VIDEO - Paketë e plotë masash për të rritur sigurinë rrugore - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/02/2014

VIDEO – Paketë e plotë masash për të rritur sigurinë rrugore

 

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto prezantuan paketën e masave për rritjen e sigurisë rrugore në vend. Masat parashikojnë ndryshime ligjore, në ashpërsimin e ndëshkimeve deri në 10 ditë burg për drejtuesit e mjeteve që përdorin alkool gjatë përdorimit të mjetit, si dhe ndalimin e transportit të udhëtarëve me mjete tip furgona.

Paketa e propozuar nga Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Së pari më lejoni të ndaj vlerësimin tonë duke besuar që kjo është paketa më e plotë e ndërhyrjes në të gjitha hallkat, të cilat pas kësaj ndërhyrje do garantojnë sigurinë rrugore maksimale si përgjigje e vetëdijes sonë, por dhe si përgjigje e ndërmjetësimit të qytetarëve për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve po dhe kalimtarëve. Jemi të vetëdijshëm që siguria rrugore është një problem, e njohim si problem ndaj duam t’a adresojmë në mënyrë sistematike për sot dhe për të ardhmen. Ndaj dhe së bashku me kolegun Haxhinasto do prezantojmë në qeveri, një paketë masash të plotë për miratim në mënyrë që t’a adresojmë në mënyrë sa më të plotë, sistematike dhe të qëndrueshme çështjen e sigurisë rrugore, shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm që çdo masë parciale ose e pjesshme mund të ndikonte në sistem por jo në mënyrën siç ne ne presim të ndikojë kjo paketë integrale masash për sigurinë rrugore. Siç jemi të vetëdijshëm që aksidentet rrugore dhe pasojat, qofshin ato me pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, apo pasoja fatale për jetën e njeriut kanë një pluralitet shkaqesh dhe ne jemi të vendosur të luftojmë edhe shkaqet që çojnë në aksidentet dhe pasojat e tyre.

Sensibilizimi i qytetarëve (drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët)

Duke filluar nga sensibilizimi i qytetarëve i drejtuesve të mjeteve, duke vazhduar me edukimin, dhe edukimin e konceptojmë shumëdimensional nga fëmijët në shkolla deri në edukimin e kandidatëve për drejtuar një mjet, tek masat që kanë të bëjnë me sigurimin e rrugës, sinjalistikën.  Por jemi të vetëdijshëm që gjitha këto masa rrezikojnë të mbetën në letër në rast se nuk do kujdeseshim shumë për sanksionimin e tyre dhe për përcaktimin, po i quaj dënime për të gjithë shkelësit e qarkullimit rrugor. Ju e dini që kjo çështje, pra përballja me aksidentet rrugore dhe pasojat e tyre ka qenë, mbetet dhe do të jetë prioritet i qeverisë dhe si i tillë ne kemi filluar t’a trajtojmë që ditën e parë të mandatit tonë, duke besuar që standarti i pasojave të rënda për shëndetin e njeriut apo pasojave fatale për jetën e njeriut, shprehur në shifra në Republikën e Shqipërisë duke qenë shumë herë më i keq sesa vendet e rajonit apo BE-së, është tërësisht i papranueshëm për ne. Dhe si i tillë kërkon trajtesë urgjente, sistematike, integrale të unifikuar dhe kordinuar mbi të gjitha, për të garantuar në mënyrë afatgjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme sigurinë rrugore, shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Deri më sot Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë të mundur hartimin e proçedurave standarte për çdo punonjës të policisë rrugore duke përfshirë çdo aspekt të përditshëm të qasjes së punonjësit të policisë rrugore ndaj shlekjes, ndaj shkelësve dhe sanksionimit të tyre. Nga sjellja e vetë punonjësit të Policisë rrugore dhe sjellja e drejtuesit të mjetit te raporti ndërmjet të dyve dhe raporti që të dy duhet të kenë me ligjin.

Drafti ligjor: 10 ditë burg për shoferët e dehur dhe drejtuesit pa patentë

Unë, dje, kam dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë propozimin për ndryshim në Nenin 291 të Kodit Penal, duke përcaktuar si masë minimale të dënimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, 10 ditë heqje lirie. Të drejtosh mjetin në gjendje të dehur ose pa patentë, nuk është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, por është vepër penale dhe përbën potencial të shtuar për të shkaktuar dëme serioze në jetën e njeriut, ose humbjen e jetëve. Një mjet që drejtohet nga njeriu në gjendje të dehur, ose pa patentë, është një armë që udhëton. Ndaj, si e tillë, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar që dënimi minimal i mundshëm që mund të propozojë prokurori ose të japë gjyqtari është 10 ditë heqje lirie, ose thënë ndryshe, burg. Për statistikë, në 4 muaj, që nga dita e parë e ushtrimit të detyrës nga unë si Ministër ose nga kjo Qeveri, Policia e Shtetit filloi praktikën e arrestimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. Deri më sot janë arrestuar 660 shtetas, të ndaluar me vendim gjyqësor janë vetëm 83 shtetas. Ne mendojmë që mungesa e politikës së njëjtë në zbatim të ligjit lidhur me sanksionet, pas sjell detyrimisht mungesën e respektit të ligjit nga këta njerëz që ndalohen nga policia dhe lirohen në sallën e gjyqit. Ndaj na lind e detyrueshme t’i propozojmë Parlamentit të ndryshojmë Kodin Penal dhe arrestimi nga punonjësi i policisë të vlejë, minimalisht, 10 ditë heqje lirie. Kemi përfshirë në paketën e masave një sistem të tërë teknologjik dhe transmetimi i të dhënave on-line, të cilën unë e përmenda edhe më parë, për çdo lloj kundravajtje dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke garantuar kështu që shkelësit të marrin atë që meritojnë, jo pse ne kemi dëshirë të dënojmë shkelësit, por kemi detyrim të garantojmë jetën e qytearëve, qofshin edhe shkelës të rregullave të qarkullimti rrugor.

Eleminim të transportit ndërqytetas me furgon

Ndërkohë, së bashku me kolegun Haxhinasto, do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e  transportit publik ndërqytetars, duke eliminuar njëherë e mirë transportin me furgon, të cilët në vlerësimin tonë përbëjnë shkak për aksidente, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve. Pra nuk e trajtojmë vetëm si çështje që ka të bëjë me disiplinimin e transportit ndërqytetas dhe transportit të qytetarëve, por e trajtojmë si një mase sigurie të domosdoshme për të parandaluar aksidente me pasoja të rënda ose fatale për jetën dhe shëndetin e njeriut. Është një masë që kërkon një planifikim në kohë, ndërkohë së bashku me kolegun Haxhinasto jemi duke hartuar aktet përkatëse, por Policia e Shtetit do të fillojë menjëherë nga puna për ndalimin e transportit të qytetarëve me furgon. Dhe menjëherë do të thotë – Menjëherë!

Sanksione të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit

Kemi parashikuar përcaktimin e regjimit të fortë të sanksionimit lidhur me disa shkelje të cilat për ne konsiderohen prioritare dhe kryesisht: respektimi i normave të shpejtësisë, përdorimi i alkoolit, drogës, përdorimi i telefonit celular në drejtimin e mjetit, mos-përdorimi i rripit të sigurimit në drejtimin e mjetit dhe për pasagjerët, mbajtja e fëmijëve në mënyrë të papërshtatshme brenda mjetit dhe mos-përdorimi i kaskave mbrojtëse për drejtuesit e mjeteve, motorë të cilësdo cilindrate. Këto konsiderohen jo vetëm shkeljet më frekuente, por mbi të gjitha konsiderohen shkeljet që më së shumti sjellin pasoja të rënda për shëndetin e njeriut ose fatale për jetën e njeriut. Ndaj kemi përcaktuar si prioritete absolute të Policisë së Shtetit këto shkelje që unë sapo lexova, duke besuar që në këtë mënyrë kontribuojmë drejtpërdrejt për sanksionimin e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor duke limituar ose kufizuar numrin e aksidenteve, për rrjedhojë numrin e pasojave të rënda ose fatale për shëndetin dhe jetën e njeriut.

Regjim të posaçëm për mjetet me targa të huaja

Ndërkohë kemi parashikuar në planin e masave kontrollin e qarkullimit të mjeteve me targa të huaja dhe regjim të përkohshëm. Në Bashkimin Europian kjo gjë nuk është fare një problem, por në Shqipëri është problem dhe ne do ta trajtojmë si të tillë, duke përcaktuar një regjim të veçantë për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Këtu bëhet fjalë jo për mjete që vijnë jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për mjete që rrijnë këtu për vite të tëra me targa të huaja, duke zgjatur vit pas viti lejen e qëndrimit. Kjo nuk do të jetë më e mundur.

Pajisja me kontratë sigurimi të detyrueshëm të mjeteve

Ndërkohë në planin e masave kemi parashikuar gjithashtu detyrimin në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimit të taksave dhe detyrimeve shtetërore në këtë moment, që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me kontratën e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve. Kjo është një masë jo vetëm për të garantuar dëmet materiale që nuk i kushtojnë në fakt pak shtetit, por mbi të gjithë për t’i garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut.

Konsulta me kompanitë e sigurimit për uljen e aksidenteve

Nga ana tjetër, së bashku me kolegun Haxhinasto kemi filluar një proces konsultash me kompanitë e sigurimit, për të përcaktuar dënimin që duhet të bjerë mi ta, lidhur me marrëdhënien që duhet të krijojnë, në mënyrë institucionale me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve për instrumentet e përbashkëta të edukimit dhe parandalimit të aksidenteve ne vend.

Nisi fotografimi i shkeljeve në qarkullim rrugor

Kemi filluar fotografimin e shkelësve dhe njoftimin nëpërmjet postës së shkeljeve, sëbashku me fotografinë. Kjo, nga njëra anë, sanksionon barrën e provës që ka Policia e Shtetit për të dokumentuar shkeljen dhe nga ana tjetër eliminon çdo abuzim të mundshëm qoftë edhe praktikë korruptive nga ana e Policisë së Shtetit, siç eleminon edhe argumentet e tepërta apo diskutimet e tepërta ndërmjet qytetarit dhe punonjësit të policisë në rastet kur ka probleme me pranimin ose jo të shkeljes. Sot për sot kjo masë po aplikohet për një numër të caktuar shkeljesh, por ndërkohë jemi duke ndërtuar infrastrukturën më moderne të mundshme për dokumentimin e çdo lloj shkeljeje në çdo lloj aksi nëpërmjet fotografimit dhe filmimit, këtu përfshirë zonat urbane, përfshirë dhe akset rrugore nacionale nëpërmjet sistemeve teknologjike, të cilat do të garantojnë zbatueshmërinë e ligjit por dhe dokumentimin e shkeljeve. Ndërkohë në kuadër të paketës së masave që kemi miratuar së bashku me kolegun Haxhinasto dhe shumë shpejt shkon në qeveri dhe në parlament për miratim, aty ku ka nevojë për miratim aktesh në parlament.

Masa edukative për këmbësorët

Ndërkohë nëpërmjet instrumenteve sensibilizues dhe edukativë, së bashku me kolegun Haxhinasto do synojmë që të limitojmë numrin e aksidenteve ku përfshihet një mjet me një këmbësor. Mund të them që kemi numrin shumëfish më të lartë, në krahasim me çdo vend tjetër të rajonit dhe të botës, të aksidenteve ku përfshihet një këmbësor. Madje, në vendet e Bashkimit Evropian as konsiderohet si rubrikë aksidenti ndërmjet mjetit dhe këmbësorit.  Pasojat në shëndetin dhe jetën e njeriut në vendet e Bashkimit Evropian kanë të bëjnë me aksidentet ndërmjet dy mjeteve ose shumë mjeteve. Ndërkohë në Shqipëri, në mënyrë frekuente, ndodh aksidenti që nuk ndodh thuajse në asnjë vend, të paktën në shifrat që ne kemi, ndërmjet mjetit dhe këmbësorit. Mjafton t’ju them që në 295 fatalitet nga aksidentet, në vitin 2013, 93 aksidente përfshijnë një këmbësor. Një këmbësor që kapërcen rrugën gabim, qoftë kjo në zona urbane, qoftë kjo në rrugë nacionale, duke e bërë thuajse të pamundur ose tepër të vështirë mënjanimin e pasojave fatale ose të renda për jetën e njeriut. Kjo, sigurisht, ka të bëjë me standardet e rrugës, ka të bëjë me sinjalistikën, ka të bëjë me kushtet lehtësuese për qytetarët, por, mbi të gjitha, ka të bëjë me kulturën dhe edukatën e ligjit. Ka të bëjë me respektin që duhet të ketë drejtuesi i mjetit ndaj rrugës dhe kalimtarit, por ka të bëjë edhe me respektin që duhet të ketë kalimtari, ose çdo qytetar, ndaj vetë rrugës dhe ndaj makinave.

Masa të ashpra penale ndaj dëmtuesve të rrugës

Meqenëse mbetet në interesin tuaj përcaktimi i penaliteteve lidhur me këtë çështje, jemi në fazën e diskutimit, së bashku me ministrin Haxhinasto dhe me Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me përcaktimin e penaliteteve në rastin e dëmtimit të infrastrukturës rrugore, duke e trajtuar këtë si vepër penale të rëndë dhe duke rritur sanksionin, sepse mendojmë që shkatërrimi i pronës publike, veçanërisht në këtë rast, sjell pasoja të rënda ose fatale për shëndetin e njeriut.

Hetime për autoritetet e kompanitë përgjegjëse për aksidentet

Jemi në diskutim, megjithse Policia e Shtetit ka filluar aplikimin prej disa mujash për hetime më të plota në raste aksidentesh dhe marrjen në përgjegjësi penale të Autoriteteve, qofshin edhe Publike por edhe Kontraktorët private, të cilët për shkak vonesash në përfundimin e punimeve në rrugë, apo për shkak të mosparashikimit të instrumenteve të sigurisë në rast punimesh, shkaktojnë apo sjellin pasoja të rënda ose fatale për shëndetin e njeriut. Këta do të konsiderohen subjekte të përgjegjësisë penale dhe do të hetohen si të tillë.

ÇFARË ËSHTË BËRË DERI TANI PËR TË PARANDALUAR AKSIDENTET:

Është hartuar procedurë dhe protokoll standart për çdo punjonës policie

Proçedurat standarte dhe protokolli standart për çdo punonjës të policisë rrugore është hartuar është miratuar dhe sot është në fuqi duke shënuar një standard të ri i qasjes së policisë rrugore të punonjësve të policisë rrugore ndaj qytetarëve kalimtarëve, ndaj drejtuesve të mjeteve dhe ndaj shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.

Marrëveshje me Min. e Transporteve: Jo kolaudim, me gjoba të papaguara

E dyta kemi firmosur para pak ditësh bashkë me kolegun Haxhinasto marrëveshjen e bashkëpunimit për të bërë të mundur që para kualidimit të mjetit të shlyhen të gjitha detyrimet që ka drejtuesi i mjetit. Kjo është masa e dytë që pason masën e parë që ndërrmori Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për të mos lejuar kalimin në pikën e Kalimit Kufitar të mjeteve që kanë debie ose që kanë detyrime të pashlyera. Ndërkohë që përcaktojnë edhe detyrimin për shlyrjen e të gjitha debive pra gjobave në mënyrë me kovencionale për shlyerjen e të gjitha gjobave përpara kolaudimit të mjeteve, duke garantuar kështu që instrumenti i sanksionit në rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor të ndjehet realisht dhe të peshoi realisht mbi drejtuesit e mjeteve, sepse vetëm në këtë mënyrë ne besojmë që sensibilizimi për shkak të pagesës së detyrimeve do kthehet në instrument parandalues për sigurinë rrugore dhe aksidentet, në tërësi.

Transparencë dhe akses në data-bazën e gjobave

Gjithashtu kemi hartuar dhe implementuar dhe sot është efektive një paketë të plotë masash për transparencën, për aksesin e qytetarëve në data-bazën dhe masat që ndërmerr policia rrugore ndaj qytetarëve.

Marrëveshje me Postën dhe Bankat për pagesën e gjobave

Kështu kemi nënshkruar marrëveshjen me Postën dhe me Bankat e nivelit të dytë për të bërë të mundur që gjoba e paguar në çdo filial të bankave të nivelit të dytë dhe apo në çdo zyrë postare të reflektohet në sekondë në sistem dhe qytetari të mos figurojë më debitor. Ky ishte një problem, i cili kërkonte trajtesë imediate për sa kohë i kërkonim qytetarëve të pagunim detyrimin e tyre ndaj policisë rrugore për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor ndodhte që reflektimi i sistemit të gjobave të paguara merrte diku tek 5-7 ditë kohë për tu reflektuar pagesa e gjobës. Duke sjell kështu një ngatërresë në sistem, por mbi të gjitha një bezdi të pa merituar për qytetarët të cilët mund të ndodhte që në harkun kohor të këtyre ditëve të ndaloheshin përsëri nga Policia Rrugore dhe të figuronin përsëri debitorë.  Sot  mund të them se marrëveshja është nënshkruar, sistemi është efektiv dhe çdo gjobë e paguar qoftë në zyrat e postës, qoftë në bankat e nivelit të dytë do të reflektohet menjëherë në sistemin e Policisë Rrugore dhe qytetari nuk do të rezultojë më debitor. Ndërkohë kemi garantuar aksesin e qytetarëve në çdo sportel të Policisë së Shtetit, qoftë komisariat, qoftë Drejtori Qarku, kudo, pra, njësi policore sa më afër qytetarit, për t’u interesuar lidhur me detyrimet që ka ndaj shtetit, ndaj Policisë Rrugore dhe afatet e mundshme për shlyerje, si dhe kemi garantuar akses akoma më të lehtë nëpërmjet internetit. Çdo qytetar mund të aksesojë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe të verifikojë nëse mjeti i tij rezulton debitor ose jo, duke ndërtuar kështu, mekanizmat e pritshmërisë dhe parashikueshmërisë së qytetarëve lidhur me sjelljen e tyre në rrugë dhe raportin që kanë me ligjin dhe Policinë e Shtetit.

POR … Shmangia e aksidenteve, jo vetëm në dorë të Policisë së Shtetit

Për t’a mbyllur, unë besoj dhe e ritheksoj se kjo është paketa më e plotë e ndërmarrë ndonjëherë për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë të gjithë që kërkohet bashkëpunim nga qytetarët, nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga kalimtarët. Në asnjë vend të botës nuk bie barra mbi Policinë e Shtetit, duke pritur që të ketë nga një punonjës policie në çdo kryqëzim apo në çdo kthesë. Por, mbi ne bie sot barra për të përcaktuar mekanizmat që rregullojnë në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme, mekanizma koordinues nga pikëpamja institucionale, të atillë që të garantojnë siguri maksimale rrugore, që do të thotë garanci e shtuar për shëndetin dhe jetën qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin e qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërisht sensibilizimin e qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërisht sensibilizimin tuaj, të medias, sepse është e domosdoshme që betejën për të garantuar sigurinë rrugore, betejën për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve t’a fitojmë të gjithë bashkë.