Polici - Prokurori - SHISH, bashkë kundër krimit të organizuar - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/11/2013

Polici – Prokurori – SHISH, bashkë kundër krimit të organizuar

Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror kanë nënshkruar sot një memorandum për forcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimtarisë së tre institucioneve në parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar (trafiqeve të paligjshme), krimeve të rënda, korrupsionit dhe veprave penale që cënojnë rregjimin juridik të tokës, mjedisit dhe burimet natyrore. Në fjalën e tij përpara nënshkrimit të memorandumit, Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh:

“Faleminderit që keni ardhur. Kam kënaqësinë të ndaj edhe para jush, përpjekjen tonë të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SHISH, për të ngritur në një stad tjetër nivelin e bashkëpunimit institucional ndërmjet të tri agjencive dhe pse jo, për të njohur rezultate shumë më konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit dhe veprave penale në fushën e mjedisit, konkretisht ndërtimeve pa leje dhe prerjen e paligjshme të pyjeve.

Duke njohur në radhë të parë rëndësinë themelore që ka bashkëpunimi institucional ndërmjet të tre institucioneve dhe pastaj edhe agjencive të tjera shtetërore në luftën kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm gjithashtu për rëndësinë që ka lufta jonë e përbashkët kundër paligjshmërisë për të shembur murin e pandëshkueshmërisë dhe për të rritur njëkohësisht besimin e publikut te forca e ligjit dhe te shteti ligjor, si edhe për të sanksionuar me veprime dhe rezultate konkrete, barazinë para ligjit dhe sundimin e ligjit, ne së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SHISH, kemi menduar që një memorandium bashkëpunimi do të forconte lidhjet institucionale dhe raportet institucionale ndërmjet nesh, brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe ndërkohë do të na vinte në kushtet e punës për të pasur rezultate të cilat do të shënojnë një moment të ri në luftën tonë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe paligjshmërisë në tërësi.

Unë do të doja sinqerisht të falënderoja Prokurorin e Përgjithshëm, dhe Drejtorin e SHISH, për nënshkrimin e këtij memorandumi, me shpresën që vetë nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në vetvete rrezikon të mbetet letër, në rast se nuk kthehet në model pune dhe aksioni konkret me rezultate solide, në luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe paligjshmërisë në tërësi.