Platformë e re komunikimi mes publikut dhe Policisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/11/2013

Platformë e re komunikimi mes publikut dhe Policisë

Letra e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri mbi publikimin e të dhënave për personat në kërkim:

Për herë të parë në historinë e vet, Policia e Shtetit vendos një standard të ri duke shënuar një hap themelor jo vetëm për transparencën ndaj qytetarëve por mbi të gjitha, duke ndërtuar një platformë të re komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit sot publikon të dhënat për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga policia dhe organet e drejtësisë.

Në një hapësirë të veçantë të faqes së internetit të Policisë së Shtetit, çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë informacion të plotë, përfshirë të dhënat dhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie.

Në të njëjtën hapësirë çdo kush mund të gjejë të publikuara edhe kontaktet e Policisë së Shtetit për të njoftuar në rastet kur ka të dhëna për vendndodhjen e personave të kërkuar, duke ruajtur plotësisht konfidencialitetin e qytetarit që do të japë informacione të vlefshme për policinë.

Kjo praktikë e re, synon së pari ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët që mund të ndihmojnë policinë për gjetjen e dhe kapjen e secilit prej personave të shpallur në kërkim. Ne jemi të bindur se suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit të saj është një sipërmarrje, që nuk bëhet dot pa ndihmën aktive të qytetarëve.

Por mbi të gjitha, publikimi i personave më të kërkuar, ndihmon në ndërtimin e atyre mekanizmave të imunitetit shoqëror për të parandaluar që këta njerëz të vazhdojnë jetën mes shoqërisë të pashqetësuar, duke shtuar rrezikun për sigurinë e jetës dhe pronës për secilin prej nesh.

Ministria e Punëve të Brendshme është e interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të stimuluar te qytetarët shpirtin e bashkëpunimit e në mënyrë të veçantë atë të reagimit të përbashkët ndaj së keqes së përbashkët. Ne synojmë të ndërtojmë sigurinë publike bashkë me qytetarët, duke çmontuar sigurinë e atyre që kanë shkelur ligjin, janë dënuar nga organet e drejtësisë e sot janë ende të lirë.

Deri më tani në internet janë hedhur të dhënat për 742 persona në kërkim, që konsiderohen si më të rrezikshëm. Prej tyre 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish 23 janë femra, ndërsa numri më i madh i të kërkuarve është dënuar për veprat penale të vrasjes, apo vrasjes së mbetur në tentativë. Këto të dhëna mund të gjenden duke klikuar në linkun:

http://www.asp.gov.al/index.php?option=com_wanted&view=wanted&Itemid=464&lang=sq

Duke mirëpritur bashkëpunimin e çdo qytetari, që do të ndërtojë paqe dhe siguri në vendin tonë, dëshiroj ta mbyll me falenderimin më të madh për strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që bëri të mundur realizimin në kohe të këtij instumenti të rëndësishëm.

Faleminderit!

                                                                                         Saimir Tahiri

                                                                        Ministër i Punëve të Brendshme