Fluks kërkesash për shkollën e Policisë, shtyhet deri në 28 shkurt afati i aplikimit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/01/2014

Fluks kërkesash për shkollën e Policisë, shtyhet deri në 28 shkurt afati i aplikimit

Policia e Shtetit informon të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” se procesi i aplikimeve do të përfundojë në datë 28 shkurt 2014.

Nisur nga fluksi i lartë i kandidatëve të interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, si dhe për t’u dhënë kohë të gjithë kandidatëve të interesuar, të cilët kanë tërhequr formularët e aplikimit, për të plotësuar dhe dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm, procesi i aplikimeve do të jetë i hapur deri në 28 shkurt.

Rikujtojmë se kandidatët e interesuar mund të aplikojnë pranë të gjithë Drejtorive të Policisë në Qarqe, ku duhet të paraqesin të gjithë dokumentacionin e kërkuar:

–          Formularin e plotësuar të aplikimit

–          Fotokopje të pasaportës ose letërnjoftimit ID

–          Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme

–          Dëshmi penaliteti (formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore)

–          Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B” e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë.

Kandidatët mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit dhe Menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe mund të shkruajnë email në adresën policiaeshtetit@asp.gov.al. Rikujtojmë se informacioni i plotë për procesin e aplikimit është i pasqyruar në faqen e internetit të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al, në rubrikën “Si mund të bëhesh punonjës policie”.