Tahiri takon Guvernatorin e BSH dhe përfaqësues të Bankave - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/02/2014

Tahiri takon Guvernatorin e BSH dhe përfaqësues të Bankave

Ministri i Punëve të Brendshme ka pritur sot në një takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e lartë të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, gjatë të cilit u diskutua për rritjen e masave të sigurisë kryesisht në transportin e vlerave monetare. Në këtë takim morën pjesë edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe si dhe Drejtori i Policisë z.Haki Çako.

VIDEO – Pas këtij takimi, në një komunikim për mediat, Ministri Tahiri u shpreh:

Ju falënderoj që jeni këtu. Unë dua të falënderoj Guvernatorin, unë dua të falënderoj pa asnjë diskutim kryetarin e Komisionit të Ekonomisë. Kjo është një tryezë tashmë permanente e jona, herë tjetër e mbledhur me iniciativë të Guvernatorit, herën e fundit e mbledhur me iniciativën e kryetarit të komisionit të ekonomisë. Sot ishte një tryezë e planifikuar për t’u mbledhur, por mori më shumë rëndësi edhe për shkak të ngjarjes që ndodhi në ditët e fundit.

Kemi dakordësuar disa masa të cilat do ta bëjnë shumë më të sigurt biznesin, aktivitetin financiar të bankave dhe veçanërisht transportin e vlerave nga bankat.

Paralelisht Policia e Shtetit ka nisur, me urdhër të Drejtorit të Policisë, një inspektim të të gjithë shoqërive private të sigurisë, pra policitë private, dhe nga ana tjetër po implementojmë dhe në atë sektor një sërë masash që kanë të bëjnë me forcimin e burimeve njerëzore, me trajtimin e  burimeve njerëzore, kryesisht është çështja e pagës, dhe pa asnjë diskutim pastaj dhe mjetet që kanë në përdorim policitë private për të përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj.

Unë jam në fazën që po shoh aktet nënligjore dhe shumë shpejt do firmos një urdhër i cili do të adresojë shumë më mirë masat shtesë të sigurisë për bankat dhe për transportin e vlerave nga bankat dhe nga policitë private.

Nga ana tjetër, kemi dakordësuar bashkë me bankat për të ngritur një grup permanent pune, teknik, i cili do të marrë në shqyrtim të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull deri më sot, të gjitha çështjet që kanë nevojë për një adresim shumë më konkret nga pikëpamja e sigurisë dhe do dalë me rekomandime konkrete.

Policia e Shtetit ka një sërë sugjerimesh të cilat janë bërë të ditura bankave të nivelit të dytë lidhur me masat e sigurisë. Ka një sërë kriteresh të cilat janë bërë të ditura dhe do kërkohet implementimi i tyre për policitë private. Në ndërkohë, deri në momentin kur këto masa të përmbushen, policia bashkë me bankat do të koordinojnë më ngushtë për të garantuar atëherë kur të jetë e nevojshme dhe me prezencën e Policisë së Shtetit, transportin e vlerave drejt Rinasit.

Jemi shumë të vetëdijshëm që kjo është një sfidë permanente e jona, jemi gjithashtu shumë të vetëdijshëm që krahasuar me të kaluarën, pavarësisht se nuk është vendi, sot kemi një standard shumë më të mirë sigurie, edhe në sektorin bankar, edhe në transportin e vlerave. Jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për të bërë, ashtu siç jemi shumë të vetëdijshëm dhe me vullnet të plotë për të marrë të gjitha masat që ka nevojë, brenda një afati kohor shumë të shkurtër, për të garantuar që të tilla ngjarje të parandalohen dhe të mos përsëriten më në të ardhmen.

Eksperienca e vendeve të tjera flet në mënyrën më elokuente të mundshme. Sot mjetet e transportit të vlerave janë zero në vendet e Bashkimit Europian, sepse janë dekurajuar nga masat parandaluese.

Ne do të marrim masa që edhe në Republikën e Shqipërisë transporti i vlerave të përmbushë të gjithë kriteret nga Policitë Private dhe nga bankat. Deri në atë ditë Policia e Shtetit do jetë shumë më prezente për të garantuar transportin e vlerave. Jemi të vendosur për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij fenomeni që për fatin tonë të keq ka përfituar nga mungesa e elementeve të sigurisë. Kryesisht nga Policitë Private, gjatë transportit të vlerave.

Do marrim masa që kjo të mos përsëritet më edhe duke angazhuar Policinë e Shtetit. Ashtu siç unë besoj brenda afatit më të shkurtër kohor të përcaktuar prej nesh, nga Guvernatori, nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe nga përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, ne do jemi në gjendje që këto masa të jenë prezente në çdo bankë, në çdo Polici Private që do merret me transportin e vlerave.

Për ne ka shumë rëndësi siguria e bankave. Për ne ka shumë rëndësi që ky aktivitet i rëndësishëm ekonomik dhe financiar në vendin tonë të ketë sa më pak probleme me sigurinë dhe të gëzojë siç gëzon mbështetjen e plotë të shtetit dhe veçanërisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Me guvernatorin dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë kemi dakordësuar që kjo tryezë të vazhdojë dhe të monitorojë në vazhdimësi implementimin e këtyre masave. Ashtu siç jemi të hapur për çdo sugjerim të bankave të nivelit të dytë, siç kemi bërë dhe me agjentët e tjerë kryesisht Policitë Private.

Pyetje: Është në tagrin e bankave kur do të kërkojnë asistencë të policisë për transportin e vlerave monetare, aa një rregull të saktë? Dhe e dyta duke pritur goditjen e radhës për marrjen e masave që ju thoni

Ministri Tahiri: Jo këto masa kanë qenë aty edhe në të kaluarën. Ajo që nuk ka funksionuar ka të bëjë me detyrat dhe detyrimet ligjore që kanë Policitë Private kryesisht për të respektuar gjithçka parashikohet nga ligji, për të ofruar më shumë siguri. Prandaj paralelisht po implementojmë një sërë planesh, nga Policitë Private, nga siguria e bankave te detyrat e policisë, për të garantuar që të gjitha institucionet në harmoni të bëjnë çfarë është e mundur që deri në momentin kur këto kritere të plotësohen tërësisht, të mos kemi asnjë problem me përsëritjen e këtyre ngjarjeve.

Pyetje: Ashtu siç keni thënë edhe në deklaratat tuaja edhe të policisë, vetë banka nuk i kishte respektuar elementët konkret në rastin e sigurisë. GPS u gjet në vend tjetër, bojë nuk kishte në thasët e parave. A do të mbajë përgjegjësi në rastin konkret, apo këtej e tutje do të mbajnë përgjegjësi ligjore. Pra deri më tani ato banka që kanë gabuar me elementët e sigurisë në thasët e parave të grabitura. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet e tjera nuk do të mbajnë përgjegjësi , apo që këtej e tutje ju do të vini përpara përgjegjësisë.

Ministri Tahiri: Është shumë e rëndësishme që të kuptoni që në vendet e Bashkimit Europian, të tilla vjedhje nuk ndodhin sepse ato para janë të papërdorshme më, për shkak të bojës, apo elementëve të tjerë të sigurisë që nuk po ndalem. Ne duhet ta dekurajomë deri në zero të tilla ngjarje kriminale, duke përdorur këta elementë që janë parandalues. Duhet të shikojmë para. Kemi një bashkëpunim dhe mirëkuptim me bankat e nivelit të dytë. Me një asistencë të plotë nga Guvernatori dhe nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë. E them jo pa shkak duhet të shikojmë përpara sepse duhet të bëjmë gjithçka është e mundur që nga sot e tutje të tilla gjëra të ndodhin në mënyrë që ngjarje kriminale të mos ndodhin më.

Ju faleminderit!