Vendim për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit

VENDIM Nr. 893, datë 4.11.2015

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSPEKTORATIT KOMBËTAR TË MBROJTJES SË TERRITORIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. STATUSI DHE MISIONI

1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në vijim IKMT-ja, është institucion qendror, buxhetor, person juridik, publik, në varësi të ministrit përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë e territorit e të ndërtimeve, në vijim ministri, me seli në Tiranë.

2. Misioni i këtij inspektorati është kontrolli, mbrojtja e territorit dhe e mjedisit nga ndërtimet e zhvillimet e kundërligjshme apo në shkelje të kushteve të lejeve, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt në fushën e zhvillimit, planifikimit, mbrojtjes së territorit, disiplinimit të punimeve në ndërtim, produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore sipas neneve 9 e 9/1, të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.

3. IKMT-ja ka buxhetin e vet, i cili është program më vete në buxhetin e ministrisë për ruajtjen dhe sigurinë e territorit e të ndërtimeve.

II. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË IKMT-së

IKMT-ja organizohet në dy nivele: në nivelin qendror dhe atë rajonal nëpërmjet këtyre degëve:

a) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Tiranë;

b) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Durrës;

c) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Korçë;

ç) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Vlorë;

d) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Sarandë;

dh) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Lushnjë;

e) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Kukës;

ë) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Shkodër.

2. IKMT-ja drejtohet nga kryeinspektori, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit.

3. Kryeinspektori, në kuadër të funksioneve dhe detyrave të inspektoratit, ushtron këto kompetenca:

a) Përfaqëson inspektoratin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së tij;

b) Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit;

c) Nxjerr urdhra dhe vendime për mbarëvajtjen e punës dhe veprimtarinë e inspektoratit, me përjashtim të atyre që janë në kompetencë të ministrit, sipas ligjit;

ç) Bashkërendon veprimtarinë e inspektoratit me institucionet qendrore dhe institucionet e tjera shtetërore në fushën e veprimtarisë së tij;

d) Siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë në nivel qendror dhe rajonal;

dh) I raporton periodikisht drejtpërdrejt ministrit për veprimtarinë e inspektoratit.

4. IKMT-ja, nëpërmjet kryeinspektorit dhe inspektorëve, ushtron detyrat dhe përgjegjësitë e parashikuara në ligjin nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.

5. Degët rajonale të IKMT-së e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin rajonal përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në atë rajon.

6. Me urdhër të kryeinspektorit, inspektorët e një dege rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një rajoni tjetër, në bashkëpunim me degën rajonale përkatëse.

7. Degët rajonale të IKMT-së drejtohen nga përgjegjësi, i cili përgjigjet përpara kryeinspektorit për mbarëvajtjen e punës, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së tij.

III. STEMA DHE VULA ZYRTARE E IKMT-së

1. IKMT-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.

2. Stema e IKMT-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit”.

3. Vula e IKMT-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr. 390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vulat e degëve rajonale përmbajnë shënimin identifikues “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, dega (emri i degës rajonale përkatëse).

4. Vula e IKMT-së dhe vulat e degëve rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Struktura dhe organika e IKMT-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit.

2. Ministri miraton rregulloren e brendshme të inspektoratit, me propozim të kryeinspektorit.

3. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të IKMT-së rregullohen me ligjin nr. 7961, datë 12.7.2005, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Punonjësit e IKMT-së duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, që përcaktohen nga kryeinspektori, në përputhje me nenin 11, të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.

5. Vendimi nr. 868, datë 12.12.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar”, i ndryshuar, shfuqizohet.

6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Edi Rama