Aplikacione telefonike për të identifikuar viktima të mundshme të trafikut - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/03/2014

Aplikacione telefonike për të identifikuar viktima të mundshme të trafikut

Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafik, së bashku me World Vision Albania dhe Fondacionin Vodafone Albania, organizuan workshopin mbi aplikacionin “Raporto! Shpëto!” në kuadër të projektit “Adresimi i Trafikimit të Personave nëpërmjet Zgjidhjeve të Teknologjisë Celulare”.

Ky takim solli së bashku 80 përdoruesit e parë të fazës pilot, të cilët do të trajnohen mbi përdorimin e aplikacionit të shkarkuar tashmë në telefonat personalë të secilit, edhe këto të fundit pjesë e projektit.

Profesionistët e përfshirë në këtë fazë vijnë nga Policia e Shtetit, Shërbimi Social, organizata aktive në parandalimin e trafikimit dhe asistencën ndaj viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, studentë nga Fakulteti i Shkencave Sociale, punonjës të Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Projekti, aktualisht po zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me “World Vision Albania” dhe Fondacionin “Vodafone Albania”, të cilët, për këtë qëllim kanë lidhur një Memorandum Mirëkuptimi, në tetor të vitit 2013.

Ky projekt synon të rrisë numrin e identifikimeve fillestare të viktimave të mundshme të trafikimit, si edhe të përfshirjes së publikut dhe informimit të tij mbi çështjet antitrafik.

Pas fazës së parë, aplikacioni do të promovohet në një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi, tek publiku.