MPB, reformat e 45 ditëve të para - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/11/2013

MPB, reformat e 45 ditëve të para

Aktiviteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe strukturave në varësi të saj gjatë 45 ditëve të para të punës së Qeverisë së re është fokusuar në tre drejtime kryesore:

  1. Nisja e procesit të ndryshimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor;
  2. Nisja e procesit të reformimit strukturor;
  3. Forcimi i punës operacionale të Policisë së Shtetit.

Të treja këto drejtime janë konsideruar prioritare për të kthyer ligjshmërinë në funksionimin e Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera vë varësi të MPB si dhe për të rritur efikasitetin e punës nëpërmjet ndryshimeve thelbësore strukturore. Në mënyrë më të detajuar këto prioritete janë ndjekur si më poshtë.

Procesi i reformimit të kuadrit ligjor

Ministria e Punëve të Brendshme që në ditët e para ka nisur nga puna për përgatitjen e një pakete ligjore që do t’i paraqitet Kuvendit dhe nëpërmjet të cilës do të riparohen të gjitha defektet dhe boshllëqet ligjore që deri më tani kanë krijuar hapësira për mosfunksionimin normal të strukturave të caktuara apo për mungesë të eficencës së tyre në drejtim të forcimit të sigurisë publike dhe luftës ndaj krimit. Paketa ligjore do të përmbajë:

  1. Studimi “Për Vlerësimin e brendshëm të Policisë”;
  2. Studimi “Mbi personelin e Policisë”;
  3. Projektligji “Për Policinë e Shtetit”;
  4. Projektligji “Për Gradat në Policinë e Shtetit”;
  5. Projektligji “Për shërbimin e sigurisë private”;
  6. Projektligji “Për armët”;
  7. Projektligji “Për përdorimin e armës”
  8. Projekt VKM “Për krijimin dhe organizimin e Akademisë së Policisë”
  9. Projekt “Për Byronë Kombëtare të Hetimit”
  10. Projekti “Për Drejtorinë e Sigurimit të Personaliteteve”
  11. Projektligjin “Për Shërbimin e Kontrollit të Brensdhëm”

Me porosi të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka hartuar urdhërin Nr.583, Datë 21.10.2013 për ngritjen e grupeve të punës, të përbërë nga juristë dhe ekspertë policie, punonjës të Drejtorisë së Përgjitheshme të Policisë së Shtetit, të cilët tashmë kanë nisur punën për përgatitjen e kësaj pakete ligjore.

Reformat strukturore

Objektivi kryesor i reformave strukturore, veçanërisht në Policinë e Shtetit ka qenë shkurtimi i funksioneve administrative dhe fuqizimi i Komisariateve të policisë në bazë. Këtij objektivi i ka shërbyer edhe struktura e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

  • Në fazën e parë të reformës është rregulluar piramida e Policisë së Shtetit, duke garantuar që shërbimi policor ndaj qytetarëve të zbresë në nivelin bazë. Nga 811 punonjës që kishte Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, me strukturën e re të miratuar nga Qeveria në funksione të koordinimit dhe të planifikimit të strategjive dhe të monitorimit janë 255 funksionarë. Funksionet që janë shkurtuar në administratën e Drejtorisë së Përgjithshme u janë shtuar komisariateve të policisë në bazë.
  • Shkrirja e Policisë Rrugore si komisariat më vete ka qenë një tjetër hap i reformimit strukturor të Policisë së Shtetit. Bashkimi i këtij shërbimi me komisariatet ekzistuese të policisë ka synuar ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive, ndërmjet Policisë së Rendit, Policisë Kriminale dhe Policisë Rrugore.
  • Po ashtu ka nisur reforma ligjore, funksionale dhe e përgjegjësive të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe reformën e Inspektorateve të Standardeve në Policinë e Shtetit. Kjo reformë synon që Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm t’a kthejë në një model demokratik, llogaridhënës dhe mbi të gjitha në një urë komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, duke garantuar standarde maksimale të kontrollit civil, të kontrollit qytetar ndaj Policisë së Shtetit në çdo hallke të veprimtarisë së saj.
  • Një tjetër hap në drejtim të reformës strukturore është edhe procesi i nisur në Gardën e Republikës, e cila nuk do të ekzistojë më si e tillë, por do të shndërrohet në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve, e cila nuk do të varet më nga Ministri i Brendshëm, por do të jetë në zinxhirin e kompetencës dhe përgjegjësisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër u ndryshua ekipi drejtues dhe drejtuesit e rinj po drejtojnë procesin e reformimit të kësaj strukture.

Forcimi i punës operacionale të Policisë së Shtetit

Në zbatim të parimit “Një shtet, një polici”, ministria e Punëve të Brendshme që në ditët e para të niosjes së punës së qeverisë së re ka vendosur në fokusin e strukturave të Policisë së Shteit tdisa nga detyrat më të rëndësishme në fusha që deri më tani kanë qenë pothuajse krejtësisht jashtë vëmëndjes së unioformave blu. Kështu kanë nisur disa aksione në shkallë kombëtare për:

  1. Evidentimin dhe bllokimin e ndërtimeve pa leje si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të subjekteve ndërtuese që kanë shkelur ligjin, apo edhe nëpunësvetë administratës publike që nuk kanë vepruar për ndalimin e këtyre ndërtimeve. Si rrjedhim i këtij aksioni brenda 40 ditësh u arrit të evientoheshin dhe bllokoheshin rreth 350 objekte në ndërtim, me 341 autorët, nga të cilët 337 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 janë shpallur në kërkim. Lidhur me ndërtimet e paligjshme i janë referuar materialet prokurorisë për ëion apo shpërdorim detyre në rreth 50 raste ndaj përfaqësuesve të Inspektoriateve Ndërtimore Urbanistike Vendore.
  2. Ndalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve. Në këtë drejtim gjatë kësaj periudhe janë evidentuar rreth 55 vepra penale, me 57 autorë, nga të cilët 8 janë arrestuar, 44 janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim. Në 4 raste i janë referuar materialet Prokurorisë për shpërdorim detyre ndaj punonjësve të policisë pyjore.
  3. Evidentimin dhe parandalimin e dhunës në familje, si burim kryesor për ngjarje me pasoja të rënda. Në kuadër të masave për parandalimin e dhunës në familje nga strukturat e policisë është ndërhyrë në me shumë se 270 raste. Janë arrestuar e ndaluar mbi 55 autorë të dhunës në familje, janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë rreth 200 autorë të dhunës në familje dhe janë shpallur në kërkim 5 autorë për këtë vepër penale.

Këto aksione janë kthyer tashmë në në një aktivitet të përditshëm të punës së policisë, ndaj edhe shifrat e rezultateve të tyre janë të lëvizshme, me tendencë rritjeje nga dita në ditë.

Gjatë periudhës 17 shtator – 31 tetor nga ana e Policisë së Shtetit janë organizuar dhe realizuar me sukses edhe disa operacione mjaft të rëndësishme ndër të cilat:

  1. Operacioni “Ikona”. Gjate këtij operacioni i arrestuar tre persona (dy në Tirane dhe një në Fier), te cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur në Maqedoni dhe në Shqipëri vepra arti në objekte kulti, të cilat kanë pasur si destinacion shitjen për qëllime fitimi. Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe ambientet e tjera që posedojnë këta shtetas, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 477 ikona kishash, piktura murale, enë bronzi, si dhe objekte të tjera me vlera të trashëgimisë kulturore.
  2. Operacioni “Fund marrëzisë”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Në këtë operacion u angazhua rreth 60% e gjithë efektivit të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve dhe Drejtorinë e Lojërave të Fatit. Ndër rezultatet e këtij operacioni deri mesditën e datës 31 tetor mund të rendisim: Janë kontrolluar 1324 subjekte; Proceduar penalisht 494 subjekte dhe 486 persona; Janë sekuestruar 2885 makineri lojërash fati dhe pajisje; Janë sekuestruar 203 kompjuterë dhe 610 monitorë (televizorë) në subjektet e pikave të basteve.
  3. Operacioni ndërkombëtar “Eurocar – Albania” kundër trafimit të mjeteve të vjedhura është zhvilluar njëkohësisht edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e EUROPOL, FRONTEX, EUROJUST dhe INTERPOL. Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni u kontrolluan dhe verifikuan 5243 mjete të llojeve të ndryshme. Nga verifikimi në sistemin e Interpolit, kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit 22 automjete dhe 2 motorçikleta.
  4. Operacioni “Dark Web”, kundër grupit të ashtuquajtur “Albanian Hackers Group”, që kryente veprimtari kriminale në fushën kompjuterike. Gjatë këtij operacioni, që u organizua në të njëjtën kohë në rrethet Tiranё, Fier, Elbasan dhe Vlorё janë arrestuar 3 persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata akuzohen për thyerjen e paligjshme të faqeve elektronike të subjekteve të ndryshme shtetërore apo private dhe vjedhjen e bazave të të dhënave të administruara në këto sisteme kompjuterike, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen në sistemin kompjuterike të disa subjekteve televizive në vend. Po ashtu dhe për thyerjen dhe vjedhjen e paligjshme të të dhënave të aksesit në profilet e përdoruesve të ndryshëm të rrjeteve sociale dhe kompanive të shërbimit të postës elektronike si “Facebook”, “YAHOO”, GMAIL” etj, me qëllim përfitim personal. Akuzohen gjithashtu për vjedhjen nëpërmjet teknikës “phishing” dhe përdorimin e paligjshëm me qëllim përfitimi personal e të dhënave, të të paktёn 130 kartave bankare, të cilat janë lëshuar nga banka shqiptare dhe të huaja për klientët e tyre, duke kryer blerje në dyqane elektronike në Internet, të mallrave dhe shërbimeve, bileta udhëtimi, etj.

aktivitetet afatshkurtra për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore

  1. Rifunksionimi i Komitetit Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore:

Në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave – datë 19 Tetor, 2013 u organizua konferenca Stop Trafikimit! Së Bashku Mund të Bëjmë më Shumë!”.

Në këtë event morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama, Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri, Koordinatorja Kombëtare kundër Trafikimit të Personave, Znj. Elona Gjebrea, Ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri, SH.T.Z. Ettore Sequi, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Florian Raunig, Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z. Henry V. Jardin, Koordinatori Rajonal për Ballkanin Perëndimor të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Z. Gianlucca Rocco, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së/Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it, Znj. Zineb Touimi – Benjelloun, Kryetarja e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, Znj. Brikena Puka, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Vodafone Albania”, Z. Albi Greva, Drejtori Kombëtar i organizatës Ëorld Vision, Z. Rein Dekker dhe të ftuar të tjerë, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga shoqëria civile, të cilët artikuluan angazhimin e tyre serioz sa i përket përpjekjeve antitrafik në shkallë vendi, duke mbështetur iniciativat reciproke në kuadër të axhendave prioritare respektive.

Në këtë Konferencë morën pjesë edhe disa prej anëtarëve të Komitetit Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Megjithatë, mbledhja zyrtare e këtij Komiteti do të mbahet në javën e parë të muajit dhjetor.

  1. Rifunksionimi i Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat/Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR)

Më datë 29 Tetor 2013, u mblodh në një takim paraprak konsultativ Mekanizmi Kombëtar i Referimit për Viktimat/Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR). Në takim u diskutua mbi problematikat e hasura në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe adresimin e duhur të tyre me qëllim funksionimin e plotë dhe efikas të MKR-së.

Palët morën angazhim për plotësim të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat/Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR) dhe vendimet e marra në këtë takim janë si vijon:

  1. Anëtarët pjesëmarrës vendosën të përcillnin brenda datës 31 Tetor:
  • emrat përkatës të anëtarëve të Task Forcës për MKR;
  • emrat përkatës të anëtarëve të rinj të Autoritetit Përgjegjës për Viktimat/Viktimat e Mundshme të Trafikimit.
  1. Brenda datës 1 Nëntor 2013, anëtarët e MKR-së do të përcjellin mendimet dhe sugjerimet mbi formatin e MKR-së, si në përmbajtje, ashtu edhe në anëtarësi.
  2. Brenda javës së parë së muajit nëntor do të kryhet dhe rifirmosja e Marrëveshjes për Funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, si edhe takimi i anëtarëve të Task Forcës për MKR-në.
  3. Rivendosja dhe fuqizimi i partneriteteve, veçanërisht partneritetit me shoqërinë civile:

Që në momentin e vendosjes së Zëvendësministres së Punëve të Brendshme njëkohësisht Koordinatores Kombëtare Antitrafik, kjo e fundit ka marrë takime individuale me partnerë aktivë në parandalimin e trafikimit dhe ofrimin e shërbimeve ndaj viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit. Takimet janë shtrirë edhe me donatorët, për të hedhur hapat e parë për ngritjen e urave të bashkëpunimit.

Në javën e parë të muajit nëntor, duke marrë në konsideratë rëndësinë që partneriteti me shoqërinë civile luan në parandalimin dhe kundër trafikimit të personave, mbrojtjen dhe asistencën ndaj viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit do të organizohet një takim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dy prej koalicioneve më të mëdha të shoqërisë civile tepër aktive në fushën antitrafikim në vend – Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik (KKSAT) dhe Koalicioni “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” (BKTF). Ky takim do të përcaktojnë modalitetet për:

  •  krijimin e një “bordi” të qëndrueshëm të shoqërisë civile, monitorues i përpjekjeve antitrafik në shkallë vendi.
  • shkëmbimin dy-palësh të prioriteteve dhe fushave të veprimit për mbështetje reciproke;
  • diskutimin e problematikave të hasura nga shoqëria civile.
  1. Adresimi i Trafikimit të Personave me anë të Teknologjisë Celulare

Në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave u lançua faza pilot e projektit më të ri “Adresimi i Trafikimit të Personave nëpërmjet Teknologjisë Celulare”, projekt i përbashkët i Zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Trafikimit të Personave me organizatën ndërkombëtare “Ëorld Vision” dhe Fondacionin “Vodafone Albania”.

Po në këtë ditë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fondacionit Vodafone Albania dhe Ëorld Vision Albania “Për adresimin e trafikimit të personave përmes teknologjisë celulare”. Ky aplikim ka për qëllim ndërgjegjësimin publik mbi trafikimin e personave, rritjen e partneritetit me komunitetin për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit, rritjen e numrit të identifikimeve fillestare të viktimave të mundshme të trafikimit si dhe aksesin e shpejtë për ndihmë dhe informacion.

Më tej:

Brenda Dhjetorit 2013 do të :

 

  • Hartohet Marrëveshja e Bashkëpunimit Policor Ndërkufitar mes autoriteteve të Shqipërisë dhe atyre të Republikës së Malit të Zi. për Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe Përmirësimin e Identifikimit, Njoftimit, Referimit dhe Kthimit Vullnetar të Ndihmuar të Viktimave/Viktimave të Mundshme të Trafikimit. Marrëveshje/protokolle të tilla bashkëpunimi janë hartuar edhe me Greqinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Një marrëveshje e tillë do të plotësonte kuadrin e bashkëpunimit dhe forcimit të partneritetit me vendet fqinje të rajonit.
  • Një tjetër prioritet në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar në përgjithësi, si edhe të trafikimit të personave në veçanti, është edhe Krijimi i Grupeve të Përbashkëta Hetimore. Kjo iniciativë do të përmirësonte ndjeshëm hetimin e rasteve të trafikimit duke i dhënë hov qasjes së re të shmangies së burokracive, si pengesë në afatet ligjore të hetimit penal.

Grupet e Përbashkëta Hetimore janë themeluar për qëllime specifike dhe për një kohë të caktuar në bazë të marrëveshjeve mes dy ose më shumë shteteve. Krijimi i tyre shënjohet në nenin 18 të Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Fushën Penale të vitit 2000. Për ngritjen e këtyre grupeve mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi jo-anëtar është edhe Konventa e Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar për Evropën Juglindore, njohur ndryshe edhe si Konventa e Vjenës e vitit 2006, e ratifikuar nga Shqipëria. Pavarësisht kësaj, hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj Konvente, nuk janë ndërmarrë ende. Kjo sjell edhe vështirësi në aspektin e bashkëpunimit në hetimet penale mes vendeve kryesisht të Evropës Juglindore.

Për të bërë të mundur zbatimin e kësaj Konvente dhe rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në drejtim të hetimit penal të trafikimit të personave, është i nevojshëm ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale, i cili duhet të parashikojë fillimisht lejimin dhe mënyrën e ngritjes së Grupeve të Përbashkëta Hetimore.

Për këtë qëllim, deri në muajin Dhjetor do të hartohet, miratohet dhe ngrihet një Grup Pune mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hartuar ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale. Ndryshimet si rrjedhojë e këtij grupi pune do t’i paraqiten Këshillit të Ministrave për miratim, e më pas Kuvendit.