MPB pranë marrëveshjes me EUROPOL - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/11/2013

MPB pranë marrëveshjes me EUROPOL

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë vizitës së tij në Francë u takua edhe me Presidenten e Interpol, Mireille Ballestrazzi, me të cilën diskutoi lidhur me ngritjen në një nivel të ri cilësor të marrëdhënieve të bashkëpunimit.

Ministri Tahiri e informoi znj. Ballestrazzi lidhur me rezultatet më të fundit të Policisë Shqiptare, e cila në vetëm dy muaj ka arritur të ndalojë 38 persona në kërkim ndërkombëtar. Ministri nënvizoi gatishmërinë e plotë për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për të goditur elementin kriminal.

Ministria e Punëve të Brendshme është në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me EUROPOL.

“Kjo marrëveshje na bën edhe më shumë të partnerë me INTERPOL dhe në të njëjtën kohë rrit më shumë përgjegjësitë e policisë Shqiptare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, tha ministri Tahiri.

Znj. Ballestrazzi u shpreh se Shqipëria është shumë e pranishme në INTERPOL dhe se rezultatet shumë të mira të arritura gjatë dy muajve të fundit, veçanërisht në kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, tregojnë vullnetin e qeverisë Shqiptare për të arritur standartet e duhura në luftën kundër kriminalitetit.