Mblidhet Task-Forca që monitoron procesin e post-liberalizimit të vizave - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/03/2014

Mblidhet Task-Forca që monitoron procesin e post-liberalizimit të vizave

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme zhvilloi sot mbledhjen e rradhës Task-Forca për monitorimin e procesit të pas liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Task-Forca, e krijuar me urdhër të Kryeministrit dhe kryesuar nga zv/ministrja e  Punëve të Brendshme znj.Elona Gjebrea, bashkërendon punën në nivel të politikave të qeverisë shqiptare për monitorimin e procesit të post-liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe të kërkesave abuzive për azil në ato vende. Në tryezën e sotme, ishin të ftuar edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, zoti Hellmut Hoffmann si dhe Avokati i Popullit z. Igli Totozani. Në fjalën e saj, zv/ministrja Gjebrea u bëri apel të gjithë shtetasve shqiptarë që udhëtojnë në zonën Shengen, të respektojnë rregullat e lëvizjes, pasi në të kundërt sanksionet do të jenë të ashpra. Ambasadori Hoffmann u shpreh se nga 100 kërkesa vetëm një personi mund t’i aprovohet kërkesa për azil në Gjermani. Bazuar në këtë realitet, ambasadori kërkoi që shtetasit shqiptarë të shmangin praktikat abuzive të kërkesave për azil. Në përbërje të Task-Forcës janë përfaqësues të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe përfaqësues nga Ministri i Shtetit për Çështjet e Vendore.

Deklarata e Zv/ministres së Punëve të Brendshme znj. Elona Gjebrea:

Ju përshëndes të gjithëve!

I uroj mirëseardhjen Ambasadorit gjerman, Avokatit të Popullit, pjesëmarrësve të tjerë në këtë takim. Ndërkohë, dëshirojmë të japim edhe disa mesazhe për qytetarët shqiptarë, për të treguar angazhimin dhe punën që Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme është duke ndërmarrë, ashtu sikurse edhe mesazhet në emër të të ftuarve tanë.

Dëshiroj dhe theksoj të jap një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë, që duhet të zbatojnë rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen. Nëse qytetarët shqiptarë do të shkelin rregullat ato do të bëhen subjekt i largimit apo depërtimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1 deri në 5 vjet. Gjithashtu, për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit vendet anëtare të BE-së aplikojnë masa administrative, gjoba të cilat shkojnë deri në 3 mijë euro.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ka forcuar e marrë masat e saj për të parandaluar fenomenin e azil-kërkuesve në vendet e BE-së.

Shtetasit të cilëve u është refuzuar azili nga një vend i BE-së dhe kthehen në Shqipëri, kalojnë në një procedurë intervistimi dhe identifikimi me qëllim identifikimin e personave që kanë përvetësuar këtë lloj udhëtimi. Janë hartuar dhe zbatohen rregulla praktike lidhur me udhëtimin e fëmijëve me njërin nga prindërit jashtë Shqipërisë dhe bëhet prokura e noterizuar, që lejon daljen e fëmijës jashtë Shqipërisë.

Është bashkëpunuar me Dhomën e Noterëve që në prokurë të shtohet edhe një paragraf në rast të mos respektimit të klauzolave të këtij akti, veçanërisht në lidhje destinacionin e deklaruar të djalit/vajzës, por dhe në lidhje me kushtet e vendosura në kuadër të liberalizimit të vizave (si përgjegjës civil ne angazhohemi të marrim përsipër dhe të sigurojmë kthimin e tij në gjirin e familjes në kuadër të një bashkimi ligjor familjar në Shqipëri), pavarësisht se cili është vendi apo kushtet ku gjendet fëmija ynë, angazhim i cili nuk na përjashton nga ndjekja penale në territorin shqiptar për braktisje të fëmijëve minorenë.

Dëshiroj të theksoj që Taks-Forca, e cila ka në përbërje të saj përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Pushtetit Lokal, në takimet periodike të saj do të adresojë të gjitha problemet që kanë të bëjnë me mekanizmin e liberalizimit të vizave, ashtu siç është ky rast i sotëm, ku ne kemi të ftuar Ambasadorin Gjerman dhe Avokatin e Popullit.

Dëshiroj të theksoj dhe të falënderoj Avokatin e Popullit për paraqitjen e Raportit të vitit 2013 dhe adresimit të disa problemeve që kanë të bëjnë me mekanizmin e liberalizimit të vizave, duke garantuar që Qeveria shqiptare e ka marrë seriozisht dhe është duke punuar intensivisht, ashtu siç tregon krijimi dhe funksionimi i kësaj Task-Force.