Ndëshkohen 38 efektivë policie - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/11/2013

Ndëshkohen 38 efektivë policie

Operacioni policor “Fund marrëzisë” përveç goditjes së paligjshmërisë në aktivitetin e lojërave të  e fatit ka shërbyer edhe për të nxjerrë përgjegjësitë konkrete të punonjësve të policisë në sektorët e Krimit Ekonomiko-Financiar pranë të gjitha Drejtorive të Policive në Qarqe, për të cilët pas verifikimeve të detajuara janë dhënë në total 38 masa disiplinore, prej të cilave 21 masa të rënda dhe 17 masa më të lehta.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm prej datës 17 tetor kanë kontrolluar dhe verifikuar e veprimeve të punonjësve të këtyre strukturave. Nga këto verifikime u evidentuan mangësi në drejtim të vënies para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit, që kanë organizuar veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit, të parashikuara në nenet 197 e 198 të Kodit Penal.

Nga të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në kuadër të këtyre inspektimeve, ka rezultuar se lidhur me këto vepra penale:

  • Gjatë periudhës Janar – 13 Tetor 2013 janë referuar në prokurori vetëm 71 raste.
  • Ndërkohë gjatë zbatimit të planit operacional “Fund marrëzisë” deri më datë 31 tetor numri i rasteve të referuara në prokurori është 494 raste.

Në përfundim të verifikimeve, pas analizës së bërë rasteve të referuara gjatë vitit 2013 lidhur me këtë veprimtari të paligjshme, mangësive të konstatuara në grumbullimin e informacioneve policore, mangësisë së dosjeve përkatëse për këtë aktivitet të paligjshëm, si dhe mungesës së theksuar të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në funksion të goditjes së veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, filloi ecuria disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës.

Pas shqyrtimit dhe verifikimit të shkeljeve për 21 punonjës të strukturave kundër krimit ekonomik e financiar pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe u dhanë masa për shkelje të rënda disiplinore, si  “përjashtim nga Policia e Shtetit”, “ulje në gradë për një vit”, “pezullim pa pagesë”, “shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”.  Ndërkohë për 17 punonjës të tjerë u dhanë masa për shkelje të lehta disiplinore si: “vërejtje me paralajmërim” dhe “gjobë sa paga e punonjësit në 5 ditë pune”.