharrë, faza 4 dhe Tufinë, Faza 3 dhe 4 Bashkia Tiranë”.

Fondi i parashikuar është 5 187 840 milionë lekë, ndërkohë që fondi për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga buxheti i miratuar i Bashkisë Tiranë, 2014.

Miratimi i këtij vendimi mundëson zgjidhjen njëherë e mirë të situatës për të zhbllokuar ngërçin padrejtësisht të krijuar nga Bashkia Tiranë,  mundëson likuidimin e pronarëve, si dhe realizimin e investimit të kërkuar në të dy vendndodhjet. Bëhet fjalë për një sipërfaqe në total 36 000 m2, respektivisht të ndara në 10 000 m2 që shpronësohen në Sharrë dhe 26 000 m2 në Shishtufinë.

Më duhet t’ju bëj me dije, siç kemi pasur rast edhe më përpara, që dosja për shpronësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dorëzuar në qershor të vitit 2013, në kohën kur në Ministrinë e Punëve të Brendshme drejtohej nga administrata e kaluar dhe në kohën kur qeveria drejtohej nga përfaqësuesit e opozitës sot. Dua të ndaj me ju besimin tonë, se në rast se qeveria e kaluar, Kryeministri i shkuar, administrata e kaluar do të kishte pasur vëmendjen për t’i ofruar më shumë siguri qytetarëve dhe për të zgjidhur njëherë e mirë problemet që kanë të bëjnë me komunitetin, me shumë gjasë, kjo çështje nuk do të mbërrinte deri sot. Në rast se në atë kohë nuk do të ishin marrë me SHQUP-in, po do ishin marrë me qytetarët dhe me shpronësimin e domosdoshëm për të garantuar që ky shërbim t’i ofrohej qytetarëve dhe të mos kthehej në problem, me shumë gjasë, kjo çështje nuk do mbërrinte deri sot. Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme që në ditët e para të ushtrimit të detyrës mori në shqyrtim me procedura emergjente dosjen e depozituar dhe të pluhurosur, kontaktoi menjëherë me pushtetin vendor për t’i dhënë zgjedhje të menjëhershme këtij problemi. Por u detyruar të rikthenim dosjen, pasi vendimi i Këshillit Bashkiak kishte mbërritur në dosjen e dorëzuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme i pa firmosur dhe pa numër vendimi, pa konfirmimin e Prefektit të asaj kohe dhe i gjithë dokumentacioni ishte i pa firmosur nga ana e kryetrarit të Bashkisë. Në këto kushte, dokumentacioni bëhej i pamundur për t’u marrë në shqyrtim, sepse nuk ekzistonin as kriteret formale për ta marrë në shqyrtim këtë dokumentacion.

Unë e kuptoj që koha mund të ketë qenë e ngarkuar me angazhime politike ose angazhime të tjera, të papërputhshme me interesin e qytetarëve, por do të ishte e udhës që në atë kohë kjo procedurë dhe ky dokumentacion të mbërrinte në Ministrinë e Punëve të Brendshme të paktën formalisht i saktë, minimalisht me firmën e kryetarit të Bashkisë. Në këto kushte u detyruam që ta kthejmë dokumentacionin dhe t’i kërkojmë Bashkisë Tiranë të bëj plotësimet  e nevojshme dhe të marrë masat e menjëhershme për të kthyer ne legjitimitet procedurën e nisur dhe depozituar që në qershorin e vitit të kaluar, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në pikëpamjen tonë ishte e panatyrshme dhe e paarsyeshme të shpenzohej një muaj kohë që të ktheheshin përsëri dokumentet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga Bashkia Tiranë, vetëm për firma. Në qoftë se duhej 1 muaj kohë vetëm për një firmë të kryetarit të Bashkisë për të ardhur përsëri dokumentet, kjo për ne ishte një vonesë e panevojshme karshi qytetarëve.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme, me procedura urgjente, miratoi të gjitha hapat që duheshin miratuar bashkërisht bashkë me Bashkinë e Tiranës dhe i paraqiti Këshillit të Ministrave, projektvendimin që u miratua sot.

Më lejoni të theksoj që zgjidhja që ofron vendimi që miratuam sot është përsëri e përkohshme.

Hapësira e shpronësuar ofron zgjidhje për një hark kohor që nuk shkon më shumë sesa 2-3 vjet, respektivisht edhe për vendndodhjen Sharrë dhe Shishtufinë. Kemi kërkuar vazhdimisht nga Bashkia Tiranë të mbajë parasysh angazhimin publik dhe t’i ofrojë Qeverisë zgjidhje permanente për çështjen e varrezave, duke qenë të hapur të marrim parasysh çdo zgjidhje për t’i dhënë siguri maksimale qytetarëve. Asnjë zgjidhje nuk është ofruar.

Ndaj, për këtë arsye, për të mos lejuar zvarritjen e mëtejshme të zgjidhjes definitive të kësaj çështje dhe për të garantuar sigurinë maksimale për qytetarët, shërbim cilësor ndaj qytetarëve, Qeveria dhe Kryeministri miratuan ngritjen e një Grupi Pune, që duke marrë parasysh zgjidhjet, amendimet ligjore të akteve nënligjore dhe të gjithë kuadrit që rregullon plotësisht këtë fushë, të bëjmë ndryshimet e nevojshme për të parashikuar në të ardhmen dhe për t’i dhënë zgjidhje definitive çështjes së varrezave, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Ne ndajmë vetëdijen që me shpronësime nuk mund të shtyhet gjatë. Ne ndajmë bindjen që çështja e varrezave në Republikën e Shqipërisë meriton një zgjidhje definitive, duke përfshirë ndryshime të atilla në ligj dhe në kuadrin ligjor, që të mos na çojnë përpara me zvarritje shpronësimesh pafund dhe të mbushim hartën e Shqipërisë me varreza pafund, por t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje, për t’i garantuar qytetarëve, e ritheksoj, shërbim cilësor dhe siguri.

Faleminderit!