Çelen Zyrat e Shërbimit Unik për qytetarët në Korçë e Pogradec (VIDEO) - Ministria e Brendshme
Postuar më: 31/01/2014

Çelen Zyrat e Shërbimit Unik për qytetarët në Korçë e Pogradec (VIDEO)

Inagurohen Zyrat e Shërbimit Unik për qytetarët në Korçë dhe Pogradec. Në ceremonitë e çeljes së tyre ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi dhe zyrtarë lokale.

Prononcimi i Ministrit Tahiri në Pogradec:

Viti 2015 për Ministrinë e Punëve të Brendshme është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por mbi të gjitha i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit për t’i shërbyer qytetarëve. Këto zyra, Zyrat e Shërbimit Unik, nga njëra anë garantojnë një standard cilësor shumë të lartë për shërbimin ndaj qytetarëve dhe nga ana tjetër zhdukin në mënyrë absolute çdo mundësi për praktika korruptive të punonjësve të policisë ndaj qytetarëve.

Dhe gjithashtu, forcojnë shumë fort prioritetin tonë maksimal që është ndryshimi i mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit për t’i shërbyer qytetarëve.

Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta përsërisim, duhet ende shumë punë për t’i bërë punonjësit e policisë të kuptojnë që me qytetarët e mirë që nuk shkelin ligjin jemi partnerë dhe duhet t’i shërbejmë publikut.

Dhe nga ana tjetër, ne besojmë shumë fort që shërbimi cilësor ndaj qytetarëve është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet, besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, duke na bërë gjithë bashkë në gjendje që të luftojmë kriminalitetin, paligjshmërinë dhe informalitetin, në mënyrë maksimale dhe me eficiencë.

Zyrat e shërbimit qytetar janë një prioritet yni për të garantuar shërbime cilësore ndaj qytetarëve. Kjo nuk është e vetmja. Gjatë vitit 2014 kemi hapur një sërë zyrash të tilla në disa qytete të Shqipërisë, por ne do të vijojmë me modernizimin teknologjik, me modernizimin infrastrukturor dhe me modernizimin e shërbimeve të policisë së shtetit ndaj qytetarëve, si e vetmja rrugë për të dhënë shërbime cilësore ndaj qytetarëve, por edhe për të luftuar bashkë korrupsionin brenda policisë së shtetit dhe kriminalitetin e paligjshmërinë në tërësi.

VIDEO – Prononcimi i Ministrit Tahiri në Korçë:

Vetëm gjatë vitit 2014, aksesi i qytetarëve te Policia e Shtetit është dyfishuar.

Në qoftë se në vitin 2013 ishin rreth 2 mijë qytetarë që njoftonin policinë për problemet e tyre, gjatë vitit 2014 janë mbi 5 mijë.

Gjë që tregon besim të qytetarëve te Policia e Shtetit por edhe lehtësi për të aksesuar shërbimin e policisë.