Goditet një grup kriminal që trafikonte armë nga Shqipëria në Kosovë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/02/2014

Goditet një grup kriminal që trafikonte armë nga Shqipëria në Kosovë

Goditet një grup kriminal që merrej me trafik të armëve dhe municioneve luftarake nga Shqipëria drejt Kosovës, në të cilin bënin pjesë edhe dy punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm arrestoi në flagrancë  gjashtë shtetas pjestarë të këtij grupi kriminal. Në pranga u vunë shtetasit:

  1. Fadil Hysni Sula, 53 vjeç, lindur dhe banues në Bushtricë të rrethit të Kukesit, me detyrë Inspektor në Drejtorinë Rajonale të Kufirit e Migracionit Kukës, i dyshuar si organizatori i këtij grupi kriminal.
  2. Liman Sadik Gjici, 47 vjeç, lindur e banues ne fshatin Bushtricë të rrethit të Kukësit, i dyshuar si ndihmësi i organizatorit kryesor të këtij grupi.
  3. Hamdi Isuf Matja, 52 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë, me detyrë magazinier armatimi në Repartin 100, pranë Ministrisë se Punëve te Brendshme, në rolin e furnizuesit kryesor me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.
  4. Lorenc Qemal Zyli, 34 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.
  5. Erjon Ferdinandit Zisko, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Skënderbegas të Gramshit, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.
  6. Abedin Shefqet Plaku, 53 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

Arrestim i këtyre shtetasve u mundësua pas një hetimi intensiv disa mujor, të bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të ‘’Trafikimit të armëve dhe municioneve‘’, parashikuar nga neni 278/a. i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur.

Operacioni për kapjen e tyre u finalizua në dalje të tunelit të Kalimashit, teksa ishin  pjesëtarët e grupit kriminal ishin duke transportuar një sasi armësh dhe municionesh luftarake. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

  • 12780 fishekë automatiku e pistoletë;
  • 4 armë automatike;
  • Një sasi e konsiderueshme, pjesë armësh të ç’montuara.

Nga dokumentimi i deritanishem i aktivitetit kriminal të këtij grupi rezulton se vetëm magazinieri i Repartit 100 i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka furnizuar grupin kriminal, me 100.000 mijë copë fishekë.