Plan kundër kontrabandës së kromit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/11/2013

Plan kundër kontrabandës së kromit

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka zhvilluar sot pasdreke një vizitë pune në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë ku është takuar me drejtues të kësaj drejtorie  si dhe me drejtues të Policisë së Qarkut të Dibrës. Në fokus të takimit ka qenë forcimi i masave për të luftuar kontrabandën e mineralit të kromit, si një nga prioritetet e punës së policisë e në mënyrë më të veçantë të policisë së dy qarqeve Lezhë e Dibër. Në këtë takim ministri shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi si dhe Zv. Drejtori i  Përgjithshëm, Altin Qato.

Takimi i ministrit të Punëve të Brendshme ka ardhur menjëherë pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Lezhës, gjatë të cilit u bë e mundur që të bllokohen 15 kamionë të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte, për të cilët transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës. Ministri Tahiri i ka përgëzuar drejtuesit e policisë për këtë operacion, por ka theksuar se duhet bërë akoma më shumë për të frenuar këtë veprimtari kriminale, e cila i shkakton dëme të mëdha buxhetit të shtetit dhe ekonomisë së vendit.

Pas u diskutua gjerësish me drejtuesit e Policisë, u vendos për hartimin e një plani operacional me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë për të goditur kontrabandën e kromit. Plani do të parashikojë forcimin e kontrolleve si në akset rrugore kombëtare ashtu edhe në pjesë të tjera të territorit ku mund të zhvillohet kjo veprimtari e paligjshme, e deri në pikat kufitare nga ku ky mineral nxirret jashtë vendit. Ministri Tahiri ka lënë porosi të veçanta për forcimin e masave ndaj dy drejtorive të policisë në Lezhë dhe Dibër, si dy nga qarqet më kryesore prej nga ku nis dhe kalon kjo kontrabandë minerali.