VIDEO - Siguria rrugore do kthehet në parametrat që meritojnë qytetarët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/01/2014

VIDEO – Siguria rrugore do kthehet në parametrat që meritojnë qytetarët

VIDEO – Fjala e plotë e ministrit Saimir Tahiri

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha në Konferencën për Sigurinë rrugore se do të paraqiten disa ndryshime ligjore në Kodin Penal për një ndëshkim më të ashpër të shkelësve flagrantë të rregullave të qarkullimit rrugor. Zoti Tahiri u shpreh se falë masave të marra, nuk ka më njerëz “të paprekshëm”, që deri dje, as nuk shqetësoheshin nga Policia rrugore kur bënin shkelje.

Fjala e plotë ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Ky takim zhvillohet në mes të një debati publik për masat administrative rrugore të Policisë së Shtetit, që nga njëra anë është dëshmia më kuptimplotë e trashëgimisë që na la qeveria e kaluar lidhur me paligjshmërinë dhe pasigurinë rrugore, por nga ana tjetër, një dëshmi po kaq elokuente e kapacitetit shoqëror për të pranuar ligjin dhe barazinë para ligjit.

Dhe ata që bërtisnin më shumë për të fryrë opinionin publik, ishin ata që deri dje e quanin veten të paprekshëm, e pse sot nuk janë të tillë, janë gati të mbushin faqe gazetash e kronika lajmesh.

Aq më e zhurmshme bëhet kori i thirrjeve të sponsorizuara kundër policisë, kur sheh shifrat.

Nga njëra anë, që nga dita e parë në detyrë e qeverisë deri më sot, kemi 21 aksidente me vdekje më pak, jetë njerëzisht të shpëtuara. Dhe ankesat zyrtare për gjobat, janë minimale. Në Tiranë, deri para pak ditësh, ishin vetëm 7 ankesa. Nga e gjithë zhurma, vetëm 7.

Por të gjitha këto janë kalimtare, përballë domosdoshmërisë tonë për t’u përballur me çështjen e mprehtë të sigurisë rrugore.

Policia e Shtetit është keq-konceptuar si përgjegjsja kryesore për numrin e lartë të aksidenteve. Kujt i ka rënë rasti të udhëtojë jashtë e të kthehet këtu i habitur si nuk pa një punonjës policie në rrugë a në kryqëzimet e botës, e kupton shumë më mirë këtë që sapo thash.

Por policia rrugore ka një rol të pamohueshëm, madje kyç, në forcimin e zbatimit të ligjit në rrugë, barazisë para ligjit dhe sigurinë rrugore në tërësi.

Kemi ndërmarrrë një tërësi reformash dhe jemi në fazat finale të ideimit dhe realizimit të reformave të tjera shumë të rëndësishme.

E filluam duke e bashkuar policinë rrugore në policinë e shtetit. Qeveria e kaluar e kishte lënë të ndarë, gati ishull më vete, sepse ashtu ishte më e lehtë për të mos pasur polici dhe akoma më e lehtë për të pasur korrupsion masivisht të përhapur.

Me ndryshimin strukturor, sot Policia e Shtetit investohet e tëra për sigurinë rrugore, të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Ndëshkuam korrupsionin. As nuk duhej të hetoje, por vetëm të bëje bashkë praktikat, për të parë si e kishin kthyer korrupsionin në sistem. Nga punonjësi i policisë në rrugë deri te eprori më i lartë, i gjithë zinxhiri i komandës ishte kthyer në aksioner të korrupsionit.

Raste të panumërta të kulturës korruptive që cënuan në themel besimin e publikut tek Policia e Shtetit, por mbi të gjitha shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Në zhurmën për gjobat, u ndjeva mirë që nuk dëgjova qoftë dhe një të vetëm të akuzojë Policinë rrugore për korrupsion e rryshfet. Raste të izoluara sigurisht ndodhin, por ai punonjës policie që merr guximin të negociojë forcën e ligjit për ca para, e bën me koston e madhe personale që jo vetëm mos punojë më në polici por të shkojë para drejtësisë.

Janë me dhjetra vetëm gjatë këtyre muajve, të përjashtimit dhe ndjekjes penale për punonjës të policisë rrugore për shkak të korrupsionit.

Por ndërkohë po reformojmë dhe sistemin. Kemi ndërprerë menjëherë pagesën e gjobave pranë policisë, duke besuar që kjo marrëdhënie financiare e deri-djeshme ka shërbyer si shteg për korrupsioin. Sot gjobat nuk i paguhen më në dorë punonjësit të policisë dhe as sportelit të policisë.

Mund të paguhet në çdo filial banke dhe zyrë e postës në çdo cep të Shqipërisë. Duke kursyer kohën e qytetarëve, por mbi të gjitha, duke kursyer korrupsionin e zyrtarëve.

Është garantuar aksesi i qytetarëve dhe nga shtëpia për të kontrolluar mjetin e tyre për debi të mundshme gjobash pa stërmundimin e rradhëve të gjata, por vetëm duke hyrë në faqen e internetit të Policisë së Shtetit ose duke pyetur në çdo komisariat.

Sistemi e-gjoba po bëhet plotësisht operativ, duke digjitalizuar Policinë rrugore dhe duke ofruar një shërbim akoma më cilësor dhe të pa-kompromentueshëm.

Javët në vijim, do ketë reforma të tjera shumë të rëndësishme, që ndikojnë në vetë themelet  e funksionimit të Policisë së Shtetit.

Ndryshuam bajraktarët e Policisë rrugore për ti zëvendësuar me djem dhe vajza të reja, të denjë për t’i shërbyer qytetarëve me cilësi, etikë, mirësjellje, korrektesë, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Filluam në Tiranë për të vazhduar në të gjithë Shqipërinë, sepse unë besoj është koha për gjeneratën e re të Policisë së Shtetit.

Kemi çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë. Sot nuk ka të paprekshëm në rrugë. Nuk ka imunitet. Sepse kush shkel ligjin, do ndëshkohet. Ligji është një për të gjithë dhe para tij, qytetarët duhet të jenë të barabartë.

Qeveria e kaluar na la për trashëgimi një rrëmujë skandaloze, me korsi preferenciale për miqtë e pushtetit, sa dhe punonjësit e policisë nuk guxonin t’i ndëshkonin.

Kjo histori po mbyllet e do mbyllur një herë e mirë. Para ligjit dhe para punonjësit të policisë, do jenë të gjithë të barabartë. Pa asnjë dallim.

Në paketën e masave që bëjmë publike sot, janë parashikuar reforma të cilat do ta shtyjnë përpara zbatimin e ligjit dhe garantimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Kemi propozuar edhe rritjen e ndëshkimit për ata që drejtojnë mjetin pa patentë ose në gjendje të dehur. Nuk kishte ndodhur kurrë që policia të aplikonte arrest në të tilla raste. Filloi ta aplikojë duke sjellë efekt të menjëhershëm, por fatkeqësisht, gjyqtarët i kanë lënë të lirë.

Kjo situatë na detyron të sjellim si propozim ndryshimin e Kodit Penal, që edhe gjyqtari më dashamirës, t’a ketë detyrim të pashmangshëm masën e arrestit me burg për ata që drejtojnë makinën pa patentë ose në gjendje të dehur.

Besoj se së bashku me rritjen e kapaciteteve infrastrukturore, sinjalistikën rrugore, formimin më të mirë të drejtuesve të automjeteve, me edukimin qytetarë dhe forcimin e zbatimit të ligjit, siguria rrugore do kthehet në parametrat që meritojnë qytetarët shqiptarë.