Parandalimi i migracionit të parregullt, takimet ndërgjegjësuese tashmë në Korçë

Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, në datat 20 dhe 21 dhjetor  zhvilluan takime informuese në qarkun e Korçës.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga Këshilli i qarkut, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror dhe i bashkisë, njësitë e qeverisjes vendore etj. Aty u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, ndërsa morën pjesë 24 pjesëmarrës.

Takimi i dytë vijoi me përfaqësuesit e shoqërisë civile të qytetit të Korçës, në të cilin morën pjesë 26 persona. Në Korçë është një shoqëri civile e konsoliduar dhe funksionon një numër i madh i OJQ-ve. Pjesëmarrësit në diskutimet  e tyre theksuan nevojën për krijimin e mundësive për zhvillimin e komunitetit përmes mbështetjes së kategorive të cenueshme, për zbatimin e projekteve që adresojnë çështjet ekonomike sociale, nevojën e kontributit me projekte që përqendrohen në fuqizimin e grave dhe komunitetit dhe fokusimin e tyre në fshatra; nevojën për mundësitë e financimit, si dhe kërkojnë vëmendjen e donatorëve për t’u fokusuar dhe prioritizuar projektet e zhvillimit në rajonin e tyre.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informuese me 30 nxënës dhe 7 mësues të shkollës së mesme “Themistokli Gërmenji”. Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit, ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Në datën 21 dhjetor u zhvillua një takim informues në shkollën e mesme të bashkuar “Sheqeras” në Maliq, ku morën pjesë 10 nxënës maturantë.

Po kështu, përgjatë dy ditëve u zhvilluan biseda të lira në bare të ndryshme të qytetit dhe u shpërndanë fletëpalosje në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Korçë po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Takimet në 6 qarqet e tjera do të vijojnë në periudhën janar-mars 2018.